Është aq krizë sa po falimenton edhe “gabi”

Nga rezultatet e sondazhit të revistës “Monitor”, edhe dyqanet që tregtonin veshje dhe këpucë të përdorura janë prekur nga kriza. Kolë Ndou, i cili tregtonte veshje të përdorura në Kamëz, tha se ky biznes nuk e leverdiste më, tani ai është i papunë. Kërkesë për pezullim aktiviteti ka bërë edhe Rexhep Hakaj, Shpëtim Ismaili, Arnold Zalli dhe Rikejda Mema, të cilët dhanë si motiv të mbylljes së aktivitetit, rënien e punës. Të njëjtin lloj aktiviteti, të tregtimit të veshjeve dhe këpucëve të përdorura ushtronin dhe Krenar Fejzaj, Sofia Neço dhe Nure Likaj. Sipas zonjës Neço, edhe në këtë fushë tregtimi, kohët e fundit është shtuar shumë konkurrenca.
Sokol Xhelili, i cili tregtonte rroba të përdorura që nga 2013-a, tha se çmimi i shumicës për rrobat e përdorura është rritur. Për një kilogram rroba të përdorura, zoti Xhelili tha se çmimi varionte nga 1,000 deri në 2,000 lekë. “Nuk po na dilte asnjë rrogë”, tha ai.
Të njëjtën arsye dhanë për “Monitor” edhe Pranvera Avdillari me Alime Hoxhën, të cilat e kishin hapur aktivitetin në të njëjtin vit me zotin Xhelili. Duket sikur shqiptarët kanë maninë për të kopjuar bizneset e njëri-tjetrit. Në fakt, duket se konkurrenca është rritur shumë në këtë sektor dhe të gjithë po tentojnë të kapin konsumatorët që duan të shpenzojnë më pak. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme së Doganave, importi i mallrave “të dorës së dytë” është rritur vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT e konfirmojnë këtë tendencë. Importet e veshjeve të përdorura kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe të pandalshme gjatë katër viteve të fundit. Për 5-mujorin 2016 ato arritën në 1 miliard lekë (rreth 8 milionë euro), me një rritje prej 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një tjetër biznes që po shënon rritje është edhe ai i këpucëve dhe sidomos atleteve të përdorura, për të cilat gjithsesi nuk ka të dhëna për importet nga INSTAT, por është e dukshme që numri i tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera, sa vjen e shtohet. Shumë dyqane po ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në tregtues të mallrave të përdorur.
Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja. Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.
Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar në vitin 2013, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum. Në vit importohen rreth 13 milionë kilogramë veshje të përdorura, me një vlerë importi prej rreth 18 milionë eurosh më 2015-n, sipas INSTAT.

Formalizimi i bizneseve mbetet në tentativë

Leonard Laçi, për më shumë se 10 vite, ofronte shërbime funerale në qytetin e Pukës. Një vit më parë, në kuadër të nismës për formalizimin, regjistroi biznesin në QKR. I pyetur nga “Monitor” për shkaqet e mbylljes, ai deklaroi se pati rënie të aktivitetit. Falimentimi i këtij biznesi 10-vjeçar tregon se bizneset në Shqipëri janë aq të varfra, sa nuk mund të mbyllin as detyrimet. Tahir Vata, shofer nga qyteti i Kukësit, u detyrua të merrte licencë për shkak të porositësit të tij, Nika-Bl, për të kryer transportin e hekur-nikelit. Në historikun e biznesit të tij tregohet se është pezulluar dhe aktivizuar disa herë aktiviteti i tij, për të cilin ai tha se e bënte për të mos paguar sigurimet kur ishte pa punë. Fatmir Bastari vendosi që aktivitetin e këmbimit valutor, të cilin e kishte ushtruar prej vitesh në të zezë, ta formalizonte duke hapur një pikë këmbimi monedhash. Biznesi i tij mundi të mbijetonte vetëm për katër muaj. Fatmirit nuk i buzëqeshi fati, ai liston si arsye shumë faktorë, nga taksat deri në keqmenaxhim. Edhe Flori Trashi nga Durrësi, prej 5 vitesh operonte në grumbullimin e skrapit dhe tregtimin e tij. E formalizoi biznesin më 2015-n. Më pas e mbylli pasi nuk mund të mbyllte dot detyrimet. Tani është i papunë. Avni Tobli, kontabilist, ka kaluar në zyrën e tij rreth 550 biznese në pesë vitet e fundit, nga të cilat gati gjysma janë mbyllur. Zoti Tobli tha se 10% e bizneseve falimentojnë në mënyrë sistematike. Shpeshherë, shkak është menaxhimi i dobët, mungesa e inovacionit dhe konkurrenca e ashpër. Ndërsa, 40% të subjekteve për shkak të krizës. Pjesa tjetër, 50%, nuk kanë qenë ndonjëherë biznese të mirëfillta dhe janë pjesë e grupit të reformës për formalizim, të cilët regjistruan bizneset e tyre dhe duke mos ia dalë me pagesat e detyrimeve, sot po mbyllen.

