Dy javë pas përmbytjeve, Fushë Kruja vijon të përballet me pasojat

Gati dy javë pas përmbytjeve, Fushë Kruja vijon ende të përballet me pasojat e përmbytjeve të gati dy javëve më parë. Shumë familje dhe qendra e vetme komunitare për të moshuarit në këtë qytet janë ende mes baltës, ndërsa njësia vendore thotë se, punonjësit e saj janë të angazhuar në përballimin e situatës. Ndërkohë, bizneset ende nuk i kanë larguar thasët e rërës që përdorin si barrikadë përballë vërshimit të ujit.
Shumë familje në Fushë Krujë ende nuk kanë arritur t’i lënë pas pasojat. “Është bërë e përvitshme, si modë”, thotë një banor. Famijet shprehen se uji u shkatërroi gjithçka që kishin. “Të gjitha orienditë kanë dalë jashtë përdorimit, edhe shtëpia është bërë e pabanueshme”, thotë një banore.
Ata kanë marrë ndihmë emergjente, por thonë se nuk u mjafton. “Na sollën një kuti me ndihma, thashë se mos sjellin ndonjë batanije. Nuk e di, jemi shumë keq”, thotë një banore tjetër.
Pasojat e përmbytjeve janë ende të dukshme në të gjithë qytetin. Qendra e vetme komunitare për të moshuarit në Fushë Krujë, mbizotërohet nga balta. Ata ankohen se Bashkia e qytetit nuk ka marrë asnjë masë për pastrimin e qendrës. “Është e gjitha me baltë. Do të shkoj tek Bashkia t’i them të vijnë ta pastrojnë. Është turp ta shikojë njeri”, thonë banorët.
Zyrtarë të njësisë vendore të kontaktuar për këtë shqetësim, theksuan se aktualisht janë përqendruar në ndihmë të familjeve, por ndërhyrja do të jetë e shpejtë. Edhe bizneset në zonat e rrezikuara ende nuk i kanë larguar thasët e rërës që përdorin për t’i bërë pritë ujit.

Artikulli paraprakDarëzezë, ujërat e Vjosës ende në tokat bujqësore
Artikulli tjetërPolicia dhunon futbollistët e Tiranës në Shkodër