A e kërcënojnë rrjetet sociale demokracinë?

Në vitin 1962, politologu britanik, Bernard Crick, publikoi “Në Mbrojtje të Politikës”. Ai argumentoi se arti i negociatave politike, larg edhe nga të qenët i neveritshëm, i lejon njerëzit me besime të ndryshme të jetojnë së bashku në një shoqëri paqësore dhe të begatë, shkruan “The Economist”.
Në një demokraci liberale, askush nuk merr atë që dëshiron, por gjithkush ka lirinë për të jetuar jetën që zgjedh. Megjithatë, pa informacionin e duhur, shoqëritë e ndryshme i zgjidhin problemet dhe mospajtimet, duke përdorur masat shtrënguese dhe forcën.
Crick do të ishte tronditur nga falsiteti dhe partishmëria e shfaqur në seancat dëgjimore të Komitetit të Senatit në Uashington, javën e kaluar. Jo shumë kohë më parë, mediat sociale dhanë premtimin se do të publikonin vetëm një informacion të saktë nëpërmjet një gjuhe komunikimi të lehtë, duke qenë se kjo gjë ndihmon njerëzit që të qëndrojnë larg korrupsionit, fanatizmit dhe gënjeshtrave.
Megjithatë, Facebook njoftoi se para dhe pas zgjedhjeve amerikane të vitit të kaluar, midis janarit 2015 dhe gushtit të këtij viti, 146 milionë përdorues mund të jenë përballur me keqinformimin rus në platformën e saj. YouTube pranoi se u publikuan rreth 1,108 video të lidhura me rusët dhe Twitter pranoi se u hapën rreth 36,746 llogari.
Ndryshe nga ajo që mendohej se mediat sociale do të sillnin me vete edhe një epokë të re për qytetërimin, ato nuk bënë gjë tjetër veçse kanë përhapur helmin e tyre.
Problemet e shkaktuara nga Rusia janë vetëm fillimi. Nga Afrika e Jugut në Spanjë, politika po bëhet gjithnjë e më e shëmtuar. Një ndër arsyet se përse po ndodh kjo gjë është se, duke përhapur të pavërteta dhe zemërim, duke korruptuar gjykimin e votuesve dhe duke përkeqësuar partishmërinë, media sociale i prish kushtet për krijimin e negociatave të duhura politike, me të cilën Crick mendoi se do të nxiste lirinë.
Përdorimi i rrjeteve sociale nuk shkakton më shumë ndarje se sa e përforcon atë. Kriza financiare e 2007-’08 nxiti zemërimin popullor ndaj një elite të pasur, e cila i kishte lënë të tjerët prapa. Luftërat e ndryshimeve kulturore i kanë ndarë votuesit nga identiteti më shumë sesa nga klasa.
Por mediat sociale nuk janë të vetme në fuqinë e tyre për të polarizuar dhe për këtë mjafton që të shikojnë televizionet kabllorë apo emisionet e ndryshme në radio.
Por, ndërsa “Fox News” është i njohur, platformat e mediave sociale janë të reja dhe ende nuk janë kuptuar mirë. Dhe, për shkak të mënyrës se si punojnë, ato kanë ndikim të jashtëzakonshëm.
Rrjetet sociale gjenerojnë para nga hedhja e fotove, postimeve personale, lajmeve dhe reklamave të ndryshme. Duke qenë se ato mund të masin mënyrën tuaj të reagimit, e dinë mirë sesi të futen edhe nën lëkurën tuaj.
Rrjetet sociale mbledhin të dhëna për ju në mënyrë që të kenë algoritme për të përcaktuar ato gjëra, të cilat do të tërheqin vëmendjen tuaj, në një “ekonomi të vëmendjes” që i mban të gozhduar përdoruesit, duke klikuar në postime të ndryshme, duke i shpërndarë këto postime dhe duke e përsëritur këtë gjë në vazhdimësi.
Kushdo që merret me prodhimin e reklamave dhe me analizimin e tyre mund të kuptojë dhe të arrijë në përfundimin, se cilat janë ato që i rezistojnë më shumë kohës.
Rezultati është bindës: një studim zbuloi se përdoruesit në shtetet e pasura i shohin telefonat e tyre celularë rreth 2.600 herë në ditë.
Do të ishte e mrekullueshme, nëse një sistem i tillë do të ndikonte në rritjen e dijes dhe në nxjerrjen e fakteve të vërteta në sipërfaqe.
Por, çfarëdo që të thotë Keats, e vërteta nuk është bukuria aq sa është puna e vështirë, veçanërisht kur nuk pajtohemi me të. Gjithkush që është përdorues i Facebook-ut e di se si sistemi, në vend që të japë informacione të sakta, tenton të përforcojë paragjykimet e njerëzve.
Kjo përkeqëson politikën e përbuzjes që mori kontrollin në Shtetet e Bashkuara të paktën në vitet 1990. Duke qenë se çdo palë dëgjon herë pas here se pala tjetër nuk është e mirë për asgjë, përveç gënjeshtrës, mungesës së besimit dhe shpifjeve, sistemi ka edhe më pak hapësirë për krijimin e një empatie. Për shkak se, njerëzit kanë ngecur në një vorbull të gjerave të pavlera, të skandaleve dhe zemëratës në nivele të larta, ata largohen nga gjërat që kanë rëndësi për shoqërinë në të cilën jetojnë.
Kjo tenton të prishë kompromiset dhe hollësitë e demokracisë liberale dhe të nxisë politikanët të ushqejnë konspiracionin dhe nativizmin. Këtu mund t’u referohemi hetimeve në krizën zgjedhore të Rusisë nga Kongresi dhe Prokurori Special, Robert Mueller, i cili sapo ka nxjerrë paditë e para. Pasi Rusia sulmoi Amerikën, amerikanët përfunduan duke sulmuar njëri-tjetrin.
Meqenëse hartuesit e Kushtetutës donin të frenonin tiranët dhe turmat, mediat sociale përkeqësuan bllokadën e Uashingtonit. Në Hungari dhe Poloni, pa kufizime të tilla, ato ndihmojnë në mbështetjen e një demokracie joliberale dhe ku më i forti është ai që ka çfarëdo lloj të drejte. Në Myanmar, ku Facebook është burimi kryesor i informacioneve për shumë njerëz, ajo ka thelluar urrejtjen ndaj myslimanëve të Rohingyas, viktimave të spastrimit etnik.

