Edi Rama dhe psikologjia e turmës

Namir Lapardhaja

“Nesër o merr legalizimin ajo, o t’i ikën nga zyra”, kështu i është drejtuar Kryeministri i vendit, Edi Rama, drejtorit të ALUIZNI-t në Berat. Kaq ka mjaftur, që turma e harlisur e të pranishmëve të ngazëllehet dhe të duartrokasë pafund këtë verdikt “me vdekje” të kryeturmaxhiut të takimit. Për psikologjinë e turmave kanë folur filozofë e sociologë e nuk dua të zgjatem, mirëpo ky veprim i Ramës në Berat është shprehja më e mirë e njohjes së kësaj psikologjie turmërore. Turma do gjithmonë gjak, dënim, giotinë, vdekje…
Pak rëndësi ka si qëndon e drejta dhe e vërteta. Mjafton që ajo të kënaqet, të duartrokasë, të ngazëllehet dhe të harbohet. Thirrjet jakobine dhe verdiktet finale vetëm pas denoncimeve në eter të turmës janë shprehja më e mirë se cili është koncepti i Ramës për administratën shtetërore dhe për atë që ai pritet të bëjë në shtator. Atij nuk i mjaftoi shpjegimi i drejtorit se rasti në fjalë kishte një pengesë ligjore, për shkak të një konflikti dhe gjyqi me një komshninë e saj etj., etj. Jo! Ai ishte duke shijuar, duke orkestruar dhe duke luajtur me sentimentin e turmës, e cila edhe po të dëgjonte dënimin me vdekje të drejtorit në fjalë do ishte po aq e ngazëllyer, po aq e gëzuar dhe do të duartrokiste edhe më shumë, edhe më fort, edhe më gjatë.
Mirëpo, shteti dhe administrata publike nuk mund të ndërtohet mbi sentimentet e turmës, mbi denoncimet publike, të gënjeshtra dhe të pabaza, nuk mund të bëhen theror punonjës të adminsitratës dhe drejtues të saj vetëm e vetëm se shefit të mazhorancës i pëlqen ky harbim dhe ky masturbim publik dhe televiziv, për t’i mbajtur njerëzit të angazhuar, nën robërinë e imazhit dhe të mirazhit dhe si objekt të diskutimeve të tyre të kenë gjatë gjithë javës pikërisht atë: “Hë…, e pe se ç’a i bëri Rama atij?!!…. Është i madh, o burrë!!… Ah, sa mirë ia bëri qenit!!!…” Turma kjo është, kështu do, kështu ngopet dhe kënaqet, mirëpo shteti nuk është ky, shtetari jo e jo!
Unë jam i vetëdijshëm se Edi Rama ia di më së miri mendësinë këtij mileti, ashtu siç ia kanë ditur paraardhësit e tij. Di, po ashtu, që shumë do të më thonë: “Po ty ç’të duhet?! Mirë t’u bëhet!” Gjithashtu, di se ky milet e meriton këtë sjellje dhe vërtet ashtu e do, sepse duhet t’i bësh nënën që të quajë baba, mirëpo vendi është duke rrëshkitur në një dhunë shtetërore të paparë dhe të padrejtë, ndërkohë që konformizmi dhe të mësuarit me të keqen, jo vetëm që na bën pjesë të saj, por si shoqëri na vulos dhe na damkos si meritor të diktaturës dhe të denjë për t’u dhunuar e nënshtruar.

Artikulli paraprak“Liga superiore” e Europës fiskale
Artikulli tjetërSa shumë mundim për të shfaqur mosmirënjohjen!