Bar-kafetë, biznesi klishe i shqiptarëve

Nga 300 bizneset shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41%. Bizneset e reja përballen gjithmonë me riskun e falimentimit, të paktën në 5 vitet e para të krijimit të tyre. Pavarësisht dëshirës për të krijuar një biznes të qëndrueshëm, ekziston një risk sistematik (i vazhdueshëm) që çon bizneset në falimentim. Jo të gjithë ata që krijojnë një biznes, kanë aftësitë e duhura menaxheriale për ta drejtuar atë. Një pjesë e të anketuarve shpreheshin se nuk iu eci dhe se nuk e patën menduar mirë. Disa zgjodhën zonën e gabuar, kurse të tjerë llojin e aktivitetit. Konkurrenca e fortë kërkon jo vetëm një menaxhim të mirë, por edhe të sjellësh diçka të re, gjë që e cila sot mungon në Shqipëri. Odise Tito nga qyteti i Durrësit, i cili kishte një bar-kafe dhe e ka mbyllur para pak kohësh, tha se “me një xhiro prej 10 mijë lekësh në ditë nuk mund të paguaja as dritat, jo më të mbyllja detyrimet e tjera”. Françesko Laskaj nga Puka, aktualisht i papunë, ka bërë kërkesë për të pezulluar bar-kafenë, të cilën e kishte në janar të vitit të kaluar. Për “Monitor”, ai tha se po kërkon të hapë sërish të njëjtin lloj aktiviteti. Gentjan Çela nga Tirana, sipërmarrës i një biznesi të vogël, ka çregjistruar biznesin e tij të bar-kafesë. Tani ai e nxjerr jetesën me anë të pikës së lotos. I pyetur nga “Monitor” për arsyet se pse vendosi të pushonte aktivitetin, ai tha se bari nuk nxirrte as shpenzimet e veta, ndërsa pika e lotos është më ndryshe. Megjithëse fitimet nga pika e lotos nuk ishin të larta, ai tha se të paktën po i siguronte jetesën.
Edhe Verije Rakipllari e mbylli bar-kafenë “Wall Street”, që pavarësisht emrit, thotë se nuk i eci. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale. Spanjës i afrohet vetëm Shqipëria, me 473 bar-kafe dhe Qipro. Kjo e fundit dikur mbante rekord, por për shkak të krizës së viteve të fundit, shumë bare janë mbyllur. Në Qipro, numri i bar-kafeve ka rënë vitet e fundit nga 7,500 në pak mbi 5,600, sipas një raporti për mikpritjen në Europë nga HOTREC. Me një popullsi prej 1.19 milionë banorësh, Qipro ka 470 bare për 100 mijë banorë, një shifër e përafërt me Shqipërinë. Ndërsa në Spanjë dhe Qipro ka një nivel shumë të lartë turizmi, të shtrirë gjatë gjithë vitit, që janë ndër konsumatorët kryesorë të bareve, në Shqipëri, në pjesën dërrmuese, klientët janë vendas. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojnë, edhe më shumë hapen të reja. Sipas INSTAT, më 2015-n, numri i bar-kafeve u rrit me 31%, nga rreth 10.4 mijë në 13.6 mijë, pra shtesa neto ishte rreth 3200 bar-kafe të reja (në këtë shifër ka dhe lokale të vogla që mund të jenë formalizuar, pas aksionit të tatimeve në tremujorin e fundit 2015). Po, sipas INSTAT, numri i restoranteve në fund të 2015-s ishte 4,061 edhe ai i rritur me 22%. Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante.

