E dashur Tatime

U përpoqa me sa munda që ta shpëtoja xhiron, po s’ja dola dot. Bëra maksimumin. Në fillim e nisa me Kryeministrin.Çdo mëngjes vendosja në një disk fjalimin e Kryeministrit ku fliste për rritje ekonomike 4% e 7%, ia çoja zërin në maksimum, po aha… fillonin grriceshin, më tregonin xhepat bosh, më thonin jo ndihma ekonomike, jo pensioni… madje njëri më tha “Fute dorën te xhepi im i pantallonave, shiko sa lekë kam, ti që flet për reforma”. Futa dorën…e kishte xhepin e grisur. Me një fjalë, s’qullosa gjë.
Fillova pastaj t’u flisja për reformat që ka ndërmarrë qeveria, ngjita te xhami i dyqanit gjithë shkrimet në New York Times, The Guardian, Corriere Della Sera, ku na tregohet ne shqiptarëve sesa mirë po punon qeveria, po aha, prapë as e rruajti dhe as e qethi askush, as ai që shet gazetat..
Pastaj fillova t’u tregoj të gjithëve postimet e FB të lali €rit. Iu shpjegoja që është bërë Tirana si Vjena me pyll orbital dhe me stola te Sheshi… po aha.
Filluan me grricjet, jo janë 10 fishuar taksat, është rritur çmimi i ujit, është rritur çmimi i autobuzit, nuk ka më ajër nga 170 lejet e ndërtimit që ka dhënë, gjithë rrugët janë më të shkatërruara se s’ka vënë njeri dorë.
Madje njëri tha që lali €ri edhe pemën që del në kronikë në TV, e ka të njëjtën s’e ka ndërruar. Ka që në 2015-ën që mbjell të njëjtën pemë çdo ditë, një herë në Kashar, një herë në Vaqarr, një herë në Dajt..

Pasi mbarova këto, kur isha duke u menduar për lëvizjen e rradhës, fati më trokiti te dera. Një ditë më erdhi një komshi dhe më thotë: “Po shoh që po mundohesh të rrisësh xhiron e dyqanit. Të të tregoj njē rrugë si ta rrisësh? Ktheje nga Ushqimore në “Kurse Gjermanishte”. E ke punën e garantuar. Mua familjarisht-vetë i 5-të, na ke klientë të garantuar. Po ke dhe gjithë ata të tjerë që i di unë, se e kemi folur, që duam një kurs të mësojmë gjermanishten. Me sebep e mëson dhe ti..”
Kështu që vendosa ta kthej dyqanin në Kurse Gjermanishteje. Jam shpresë-plotë që pas kësaj lëvizjeje do të më kthehet dhe xhiroja.
Kështu që pa merak, zgjidhje më të mirë për të gjithë s’ka. Ju do merrni kuponat e munguar, njerëzit do mësojmë gjermanishten, ndërsa unë do mbledh lekët të blej një qepen hekuri që ta siguroj mirë dyqanin, se nga Gjermania s’e ruaj dot.
Gjithsesi, nëse ju vendosni të vini për kontroll pas disa muajsh, siç keni shkruar në letër, më thoni që t’ju them ku kam lënë çelsin. Vazhdoni kontrollin si në shtëpinë tuaj, vetëm kur të mbaroni, mos harroni të fikni dritat dhe të mbyllni mirë qepenin.
Me respekt
Populli

Artikulli paraprakPlani për operacionet e CIA-s në Shqipëri: Përmbysje e regjimit
Artikulli tjetër8 viktima në aksidente në pesë ditë, policia numëron sukseset