Eksportet si katërmujor kanë rënë me 6% krahasuar me vjet

Eksportet shqiptare shënuan një rritje të lehtë me 1.5 për qind në prill duke ndërprerë trendin negativ që vazhdon prej gati një viti. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave, tregojnë se muajin që lamë pas kompanitë shqiptare eksportuan 21.1 miliardë lekë mallra në tregjet e huaja, nga 20.7 miliardë që kishin eksportuar në prill të vitit të kaluar. Sipas INSTAT ndërprerja e tendencës negative të eksporteve i dedikohet ecurisë së fortë pozitive të fasonit, të cilat në prill u rritën me 37.5 për qind. Më konkretisht nga 6.4 miliardë që ishin në prillin e vitit të kaluar, eksportet e tekstileve të këpucëve ishin muajin që lamë pas 8.8 miliardë lekë.
Por rritja e lehtë e prillit është e pamjaftueshme për të përmbysur bilancin negativ të eksporteve në tremujorin e parë. Në total, si katërmujor eksportet janë këtë vit 6 për qind më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit 2015. Më konkretisht nga 79.1 miliardë që ishin vjet për katërmujorin, këtë vit eksportet kanë qenë 74.4 miliardë lekë. Eksportet shqiptare janë goditur fort nga rënia e çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet globale pasi këto janë një nga zërat kryesore të produkteve që Shqipëria shet jashtë. Paralelisht një tjetër zë me ecuri negative janë eksportet e materialeve te ndërtimit, të cilat po ndjejnë efektet e falimentimit të kompanisë Kurum, si eksportuesi më i madh i hekurit në Ballkan.

Artikulli paraprakKredia rënie vjetore me -1.6 %
Artikulli tjetërVjedhje me tenderat, KLSH kallëzon penalisht drejtorin e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”