Ekspertët kundër ndërtimit të HEC-it mbi Vjosë

“Jo hidrocentralit të Poçemit në luginën e Vjosës. Lumi i fundit i egër i Evropës duhet të mbrohet”. Ka qenë ky apeli i 30 shkencëtarëve të mbërritur në Shqipëri nga disa shtete si Austria, Gjermania e Sllovenia. Pas një jave studimesh, ata janë në një mendje se ndërtimi i këtij HEC-i do të sjellë vetëm humbje. “Duhet të ndërtojmë mbi këtë eksperiencë një studim të gjerë dhe afatgjatë dhe së pari të marrim informacion për ekologjinë e këtij sistemi rreth rrezikshmërisë së ndërtimit të një hidrocentrali këtu. Mendoj se të gjithë do të dalin të humbur nga ndërtimi i këtij hidrocentrali për shkak të dëmeve të mëdha që shkakton dhe në dëm të gjeneratave që do të vijnë”, përcjellin mesazhin e tyre shkencëtarët. Profesori Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës i bën thirrje kryeministrit që ky hidrocentral të mos ndërtohet. Sipas tij duhet një studim i thelluar për ndikimin në mjedis sipas standardeve ndërkombëtare. “Do të ishte turp të ndërtohej pa bërë vlerësime të mirëfillta të ndikimit në mjedis. E këshillojmë kryeministrin që të rimendojë pozicionin e tij për të ndërtuar këtë hidrocentral sepse ne mendojmë se dëmet ekologjike do të jenë të mëdha, por jo vetëm përsa i përket përmbytjes, e cila do të shkaktonte humbjen e florës dhe faunës në këtë zonë, por ndërtimi i këtij hidrocentrali do të ndikonte dhe pjesën e poshtme të lumit pra, në grykëderdhje duke ulur nivelin e ujërave nëntokësore dhe duke shtuar marrjen e detit ndaj tokës. Nëse këtu në Vjosën e egër do të ndërtohet HEC-i do të dalim të gjithë të humbur. I bëj thirrje kryeministrit shqiptar për të ndalur projektin e këtij hidrocentrali, pasi më parë duhet të bëhet një studim i thelluar i ndikimeve në mjedis. Pra, një raport i vlerësimit të ndikimit të mjedisit të thelluar sipas standardeve ndërkombëtare”, tha ai. “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” është fushata që synon të mbrojë Vjosën nga ndërtimi i hidrocentraleve. “Ekipi i shkencëtarëve ka bërë kërkime në 5 km gjatësi dhe 2 km gjerësi të lumit në afërsi të fshatit Kute, i cili sipas studiuesve do të përmbytet nga rezervuari i digës nëse HEC-i i Poçemit do të ndërtohet. Vjosa identifikohet si një lumë i pasur me florë dhe faunë. 20 specie peshqish, të kërcënuar në lumenjtë e Evropës janë identifikuar në ujërat e këtij lumi. Ndërtimi i HEC-it është parashikuar të nisë 36 muaj pas marrjes së lejes së ndërtimit”, tha Besiana Guri. Më herët kanë qenë vetë banorët  e Poçemit që kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-it, pasi thonë se ndikimi në mjedis do jetë i pakthyeshëm.

Artikulli paraprakSarkozy po bën gati rikthimin?
Artikulli tjetërInteresat e bonove “ndalojnë” pas tre muajsh