Dybala tremb Juven

Pas një “greve urie”, që zgjati një kohë të gjatë, Paulo Dybala është kthyer në një “grusht” në kampionat. Fjala është për golin e padobishëm ndaj Sampdorias, i cili nuk ishte i mjaftueshëm për të shmangur humbjen e Juventusit, tani katër pikë larg nga udhëheqësit e Seria A, Napoli. Kampioni argjentinas ka dhënë një intervistë të gjatë për “France Football”, ku foli kryesisht në lidhje me të ardhmen e tij, që nuk mund të jetë domosdoshmërisht përjetë bardhë e zi: “Unë nuk e di nëse do të qëndroj te Juventusi përjetë. Nuk mund të bëj të tilla premtime. Nuk them as që do të jetë viti im i fundit në Torino”.
“Topi i Artë” është një objektiv për të ardhmen, ndërsa Dybala shton: “Unë do të doja të luaja në të njëjtin nivel me Neymar, në të ardhmen. Për momentin, ai është më afër për ta fituar këtë trofe, duke qenë më afër Messit dhe Ronaldos. Si standard, unë duhet të punoj për t’u përmirësuar dhe të fitoj trofe”. Argjentinasi i Juventusit ka fjalë plot admirim për Leo Messin: “Unë e kam admiruar gjithmonë Ronaldinhon, por Leo është si Maradona për ata të brezit tonë. Për mua është një nder që luaj me të në ekipin kombëtar. Ai na kualifikoi në Kupën e Botës 2018 me atë tregolësh kundër Ekuadorit. Leo është një lider i lindur”.
“La Joya” kthehet mbrapa në kohë, në humbjen e finales fatkeqe të Champions-it nga Juventusi kundër Real Madridit, në Cardiff: “Ne gabuam plotësisht për herë të dytë. U ndjeva i pafuqishëm. Buffon është një legjendë, ai është i respektuar nga të gjithë. Ai është pothuajse 40 vjeç, por duket si 20”.
Gigi Buffon ka konfirmuar këtë të hënë se në fund të sezonit do të tërhiqet nga futbolli i luajtur, edhe pse këtë e bën duke lançuar një sfidë që deri më sot i ka mbetur veçse ëndërr: të fitojë Championsin.
“Me shumë mundësi do t’i jap fund pas këtij sezoni, – ka shpjeguar kapiteni i Juventusit. – Jam i qetë, nuk kam aspak frikë nga largimi prej futbollit. Thjesht jam kurioz për jetën në vijim, por nuk kam frikë t’i them lamtumirë futbollit”.
Megjithatë, një përpjekje të fundit do ta bëjë sërish, për atë që është edhe objektivi më ambicioz i bardhezinjve.
“Dua të fitoj Championsin. Edhe pse e di se këtë trofe do ta fitojë ajo skuadër që do të jetë më në formë në muajin mars. Shpresoj dhe uroj që të jetë Juventusi”, thotë legjenda e portës së “Zonjës së vjetër”.
E ardhmja? Të paktën për momentin Buffon nuk mendon as për karrierën si trajner dhe as për ndonjë post drejtuesi. Di vetëm sesi duhet të përballojë 90 minutat e fundit me fanellën e Juventusit…
“Ndeshja e fundit do të jetë njësoj si ajo e para, me një entuziazëm të madh dhe me krenari”, rrëfen Buffon.
Portieri i bardhezinjve ndihet krenar pikërisht për momentet e shkëlqyera të përjetuara gjatë karrierës së tij.
“Vitet e fundit kanë qenë shumë të suksesshëm, megjithatë nuk mundem t’i harroj vitet e Botërorit, apo mbërritjen te Juventusi pasi lash mes vuajtjesh Parmën”, thotë Gianluigi Buffon.
Numërimi mbrapsht për të sapo ka nisur, por më parë duhet të mendojë vetëm ndjekjen e ëndrrës së tij: kupa me “veshët e mëdhenj”.

Artikulli paraprakReagimi i Lippit: Ju rrëfej përplasjet me Tavecchion
Artikulli tjetërJam gati ta zëvendësoj “legjendën”