Efekti Trump në mediat shqiptare

Hamit TAKA

Në parantezë të këtij shkrimi duhet thënë se, ata apo pinjollët e atyre që dje anatemonin dhe mallkonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “xhandari ndërkomëtar” dhe presidentët e saj, si xhelatët e njerëzimit, ndërsa sot bëjnë sikur e duartrokasin, sikur e bekojnë për kapital politik dhe u lëpihen e u përgjërohen ambasadorëve të qeverisë amerikane për një vizitë në Tokën e Premtuar e për një foto me presidentët, nuk i rezistuan dot instinktit të tyre për të aplikuar edhe atje luftën e klasave. Media shqiptare në shërbim të qeverisë, reagoi ndaj fushatës së kandidatit për Presidentin e dyzetepestë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot ligjërisht e zyrtarisht President në Shtëpinë e Bardhë, zotit Trump, ashtu siç sillej qeveria shqiptare dhe televizioni i vetëm shqiptar, TVSH, në kohën e regjimit të Hoxhës, i cili SHBA-në e quante “xhandari ndërkombëtar” i botës dhe presidentët e saj i quante xhelatë. Dhe aq entuziast ishin për punën e tyre pa sens me një zell e dashuri pasionante, sa drejtori i departamentit të informacionit të “Top Channel” shkoi me bujë e entuziazëm në Uashington, në pritje për të na dhënë sihariqin e madh të fitores së kundërshtares së Presidentit fitues, zonjës Hillari Klinton. Tashmë duket se qeveria dhe mediat shërbëtore të saj, ashtu si minjtë tërmetin, e kishin nuhatur se po shfaqej një lëvizje e fuqishme dhe tronditëse kundër establishmentit të politikave dhe mediave në shërbim të milionerëve dhe jo për qytetarët, që me gjasa do të ndryshojë botën. Por, nëse ndien elefanti frymën e miut, aq e ndien Amerika shfryrjen e mediave shqiptare.
Ndërkohë që mediat në shërbim të qytetarëve shqiptarë duhet të uronin: “Ardhsh i bardhë zoti Trump!” dhe të presim sa më parë në vizitën tuaj në Shqipëri.
Ajo që mendojnë shumë politikanë dhe analistë botërorë se lëvizja Trump mund të japë efektin “domino” në shumë vende të globit, duket se filloi të japë efektet e veta së mbari edhe në Shqipërinë tonë të vogël e të trazuar, në zemër të Ballkanit e të Europës. Ato kanë filluar të ndihen kudo tek ne, diku me drithërima paniku e diku me entuziazmin e ndryshimeve të nevojshme e të domosdoshme. Por ajo që i ndjeu e para lëkundjet sizmike të tërmetit me qendër në Uashington, është media.
Dikujt iu duk si rrufe në qiell të hapur, kur Prokuroria e Përgjithshme njoftoi një “të premte të zezë” se kishte nisur një hetim penal nën dyshimin e pastrimit të parave ndaj ish-gazetarit, sot deputet i Rilindjes, pas publikimit në media të një kontrate të vitit 2015, në të cilën bashkëshortja e Pezës ka blerë aksione me vlerë 113 milionë lekë në Bankën Credins. Mirëpo kjo ndodhi, mesa duket ua hoqi garzat plagëve të medias, nga shpërtheu qelbëzimi i pakënaqësive të gazetarëve ndaj padronëve të tyre, të cilët janë bërë me kioska, me firma ndërtimi, me akses emërimesh të miqve në administratën e shtetit, si shefat e kuadrit në kohën e diktaturës hoxhiste, politikanë e çfarë nuk janë bërë. Por dolën përsipër edhe mëritë, zilitë e xhelozitë mes gazetarëve elitarë e të mesëm, të cilët nxorën zbuluar makutërinë, hipokrizitë e pabesitë, mungesën e profesionalizmit e dhunimin e misionit të mediave. Me këtë rast gjetën kurajon edhe armata e gazetarëve të ndershëm apo pa kurajo, nga frika e humbjes së vendit të punës, të keqpaguarit, për të shprehur, ku me zë e ku pa zë, protestën e tyre të drejtë kundër oligarkëve të mediave, siç ishte edhe një zonjë, dikur studente dhe më pas punonjëse në televizionin e zotit Peza, ku pagat paguheshin pas tri muajve me thërrimet e mbetura nga orgjitë e padronit të saj.
