Dybala i gatshëm!

Paolo Dybala gati për Juventusin. Ankthit nëse ylli i “Zonjës së Vjetër” do të ishte apo jo i gatshëm për ndeshjen e kthimit kundër Barcelonës, i ka ardhur fundi. Sulmuesi i bardhezinjve do të jetë në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri, për transfertën e Champions League kundër blaugranave. Është vetë argjentinasi ai që e ka pohuar një gjë të tillë. 23-vjeçari u shpreh se është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës dhe se do të luajë kundër katalanasve. Pas spektaklit që dhuroi Dybala në “Juventus Stadium” ai do të kërkojë të jetë sërish protagonist edhe në “Camp Nou”. Sulmuesi pësoi një dëmtim në takimin kundër Peskarës, moment ky që përcolli panik në kampin bardhezi, por tashmë rreziku ka kaluar dhe argjentinasi është në formën e tij më të mirë fizike.
Në një intervistë të dhënë, Dybala foli dhe për rinovimin e kontratës së tij me kampionët e Italisë. Ai u shpreh se ndihet i lumtur që do të vazhdojë aventurën e tij në Torino. “Dëmtimin që pësova e kam lënë pas për fat të mirë dhe në takimin kundër Barcelonës do të jem i gatshëm. Përsa i përket rinovimit, unë pata një bisedë me drejtorin sportiv të Juventusit, Beppe Marotta dhe i thashë që do të zgjedh Juventusin pasi këtu ndihem shumë mirë dhe dua të vazhdoj të korr shumë suksese me këtë fanellë”, u shpreh Dybala.
Më pas Dybala foli dhe për kombëtaren e Argjentinës. Për sulmuesin është e paimagjinueshme që ata të mos jenë pjesë e botërorit. “Si të gjithë argjentinasit edhe unë nuk e mendoj dot që kombëatarja jonë të mos jetë pjesë e botërorit. Në disa raste fati nuk ka qenë me ne, por jam shumë i sigurt që së bashku me pjesën tjetër të shokëve të skuadrës do ta arrijmë objektivin, për të qenë pjesë e botërorit Rusi 2018”, tha ai.
Ndërkohë, Xhorxho Kielinin thotë se, me Barcelonën pritet të jetë beteja më “e përgjakshme” sipas tij. Gjiganti i mbrojtjes së Juventusit është gati për transfertën në “Kamp Nou”. Numri 3 i bardhezinjve vlerëson maksimalisht lojtarët katalanas, por në të njëjtën kohë nuk ka frikë t’u kundërpërgjigjet ashpër edhe deklaratave të fundit të trajnerit të kuqebluve, Luis Enrikes. “E dimë që në Torino kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës, por 90 minutat e mbetura do të jenë edhe më të vështira. Si mundet Barça? Për ta thënë është e thjeshtë: duhet të bllokojmë lojën e tyre, siç bëmë në ‘Juventus Stadium’, por mbi të gjitha duhet t’i shënojmë. Pa dyshim që shënimi i një goli të shpejtë nga ana jonë në ‘Kamp Nou’ do të ishte një dozë entuziazmi dhe energjie, e cila do të na shtynte që të luanim fort në këtë duel të mbetur, sepse fakt është që të shpëtosh në stadiumin e Barcelonës pa pësuar gol është diçka e pamundur”, u shpeh Kielini.
“Do të ishte gabim i madh nëse do të shkonim për t’u mbrojtur, sepse kështu do t’u jepnim mundësinë atyre që të na ‘kafshonin’ nga të gjitha anët. Në ‘Kamp Nou’, 90 minutat zgjasin më shumë se kudo tjetër, prandaj ne duhet të jemi kompaktë në fushë, duhet të shtrëngohemi mes reparteve dhe të mos frikësohemi. Ata janë si peshkaqenët që ndjekin erën e gjakut. Nëse e nuhasim se jemi të trembur, atëherë do të na jepnin goditjen përfundimtare”, tha ai.

Artikulli paraprakBarça “ngrin” Milanin: Deulofeu do të rikthehet
Artikulli tjetër280 milionë euro në total për merkaton