Euro hyn sërish në trendin rënës

Monedha e përbashkët ka vijuar zhvlerësimin në tregun vendas duke hyrë sërish në trendin rënës. Monedha e përbashkët këmbehet sot me 132.25 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Prej fillimit të shkurtit, euro ka humbur në tregun vendas rreth 1.1 lekë, por sot shënoi rekord të ri të ulët që prej mesit të gushtit. Tradicionalisht, euro ka tendencën që të zhvlerësohet përkundrejt lekut me afrimin e afatit të fundit të pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ekspertët argumentojnë se me afrimin e datës 20, bizneset nxitojnë të thyejnë valutën për të shlyer detyrimet. Për më tepër, sipas tyre, muaji shkurt ka njohur minimumin historik të qarkullimit të parasë në vend, ndërsa oferta në valutë vijon të mbetet e lartë. Nxitur prej këtyre faktorëve të brendshëm euro ka vijuar të nënçmohet përkundjet lekut vendas. Ekspertët e kursit të këmbimit argumentojnë se janë faktorët e tregut të brendshëm që diktojnë nivelin e kursit të këmbimit euro-lekë. Aktorët kryesorë të tregut shtojnë se tradicionalisht periudha janar-shkurt njihet për kuotat më të larta të këmbimit të euros me monedhën vendase. Në rast se euro do t’i nënshtrohet trendit tradicional të saj, me afrimin e sezonit turistik (i cili tashmë është më i zgjatur në kohë dhe jo vetëm në muajin gusht) euro do të luhatet poshtë nivelit të 132 lekëve. Monedha e përbashkët kapi nivelin më të ulët të këmbimit ndaj lekut në 27 qershor 2017, kur këmbehej 131.9 lekë, ndërsa e hapi vitin në kuotën e 137 lekëve. E kundërta ka ndodhur me monedhën e gjelbërt, e cila nxitur prej zhvillimeve në bursat ndërkombëtare është çmuar sot në tregun vendas me 0.52 lekë, duke u këmbyer sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 107.23 lekë. Në bursat ndërkombëtare dollari i është larguar nivelit më të ulët të tre viteve.

Artikulli paraprakQeveria e autostradave
Artikulli tjetërFrontex: 32 mijë shqiptarëve iu refuzua kërkesa për azil