Edvin, Becchetti nuk ka vdekur!

Nga Agim XHAFKA

Ka javë që qarkullon një virus më i keq se Covid-19. Është pagesa 110 milionë euro e një gjyqi që humbi qeveria jonë me pronarin e televizionit Agon Channel.

Në bare, zyra, rrugë, autobusë, vetura, ditëlindje, mortje thuhet se për ta shlyer na bije nga 40 euro për frymë. Disa shtojnë se ai po pret vendimin e dy gjyqeve të tjera dhe mund të paguajmë deri 100 euro për çdo kokë shqiptari.

Ndërkohë qeveria hesht si gjethi në vapë. Merdia e saj bën emisione se sa jahte e avionë kanë sheikët e Arabisë. Askund nuk zihet në gojë ky dënim, që është gijotinë për ekonominë shqiptare.

Rama ka gjetur heshtjen, ashtu si etërit e tij komuniste që ndanin tallone ushqimore nëpër familje dhe radio buçiste me këngën: ’O, sa të lumtur jemi’.

Kështu pandehet se Becchetti nuk është gjallë, është një ëndërr e keqe që mendohet se po mos e zura në gojë gjëma kalon.

Po pse qeveria dhe kryeministri heshtin? Pse askund nuk flitet se si do e përballojë buxheti këtë tërmet? Sepse fajtori në këtë rast e ka emrin Edi Rama.

Sa u bë kryeministër mendoi se kompetencat e tij ishin ato të Zotit. Ai mund të bënte erën, shiun, breshërin dhe u kujtohet si e tërhiqte litarin të na sillte dhe diellin?

Me ato mend e me asnjë deputet barrikadë para tij i hyri marrëzisë dhe e quajti biznesmenin e botës kriminel, që pastron para, bën evazion fiskal dhe ishte tu e fut dhe në qeli, por falë zotit ai ia mbathi dhe vrapin e ndali te gjykata.

Atje u peshuan gjërat e Edi Rama e kishte dhjerë ligjin nja njëzet herë. Bashkë me veglën e tij Veliaj që solistit iu ngjit për iso. E kështu erdhi vendimi. Becchetti të marrë 110 euro.

Po nga kush? Nga ju, thotë Rama. Me siguri do vendosë taksën Francesko e ne do na shkojë djersa në fund të bythës jo për fëmijët tanë, por për fëmijët e nipërit e Becchettit.

Heshtja e qeverisë nuk e anulon vendimin. Edhe vonesa në pagesë sa e shton atë, me interesat që pikojnë çdo ditë te çisterna plot me euro.

Shpresoj që Ramës dhe Veliajt t’u shkojë shpejt njoftimi i OFL për sekuestro të pasurive e gjueti të pareve të tyre nëpër glob.

Ndryshe do ndodhë si me kushëririn tim Bedriun. E pushoi ministri nga puna si drejtor drejtorie, por gjykata dha urdhrin që ai ta merrte pagën kokërr më kokërr. Kështu për 7 vite, deri sa doli në pension.

Ndaj iu bë zakon që mëngjeseve sa dilte te kafja u bërtiste miqve e të njohurve:

-Nxitoni, nxitoni o njerëz për në punë se duhet të lodheni edhe për rrogën time.

Të njëjtën gjë bën dhe Becchetti.

Sa del dielli u gëzohet shqiptarëve mbarë që shkojnë e djersinë për të pasuruar atë.

Na ka si një pus të madh nafte që rri me rubinet hapur 24 orë…

Artikulli paraprakKëlliçi: Ministrja në ikje, nëse ka bërë llogaritë se përpara ka FRESH-in, e ka gabim, nuk na intimidon dot!
Artikulli tjetërGjendet e djegur një tjetër makinë në Vlorë, dyshimet e para