Euro bie sërish ndjeshëm në tregun vendas

Euro ka shënuar vetëm rënie në tregun e brendshëm gjatë muajit prill, ndonëse në tregun ndërkombëtar monedha e përbashkët ka pasur ditë të mira. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 135.42 lekë, duke shënuar të katërmbëdhjetën ditë radhazi me rënie. Dje tkurrja ka qenë më e fortë me 0.11 lekë. Ndërsa dollari është forcuar me 0.14 lekë, duke u këmbyer me 127.43 lekë. Euro arriti në bursa nivelin më të lartë të muajit prill gjatë ditës së djeshme, duke iu afruar kufirit të 0.17 USD, pas deklaratës së presidentit amerikan që tronditi bursat se dollari është shumë i fortë. Pas një rënieje në mëngjes, euro e mori sërish veten në tregtimet e mesditës.
Por, në tregun e brendshëm, monedha vendase vijon të jetë e nënçmuar, duke reflektuar ofertën e lartë për këtë valutë dhe kërkesën e dobët. Përgjithësisht në muajit prill, euro në tregun vendas ka pasur tendencë forcuese, teksa pas mbylljes së bilanceve bizneset e huaja fillojnë e transferojnë fitimet, por këtë vit kjo tendencë sezonale nuk po konstatohet më. Euro në tregun vendas ka qenë përgjithësisht e dobët që nga tetori i vitit të kaluar dhe arriti nivelin më të ulët që nga viti 2009 më 22 dhjetor 2016, në 134.4 lekë. Për periudhën janar-14 prill 2017, kursi mesatar i euro ishte 135.8 lekë, nga 138.4 lekë që kishte kjo mesatare për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pasi qëndroi në ekuilibrin e 139-140 lekëve për periudhën 2011-2015, euro u zhvlerësua ndjeshëm më 2016-n, duke e mbyllur vitin në një mesatare prej 136.1 lekësh. Më shumë se ecuria e kursit në tregjet ndërkombëtare, kursi është ndikuar nga faktorë të brendshëm të kërkesë-ofertës. Sipas Bankës së Shqipërisë arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë përgjithësisht, ecuria e kursit USD/eur në tregjet ndërkombëtare reflektohet kryesisht në kursin dollar/lekë në vend. Tashmë duket se kursi i këmbimit eur/lekë ka zbritur në nivelin e ekuilibrit rreth 136 lekë. Aktorët e tregut pohojnë se nëse vijon të ketë ofertë të lartë për valutë, në verë, kur sezonalisht ka forcim të lekut për shkak të prurjeve të emigrantëve, euro mund të zbresë edhe në 133-134 lekë.

Artikulli paraprakShoqëria civile kundër ndërtimit të resortit në Divjakë nga Mabetex Group
Artikulli tjetërSi mashtron Veliaj me gjoja masterin e zhvilluar në SHBA