E pamundur të zëvendësohen Mesi e Ronaldo

“Barcelona, Real Madrid dhe La Liga do të kenë rrugë të vështirë që të zëvendësojnë yje të tilla, si Lionel Mesi dhe Cristiano Ronaldo. Ata janë të pamundur për t’u zëvendësuar”. Të paktën kështu thotë Gary Lineker. Ish-sulmuesi blaugrana ka shikuar nga larg, pasi kampionati spanjoll ka gëzuar një epokë dominimi, kur është fjala për trofe kolektivë dhe individualë. Katër kurorëzimet e fundit të Ligës së Kampioneve janë ndarë mes Barcelonës dhe Realit, ndërsa Mesi dhe Ronaldo kanë ndarë dhjetë çmime të “Topit të Artë”. Paraqitja e tyre ka ndihmuar në eklipsimin e rivalëve nga e gjithë Europa dhe bota, por të dy janë tani në moshën 30 vjeç e sipër, ndaj Lineker pranon se largimi i tyre i papritur nga loja mund të lërë një zbrazëti të madhe për të tjerët, që ta shfrytëzojnë. Ai i tha “Planet Football” në lidhje me një rilindje të skuadrave angleze në garën kontinentale, këtë sezon. “Unë mendoj se klubet e Premier League ishin kilometra prapa, por ne po ecim më mirë tani.

Ne shohim pesë skuadra angleze në fazat e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve. Do të thosha se kemi përgjysmuar boshllëkun që ishte krijuar, me disa vjet mbrapa, dhe me paratë e investuara në futbollin anglez duhet të arrijmë edhe më afër në dy vitet e ardhshme. Ju duhet të mbani mend se Real Madridi dhe Barcelona kanë një apel magjik ndaj lojtarëve në të gjithë botën dhe në përgjithësi mund të nënshkruajnë me kë të duan. Ato kanë pasur Cristiano Ronaldo dhe Lionel Mesin në kulmin e tyre, prej disa vitesh, faktor vendimtar në shumë lojëra të mëdha. Të dy janë duke rendur drejt fundit të karrierës së tyre dhe kur të tërhiqen, do të ketë trishtim për të gjithë ne. E them këtë, sepse do të jetë e pamundur t’i zëvendësojmë. Largimi i Ronaldos dhe Mesit do t’i nivelojë gjërat mjaft mirë, sepse këta dy lojtarë kanë qenë shumë më lart se të gjithë të tjerët në futbollin botëror, për një periudhë të gjatë kohe”, tha Lineker.

Artikulli paraprakNeymar u largua për para
Artikulli tjetërShkencëtarët: Prirja e 2 filxhanëve kafe në ditë ul me 44% zhvillimin e cirrozës të mëlçisë