Shkarkimet e fundit të disa gazetarëve, të njohur si kritikë me qeverinë, nga pronarët e mediave ku punonin, nuk duhet të jetë gjë tjetër, veçse lufta në frontin mediatik që qeveria ka shpallur, në kuadër të luftës së madhe të fushatës zgjedhore. Duke lënë mënjanë pajtimet e mospajtimet e analistëve që kanë folur për këtë gjëmë, që i bëhet medias së lirë në vendin tonë, në këtë pikë besoj se të gjithë duhet të biem dakord: në rrethana normale, besoj se edhe për çdo qeveri diktatoriale apo të korruptuar, kjo do të dukej tepër, por gjithë halli është te zgjedhjet, që po afrojnë. Dëshira dhe dëshpërimi për pushtetin, për ta mbajtur atë, është e papërmbajtur. Vendimi është marrë tani dhe për të ia vlen çdo çmim e çdo kosto, edhe çmimi i madh, si qeveri armike e medias së lirë. Është kjo arsyeja, se pse nuk ua ndien, si qeverisë ashtu edhe oligarkëve mediatikë, për ç’ka ndodh këtë kohë me mediat. Ata janë të vetëdijshëm për pasojat, por aq u bën.
Jo vetëm që janë të vendosur për kontrollin total të mediave, por e bëjnë këtë në mënyrë spektakolare e të bujshme, që të ketë efekt maksimal tek opinioni publik. Teksti është i qartë: ne kontrollojmë gjithçka; pushteti ynë është shumë i fuqishëm, është absolut, prandaj shpresa se mund të na e heqin atë me anë të votës, është iluzion; askush të mos guxojë të na e marrë pushtetin me votë.
Për qytetarët mendjeçelur e syhapur, që edhe kanë ca njohuri nga bota e qytetëruar e demokratike, lindin pyetje të tilla, si, ç’kuptim ka, kur thuhet për gazetarin: “e shkarkoi pronari”? Në botën demokratike ka filtra midis pronarit dhe gazetarëve, që do të thotë borde, të cilët bëjnë politika editorale, nuk ka pronar që të deklarojë publikisht, pa i bërë syri tërr, se politikat editoriale i bën ai vetë. Nuk duhet të ketë universitete private që të kenë gazeta të përditshme e televizione që bëjnë politikë, pasi e kupton gjithkush se ka konflikt interesi për pronarët e mediave. Një pyetje tjetër, që lind fare natyrshëm, mund t’i drejtohet Autoritetit të Mediave Audiovizive: si ka mundësi që askush nuk kujtohet t’u thotë mediave të mëdha në vend, se frekuencat kombëtare janë pronë publike, jo private, dhe nuk u janë dhënë për t’i keqpërdorur, duke dizinformuar publikun, por për ta informuar sa më drejt atë.
Fitorja e Donald Trump kundër gjithë dinozaurëve mediatikë dhe politikës që i ushqen, vetëm me komunikimin në Twitter, e ka bërë të vetëdijshme politikën globale se populli nuk u beson më mediave tradicionale që janë palë me këtë politikë si prostituta me tutorin, duke këmbyer rolet. Edhe në Shqipëri, ku ndodh e njëjta gjë me mediat e mëdha, nuk beson njeri. Kryeministri dhe qeveria e dinë këtë dhe kanë filluar të sulmojnë mediat on line. Kërkojnë t’i censurojnë se e kuptuan që ato janë përçuese të mendimit popullor. Pra, është çështje e politikës aktuale, e cila ka shkëputje nga interesat popullore, domethënë nuk përfaqëson më popullin dhe dëshiron t’u mbyllë gojën mediave on line, të cilat nuk mund t’i blejë.
Thellë-thellë, nga reminishencat e së shkuarës, kur s’i besonim as vetes, arsyeja jonë mosbesuese dyshon se disa prej këtyre oligarkëve e gazetarëve të pompuar në krye të mediave apo departamenteve të tyre, mund të jenë zgjedhur me kujdes në sitën e sigurimit më famëkeq, që mund të mburret sot se ”ka mundur popullin e tij”, për t’u çliruar nga diktatura edhe pse u ndihmua nga amerikanët dhe europianët. Unë nuk ndalem të analizoj konkretisht se çfarë kanë thënë e çfarë thonë, sepse këto janë aq të trasha sa edhe hienave do t’u vinte pështirë, por asnjë nga këta gazetarë të shumëpaguar e të promovuar nëpër panaire libri, me praninë e qeveritarëve e biznesmenëve më në zë, si korifejtë e letrave dhe mendimit për avancimin e demokracisë, ”trima me popullin e tyre”, s’është parë në ndonjë front lufte kundër korrupsionit galopant, kundër shkeljes së lirive e të drejtave të njeriut apo kundër krimit të organizuar, siç është kanabizimi i vendit, si gjithë gazetarët e botës, por i sheh kafeneve, në hijet e palmave të Rilindjes apo në resortet e pronave të vjedhura, ku mendueshëm, sipas modelit të ”kaut kuqalash”, që andej-këndej i thonë “kau balash”, flasin për ”shtetin ligjor”’ që po ndërton qeveria e Rilindjes.

Artikulli paraprakSi po organizohet PD me emigrantët në Londër
Artikulli tjetërFaqja e pare