Dy tarifa të reja fermerëve për ujitjen dhe kullimin

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit një projektligj të ri “Për administrimin e ujitjes dhe kullimit”. Ligji i ri synon të rregullojë kompetencat në kuadër të reformës territoriale për shërbimet e ujitjes dhe me këtë rast, ka përcaktuar edhe mënyrën se si do të financohen këto shërbime. Projektligji autorizon bashkitë të shfrytëzojnë dhe mirëmbajnë infrastrukturën e ujitjes dhe të kullimit të transferuar në pronësi. Bashkitë duhet të plotësojë nevojat për ujë për ujitje, të largojnë ujin e tepërt dhe të parandalojë grumbullimin e ujit, zhvillimin e kripëzimit dhe toksifikimit.
Për të përmbushur këto detyrime, projektligji thotë se bashkitë kanë të drejtë të vendosin dy tarifa. E para, është tarifa vjetore e mirëmbajtjes së infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit dhe e dyta, tarifa e shërbimit të ujitjes. Por, bashkia shfrytëzon dhe mirëmban infrastrukturën e ujitjes, në mënyrë të tillë që çdo fermer të marrë ujë në kohën dhe sasinë e kërkuar. Bashkia mbledh tarifën vjetore të mirëmbajtjes për çdo sipërfaqe toke, brenda zonës së saj të shërbimit të ujitjes. Afati i pagesës së kësaj tarife është brenda datës 31 janar të çdo viti.
Tarifa vjetore e mirëmbajtjes i njoftohet me shkrim, zotëruesit të tokës dhe përllogaritet, duke iu referuar madhësisë së sipërfaqes së saj në përpjesëtim me madhësinë e përgjithshme të zonës së shërbimit të ujitjes. Kjo tarifë përfshin shpenzimet e mirëmbajtjes vjetore të sistemit të ujitjes, shpenzimet për përgatitjen e këtij sistemi për stinën e ardhshme të ujitjes dhe koston e pastrimit të kanaleve kulluese.
Bashkia vendos një tarifë shërbimi për çdo shpërndarje të ujit për ujitje, në bazë të kërkesës së çdo fermeri. Tarifa e shërbimit të ujitjes, llogaritet sipas sipërfaqes së ujitur dhe numrit të ujitjeve ose vëllimit të ujit të përdorur për çdo ujitje apo kohëzgjatjes së ujitjes dhe çmimit për  njësi kohe. Tarifa e shërbimit të ujitjes për njësi përllogaritet, duke iu referuar shpenzimeve për shfrytëzimin e sistemit të ujitjes dhe të shpërndarjes së ujit për ujitje, përfshirë çdo shpenzim të bërë për furnizimin e një rezerve të tillë ujore.
Tarifat vjetore e mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe tarifa e shërbimit të ujitjes miratohen nga Këshilli Bashkiak. Por ligji i ri lejon bashkitë t’u transferojnë përgjegjësitë e shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës së ujitjes organizatave brenda zonës së saj të shërbimit. Në këtë rast, tarifa vjetore e mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe tarifa e shërbimit të ujitjes mblidhet nga organizata.

Artikulli paraprakRummenigge: Vështirë se Sane mund të luante titullar
Artikulli tjetërKonkurrenca hap hetimin paraprak për tregun e sigurimeve