Më mirë me pagë, se me biznes

Tingëllon si paradoks, por ja që shqiptarët janë të mendimit se është më mirë që të jesh i punësuar se të kesh biznesin tënd privat. Ardit Nexhipi tha se e mbylli aktivitetin e tij, pasi kishte gjetur një punë më të mirë, me një pagë më të kënaqshme se fitimet që nxirrte nga biznesi i tij. Edhe Ilir Zoto, me aktivitet bar-kafe në kryeqytet, dha të njëjtën arsye për pezullimin e aktivitetit të tij.
“Nuk më leverdiste ta mbaja më. Tani punoj diku tjetër ku marr më shumë të ardhura se sa në biznesin që kisha”, tha ai gjatë intervistës. Të njëjtën arsye për mbylljen e aktivitetit dha edhe Ardit Lisi, Demir Kanina, Altin Blushi dhe Alfred Gjipali, të cilët nga sipërmarrës kanë kaluar në rrogëtarë. Dy kategoritë më të goditura nga kriza janë bar-kafe dhe tregtia me pakicë, të cilat përbënin rreth 50% të të gjitha përgjigjeve të sondazhit. Enelida Caka nga Tirana, tha se tregtia ka rënë gjysmë për gjysmë krahasuar disa vite më parë. Këtë ajo e kishte konstatuar gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj, tregti me pakicë. Këtë fakt e pohon dhe zoti Durim Halla, i cili kishte një minimarket në zonën e Yzberishtit. Përpos rënies së fuqisë blerëse, zoti Halla tha se hapja e supermarketeve të mëdha ka nxjerrë jashtë loje të gjithë dyqanet e vogla. “I madhi e ha të voglin”, u shpreh ai.
Zinxhiri i supermarketeve të mëdha kanë “nxjerrë jashtë loje” dyqanet ushqimore të lagjeve. Pjesa më e madhe, duke mos konkurruar dot supermarketet që tregtojnë një gamë të gjerë produktesh, shpesh edhe me çmim më të lirë, për shkak se një pjesë e mirë e tyre janë distributorë të disa prej produkteve kryesore, kanë falimentuar. Me një normë të ulët fitimi, 10% mbi xhiron, dyqanet e gjetën të pamundur të mbijetojnë, duke i shtuar gjithë kësaj situate dhe rënien e fuqisë blerëse, e cila është pranuar nga të gjitha bizneset e kontaktuara nga “Monitor”. Edhe individët që janë marrë me tregtimin e veshjeve deklarojnë se ka një rënie të fuqisë blerëse, si dhe një konkurrencë të shtuar në këtë fushë. Shkëlzen Ivana, me dyqan pranë ambasadës amerikane, tha se përveç rënies së fuqisë blerëse, konkurrenca nga tregtia online ishte shumë e fortë. “Arrita të mbijetoj vetëm një vit, tani jam i papunë – tha zoti Ivana. Falimentimi i biznesit të vogël, së bashku me pasojat ekonomike, ka dhe pasoja sociale, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë qenë biznese familjarë. Shumica dërrmuese e të pyeturve thanë se ishin të papunë. Bujar Cani nga Durrësi, kryefamiljar, pas falimentimit të biznesit të tij, tha se nuk ka gjetur më punë.

Marrë me shkurtime nga “Monitor”

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBorxhi i jashtëm rritje me 228 milionë euro, 77% e ka qeveria