Edhe Tefta Radi braktis Shqipërinë: Larg dallavereve në Australi

Tefta Radi – Se si u tret para syve tanë gjithë ajo ikonë e gazetarisë shqiptare patëm mundësi ta shihnim dhe të na dhimbsej prej vërteti! Njerëzit e mëdhenj mbeten të mëdhenj, kanë shpirt të gjerë dhe thjeshtësi të admirueshme. Tefta Radin e kishim të ngulitur në memorie si spikeren e pagabueshme dhe të përjetshme të lajmeve në RTSH. Mirëpo me jetën nuk “hahesh” dot, as me humbjet që ajo të servir… Papritur një goditje e pabesë në tru do e linte në gjendje kome artistin e mrekullueshëm, Françesk Radi, shkruan gazeta “Paloma”.
Me gjithë kujdesin e bluzave të bardha, Franko nuk ia doli dot dhe e la të vetme zonjën e ekranit. “Me humbjen e Frankos kam humbur kuptimin e jetës”, – do të shprehej zonja Radi. Po ku është sot? Është larguar për në Australi. “Vdekja është e hidhur dhe e rëndë për të gjithë, pavarësisht formës se si vjen. Ne do të niseshim për në Australi. Kishim prerë biletat dhe krejt papritur çdo gjë u shkërmoq para syve tanë”, thekson spikerja.
Na zbulon kështu edhe pengun më të madh të bashkëshortit, faktin që nuk e shkeli dot kontinentin e largët, për të cilin thoshte se është një oaz i gjelbërt, larg intrigave dhe dallavereve. Tefta Radi është rezidente në Australi, ku po jeton së bashku me djalin dhe nënën, po nuk e përjashton faktin e rikthimit në Shqipëri: “Natyrisht edhe do të vij. Vendi ynë është zemra jonë”, përfundon ajo. Sa mall kemi ne tashmë për të dy!

Artikulli paraprakMandija i dorëzon ndërkombëtarëve raportin e zgjedhjeve
Artikulli tjetërGjiknuri i prish fermën e ullinjve pronarit për zhavorrin bituminoz