“Eskobari i Ballkanit”, oficerë policie dekonspiruan aksionin për kapjen e Balilit

Aksioni për arrestimin e Klemend Balilit është dekonspiruar nga Policia e Sarandës dhe Delvinës. Për këtë arsye, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim për të verifikuar veprimet e disa punonjësve të policisë lokale. Burimet bëjnë me dijes se, ka indicie konkrete që oficerë kanë njoftuar Balilin për aksionet që do të kryheshin për prangosjen e 44-vjeçarit i kërkuar nga Greqia për trafik droge dhe krijim të organizatës kriminale.
Hetuesit kanë dyshime se, ndikimi i Balilit në policët e Sarandës dhe Delvinës është i madh dhe ai mund të jetë njoftuar për çdo lëvizje që kryhej nga blutë. Specialistët e Çështjeve të Brendshme pritet të kalojnë në sitë të gjitha veprimet e disa oficerëve të policisë, për të cilët ka dyshime konkrete se kanë komunikuar me të afërm të Balilit.
Pavarësisht operacionit të së shtunës për ndalimin e Balilit dhe hetimit të nisur, ai ende nuk është prangosur. Por, Prokuroria ka bindjen se ai ndodhet ende në territorin shqiptar. Në operacionin e fundit për prangosjen e Balilit u angazhuan 200 forca policie. Një bashkëpunëtor i 44-vjeçarit u arrestua për armëmbajtje pa leje.
Pak ditë pasi dosja mbërrin në Prokurori, në orët e para të mëngjesit të datës 10 dhjetor, rreth 200 forca të Policisë së Shtetit zhvilluan një operacion për kapjen e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”. Nga ky operacion u bë e mundur kapja e mikut të tij, 36-vjeçarit Berti Dosti, ndërsa u sekuestruan 2 armë.
Në maj të këtij viti, u zbulua se Klement Balili ishte një prej organizatorëve të trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë. Në aksionin ku mori pjesë DEA amerikane dhe forcat e policisë greke u kapën 700 kilogramë hashash dhe u arrestuan të gjithë drejtuesit e organizatës kriminale, përveç Klement Balilit që fshihej në Sarandë.
Burime nga policia thanë se, Balili mund të konsiderohet një person në arrati, sepse nuk ka asnjë negociatë as me Policinë dhe as me Prokurorinë për t’u vetëdorëzuar. Zyrtarë të lartë të Policisë thanë se, nuk ka asnjë përpjekje të Klement Balilit, ish-drejtor i Transporteve në Sarandë për të bashkëpunuar me policinë apo organin e akuzës.
Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim për trafik tonelatash droge drejt Bashkimit Europian dhe për këtë arsye ka edhe një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij konkretisht nga Interpoli. Organizata ndërkombëtare e drogës e drejtuar nga shqiptari qarkullon miliona euro, saqë mediat greke flasin se, “Baroni” ka aq para sa të paguajë borxhin e Greqisë. Droga e kësaj organizate shitej në Ballkan për 2500 euro një kilogramë, ndërsa në shtetet Nordike 1 kg kanabis kapte shifrat e 17 mijë eurove. 700 kg kanabis që u kap para pak kohësh në Zakyntho të Greqisë ishte destinuar për t’u shitur në Norvegji.

Artikulli paraprakMjekët në protestë kundër koncesionit të laborantëve
Artikulli tjetërVrasja për kanabisin në Sarandë, autorët ende të lirë