Dy spiunë në pranga për përgjimet

Dy agjentë të lartë të Policisë Sekrete maqedonase janë arrestuar në Selanik të Greqisë, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me akuzat për përfshirje në aferën e përgjimeve. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, ndërsa pritet konfirmim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Të arrestuarit janë, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët u kapën mbrëmë vonë, por nuk janë dhënë detaje të tjera.
Ata janë të ngarkuar me akuza për shpërdorim të detyrës dhe shkatërrimin e pajisjeve me të cilat dyshohet se janë bërë përgjimet e paligjshme. Këto akuza janë ngritur nga Prokuroria Speciale në rastin e koduar “Titanik”. Gjykata Penale tre muaj më parë u kishte caktuar atyre masën e paraburgimit, por menjëherë pas këtij vendimi ata janë arratisur në drejtim të panjohur.
Duke komentuar procedurat e mëtejme, përfshirë edhe ekstradimin e tyre, eksperti për çështje të sigurisë, Lubomir Gjurçevski tha se, tani duhen ndjekur procedurat që parashihen për ekstradim.
“Fillimisht duhet të presim që Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet ndihmës juridike Ndërkombëtare apo nga shërbimet e INTERPOL-it, të njoftohet se personat me identitetin e caktuar janë arrestuar në Selanik. Kjo me qëllim të fillimit të procedurës së vërtetimit, fillimisht të identitetit të tyre të vërtetë. Këtu përfshihen dokumentet që i posedojnë institucionet vendase dhe të dhënat për personat në fjalë. E gjithë procedura mund të zgjasë deri në 30 ditë”, tha Gjurçevski.
Veç kësaj, policia në dy ditët e fundit ka ndaluar edhe disa persona të tjerë, të përfshirë në dhunën më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë. Ata akuzohen për tentim vrasje të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Arrestimet vijnë dy ditë pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, të cilat u fituan nga partia e kryeministrit, Zoran Zaev.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se arrestimet mund të kenë lidhje edhe me zgjedhjet e fundit, pasi ato ndodhën menjëherë pas fitores së LSDM-së. Kadriu vlerëson se gjyqësori, duke e parë se më nuk është nën presionin e elementëve të qeverisë së kaluar, ka nisur të bëjë kthesë serioze në punën e tij.
“Gjyqësori nëse është në krye të detyrës, gjithmonë duhet të bëjë ndjekje penale për të gjithë kryerësit e veprës penale. Këtë gjithashtu duhet ta bëjnë edhe organet e tjera, përfshirë edhe policinë. Vlerësoj se momenti kur janë bërë arrestimet, tregon se për këtë edhe janë krijuar kushtet që personat në fjalë janë të kapshëm për organet e ndjekjes penale”, thotë Kadriu.
Sipas tij, ky zhvillim “flet për një kthesë shumë të rëndësishme në gjyqësor”.
Arrestimet e fundit që ndërlidhen me dhunën në Kuvend si dhe arrestimet në Selanik, besohet se kanë një emërues të përbashkët, aferën e përgjimeve të publikuar nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në shkurt të vitit 2015, që kishte shkaktuar krizën më të madhe politike, e cila kulmoi me protesta e tensione të shumta. Atë kohë tensionet politike ishin ngritur dukshëm, po ashtu edhe proceset gjyqësore, ndërkohë që gjendja e tensionuar sikur i kishte “shtyrë” partitë politike shqiptare të arrinin marrëveshje. Krejt këto zhvillime, patën dërguar Maqedoninë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016, kur edhe ra nga pushteti i VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit.
Ai akuzohet për përgjimin e dhjetëra mijëra qytetarëve të Maqedonisë, përfshirë edhe personalitete të shumta të jetës politike. Përmbajta e bisedave telefonike të zyrtarëve nxori në sipërfaqe ndërhyrjen e pushtetit të kaluar në gjyqësor, mashtrime zgjedhore, presione ndaj mediave, afera korruptive, e shkelje të tjera ligjore.

Artikulli paraprakSfida serioze për Kinën dhe botën
Artikulli tjetërGazetari Hoxha në lojën e Tahirit dhe avokat i krimit, po keqpërdoret nga Rama