Media sociale, përgjegjësia sociale

Çfarë duhet bërë? Njerëzit do të përshtaten, ashtu siç kanë bërë gjithmonë. Sipas një sondazhi të fundit të kryer në Amerikë u arrit në përfundimin se vetëm 37% e amerikanëve besojnë në informacionet e marra nga rrjetet sociale, sa gjysma e atyre që u besojnë gazetave dhe revistave të printuara. Megjithatë, në kohën që duhet për t’u përshtatur, dëmi që mund të shkaktojnë qeveritë së bashku me politikat e tyre të këqija mund të jetë shumë i madh.
Shoqëria ka krijuar mekanizma, të tilla si shpifja dhe ligjet e pronësisë, për të sunduar në median e vjetër. Disa po u bëjnë thirrje kompanive të mediave sociale, si botuesit se duhet të jenë të përgjegjshëm për atë që publikohet në platformat e tyre, të jenë më transparentë dhe të trajtohen si monopole që duhen thyer. Dhe absolutisht që të gjitha këto ide duhen vlerësuar, por zbatimi dhe vënia në praktikë e tyre nuk është e lehtë.
Për më tepër, politika nuk është si llojet e tjera të fjalimeve, sepse është e rrezikshme të pyesësh një grup firmash të mëdha për të parë atë që është e shëndetshme për shoqërinë.
Kongresi kërkon transparencë rreth atyre që paguajnë për publikimin e reklamave politike, por ndikim dashakeqës vjen edhe përmes njerëzve, të cilët në mënyrë të shkujdesur shpërndajnë postime të lajmeve dhe informacioneve që edhe ata vetë nuk i besojnë. Thyerja e gjigantëve të rrjeteve sociale mund të ketë kuptim në terma antitrust, por kjo nuk do të ndihmonte me fjalimin politik, në të vërtetë, rritja e numrit të platformave, mund ta bënte industrinë më të vështirë për ta menaxhuar.
Por ka edhe mekanizma të tjerë për ta përmirësuar situatën. Kompanitë e mediave sociale duhet të mbrojnë fillimisht platformat e tyre, për ta pasur sa më të qartë, nëse një postim vjen nga një mik apo një burim i besueshëm. Ato gjithashtu mund të shoqërojnë shpërndarjen e postimeve të ndryshme së bashku me njoftimin për kujdesin që duhet të tregohet ndaj keqinformimeve dhe dëmit që shkaktohet prej tyre. Platformat e ndryshme të internetit shpeshherë përdoren edhe për të përforcuar mesazhet politike. Mbi të gjitha, ato mund të përdorin dhe të përshtasin algoritmet që kanë, për të vendosur lajmet që marrin më shumë klikime diku poshtë në faqe. Meqë këto ndryshime janë masa kundër një modeli biznesi të hartuar për të monopolizuar vëmendjen, ato duhet të caktohen me ligj apo me një rregullator.
Rrjetet sociale po keqpërdoren. Por, së bashku me dëshirën që s’duhet të mungojë, shoqëria mund t’i shfrytëzojë ato dhe ta ringjallë atë ëndërr të hershme për të cilën ato u krijuan, për t’i dhënë informacionin e duhur dhe të vërtetë njerëzve. Në të kundërt, çmimi që do të paguhet për një demokraci të lirë mund të jetë më i lartë.

“Monitor”

Artikulli paraprakLidhjet e Dakos me një nga bandat më të rrezikshme kriminale
Artikulli tjetërAjo çfarë e inkriminon Kryeministrin