E turpshme, qeveria shqiptare dëmton prodhuesit e Kosovës

Çmimi referencë i patates është bërë shkak për mosmarrëveshjen midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kosova nuk po pajtohet me vendimin e autoriteteve shqiptare me vendosjen e këtij çmimi, i cili është nga 18 deri 19 cent për një kilogram. Kultivuesit dhe përpunuesit e kësaj kulture janë të shqetësuar, kurse ministritë përkatëse të Kosovës deklarojnë se po bëjnë gjithçka që ky problem të zgjidhet. Bedri Kosumi, kultivues dhe përpunues i patates, thotë për “RTK” se, është habitur nga ky vendim, që i dëmton në masë të madhe prodhuesit në Kosovë. Kosumi, i cili bashkë me fermerë të tjerë kultivon patate në mbi 500 hektarë. Ai u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa ndaj kësaj barriere, e cila po ndodh sërish, pavarësisht disa marrëveshjeve qeveritare ndërmjet dy vendeve. Lidhur me këtë vendim të autoriteteve shqiptare, reaguan ministrat në detyrë, ai i Financave, Avdullah Hoti dhe Tregtisë, Hykmete Bajrami. Kjo e fundit deklaroi se qeveria e Shqipërisë duhet ta heqë çmimin referent për pataten e Kosovës. Në të kundërtën, Bajrami tha se do të ndërmerren masa reciproke ndaj Shqipërisë, ndonëse sqaroi se është duke u punuar në zgjidhjen e kësaj situate. Ndërkohë, ministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se ky çmim referent është i lartë dhe i dëmton prodhuesit e Kosovës dhe nëse nuk ka lëvizje nga Shqipëria, do të shqyrtohen masat e tjera ligjore.

Bajrami: Qeveria e Shqipërisë të heqë çmimin referent për pataten e Kosovës

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj çmimit referent për pataten e Kosovës të vendosur nga Shqipëria. Bajrami thotë se në rast se Shqipëria nuk heq çmimin referent për produktet e Kosovës, atëherë pala kosovare do të veprojë njëjtë karshi produkteve që Shqipëria eksporton në Kosovë. Ministrja Bajrami ka thënë se të dy qeveritë kanë nënshkruar marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe të njëjtat duhet të zbatohen. “Marrëveshjet e tregtisë së lirë janë në favor të zhvillimit ekonomik vetëm kur vendet nënshkruese zbatojnë ato drejt dhe duke respektuar partnerët e tyre. Prodhuesit e vendit tonë shpesh po përballen me barriera nga vendet fqinjë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e gatshme për t’ju dalë në mbrojtje prodhuesve dhe njerëzve të vyeshëm të vendit tonë. Për rastin e patates tashmë kemi kontaktuar autoritetet shqiptare, kemi kërkuar largimin të menjëhershëm të çmimit referent. Përndryshe, ne do të veprojmë njëjtë për produktet që Shqipëria eksporton në Kosovë. Kam biseduar me ministrin Hoti, drejtorin e Doganave të Republikës së Kosovës dhe po punojmë të tejkalohet ky problem. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë marrëveshje të nënshkruara dhe duhet të zbatohen pasi në të kundërtën humbet arsyeja e këtyre dokumenteve që kanë firmat e kryeministrave të të dy vendeve”, tha Bajrami.

Artikulli paraprakValero nënshkruan për Interin
Artikulli tjetërRikthim në diktaturë, punonjësit detyrohen me ligj të spiunojnë