ECB mban të pandryshuara normat e interesit dhe nuk jep sinjale për ulje

Banka Qendrore Europiane (ECB) i mbajti të pandryshuara normat e interesit në një nivel rekord prej 4% të enjten, ashtu siç dhe ishin pritshmëritë.

Banka ri përsëriti angazhimin e saj për të luftuar inflacionin, duke mos dhënë asnjë sinjal se politikëbërësit po mendojnë madje për lehtësimin e politikave.

ECB e përfundoi në shtator ciklin e rritjes më të shpejtë të normave, që ishte ndërmarrë ndonjëherë. Por, banka thotë se diskutimi i një ndryshimi do të ishte i parakohshëm, pasi presionet mbi çmimet nuk janë shuar plotësisht dhe shumë negociata për pagat ende nuk kanë përfunduar.

Investitorët, megjithatë, po vënë bast se ECB po vepron gabim si për rritjen ashtu edhe për inflacionin dhe do të detyrohen të bëjë një reflektim, duke ulur me shpejtësi pesë herë normën e interesit nga fillimi i pranverës.

Por ECB nuk dha një sinjal të tillë të enjten dhe bëri vetëm ndryshime të vogla në deklaratën e saj, duke përsëritur qëndrimin e saj afatgjatë se mbajtja e normave të interesit në nivelin aktual për mjaftueshëm gjatë do ta kthejë inflacionin në objektiv.

“Konsensusi në mbledhje ishte se është e parakohshme për të diskutuar uljet e normave,” tha presidentja e ECB-së Christine Lagarde në konferencën e saj të rregullt për shtyp pas vendimit, duke përsëritur se vendimet e ardhshme do të vareshin nga të dhënat e reja.

Banka tha në deklaratën e saj me shkrim se tendencat e inflacionit konfirmuan “gjerësisht” vlerësimin e saj të mëparshëm, por hoqi një referencë në deklaratat e mëparshme për presionet e larta të çmimeve të brendshme dhe rritjen e fortë të kostos së punës.

Lagarde tha se rreziqet e rritjes janë në kahun e poshtëm si rrjedhojë e efektit kufizues të politikës monetare, luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe një rënieje ekonomike globale.

Problemet me tregtinë nga sulmet e grupit Houthi të Jemenit mbi transportin në Detin e Kuq mund të rrisin inflacionin duke shtuar kostot e energjisë dhe të mallrave, paralajmëroi ajo.

“Ne po e ndjekim këtë situatë me shumë kujdes,” tha Lagarde.

Ajo nuk pranoi të komentojë mbi spekulimet se mund të ketë një ulje të parë të normës në takimin e qershorit të ECB-së.

Lagarde dhe kryeekonomisti i ECB-së, Philip Lane, kanë pohuar se një rol në vendimmarrje do të luajnë shifrat e pagave të tremujorit të parë, të cilat bëhen publike në maj.

Ajo tha se ka shenja se kërkesa për punë po lehtësohej dhe se ka dëshmi për një rritje të moderuar të pagave.

Investitorët ende presin 125 pikë bazë uljeje këtë vit, me pesë lëvizje, me të parën që mund të ndodhë në prill ose qershor./Monitor

Artikulli paraprakAGIM BAÇI: LEXUESI I JEP KUPTIM LIBRIT!
Artikulli tjetërNga gjurmët e studimeve në Grac te botimi ne Austri/ Lasgushi lexohet gjermanisht, revista austriake “Lichtungen” në një botim special dygjuhësh