Egjipti në festë, pas 28 vitesh në Kupën e Botës

Kupa e Botës ishte kthyer në mallkim gjatë dekadave të fundit për një nga ekipet më të titulluara të Afrikës. 28 vjet mungesë në një Botëror, por më në fund, Egjipti ia doli të rikthehet mes më të mirëve të planetit dhe do të jetë një prej 32 finalisteve që do të udhëtojnë drejt Rusisë gjatë verës së ardhshme. Njeriu i finaleve të mallkuara Hector Cuper, por edhe sulmuesi i Liverpoolit, Mouhamed Salah, janë heronjtë e Egjiptit në mbrëmjen tragjike të Aleksandrisë në praninë e 85 mijë spektatorëve, ku brenda pak minutave “Faraonët” kaluan nga Ferri në Parajsë, pasi mundën vetëm në kohën shtesë Kombëtaren e Kongos 2-1.
Në “Borg el-Arab Stadium”, Egjipti duhej të arrinte një fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin, pasi kryesojnë me 12 pikë, 4 më shumë se Uganda e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga fundi i eliminatoreve. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 63, pasi Salah u tregua i saktë përpara portës, duke ndezur festën, por Moutou 3 minuta nga fundi bëri që në stadium të pllakoste heshtja.
Gjithsesi, Egjipti nuk u dorëzua dhe në minutat shtesë gjeti një tjetër gol me Salah që nga pika e bardhë e 11-metërshit nuk fali, duke çelur zyrtarisht festën për rikthimin e “Faraonëve” në Kupën e Botës. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, rrugët e qyteteve kryesore u mbushën me njerëz që festuan gjatë orëve të natës këtë arritje të skuadrës kombëtare. Një rezultat historik dhe shumë i vyer për një vend që gjatë viteve të fundit ka qenë në prag të luftës civile. Për një natë të vetme, futbolli bëri atë që politika nuk arriti ta realizonte për shumë vjet, bashkimin e një populli të përçarë.

Artikulli paraprakPolonia shkon në botëror
Artikulli tjetërPSG nuk ndalet!