Edhe Guvernatori kërkon përmirësim të klimës së biznesit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në një takim zyrtar në mjediset e Bankës së Shqipërisë me ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Shqipëri e ka vënë theksin ndër të tjera në rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që Sejko thekson nevojën e reformave dhe përmirësimit të klimës së biznesit. Këtë mesazh ai e dha qartë kur Banka e Shqipërisë uli sërish normën bazë në 1.25% gati dy javë më parë, duke e çuar në nivele minimale rekord.
Takimi me ambasadorët ishte pjesë e angazhimit të BSH-së për të zhvilluar një komunikim produktiv e konsultativ me grupe të ndryshme interesi, të cilët mund të luajnë një rol pozitiv në të mirë të sistemit financiar në veçanti e ekonomisë shqiptare në tërësi. Përveç ambasadorëve të vendeve të huaja të akredituar në Shqipëri, në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësuesit rezidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Gjatë takimit, fillimisht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, bëri një prezantim të situatës makroekonomike të vendit, duke parashtruar se, pavarësisht zhvillimeve të pafavorshme ndërkombëtare, Shqipëria ka shënuar një trend pozitiv në përmirësim të rritjes ekonomike. Stabiliteti makroekonomik i vendit është mbështetur nga harmonizimi i politikës monetare lehtësuese me politikën fiskale konsoliduese. Duke përfituar nga rasti, Guvernatori konfirmoi dhe njëherë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe rritjen ekonomike të saj nëpërmjet politikës monetare stimuluese. Në këtë kuadër, ai theksoi si mjaft të rëndësishëm vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Në prezantimin e tij, Guvernatori Sejko u ndal më në veçanti në zhvillimet e sektorit financiar në Shqipëri dhe reformat e ndërmarra për të rritur ndërmjetësimin financiar në ekonomi. Guvernatori u shpreh: “…Shqipëria është një vend me stabilitet financiar, ku një ndër promotorët e këtij zhvillimi ka qenë edhe sektori bankar, i cili ka mbështetur ekonominë dhe biznesin në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky sektor është likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të përballojë kërkesat e tregut për fonde. Këto parametra optimalë krijojnë kushtet e nevojshme që ky sektor të mbështesë të gjitha iniciativat e investitorëve të brendshëm dhe të huaj”.
Një çështje me rëndësi të veçantë, e diskutuar gjatë takimit ishte dhe ngjallja e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe vlerësimi i mundësive për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko i ftoi përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vend që këtë tablo të ekonomisë shqiptare ta përcjellin tek investitorët për t’i bindur ata se Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investime.
Shqipëria po ecën drejt një modeli të ri zhvillimi të orientuar drejt sektorëve prodhues, të cilët kanë nevojë për mbështetje. “…Ambienti financiar në Shqipëri karakterizohet nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, kurs i qëndrueshëm këmbimi, standarde të lehtësuara kreditimi; ky ambient rrit perspektivën potenciale ekonomike të vendit tonë …” u shpreh Guvernatori. Prandaj, është e rëndësishme që ambasadorët e huaj të përdorin influencën e tyre për promovimin e Shqipërisë dhe nxitjen e investimeve të huaja në sistemin financiar shqiptar dhe më gjerë.
Në përgjigje të interesit të ambasadorëve, Guvernatori ndau me ta pikëpamjet e tij mbi çështjet e ngritura të tilla si perspektivat e zhvillimit të vendit, pavarësia e bankës qendrore, perceptimi i realitetit ekonomik, ndikimi i reformës në drejtësi dhe përforcimi i zbatimit të ligjit, dhe integriteti i sektorit bankar. Nga ana e tyre, ambasadorët theksuan se është e rëndësishme që institucionet shqiptare të jenë më vokale në promovimin e Shqipërisë, e cila ka njohur ndryshime të dukshme ndër vite.

Artikulli paraprakRritet çmimi i kafesë
Artikulli tjetërKosovë, në vitin 2016, sektori bankar me plan dinamik