Durrësi-Elbasani-Tirana, trekëndëshi ku varrosen plehrat nga portet italiane

Durrësi, Elbasani dhe Tirana dyshohet të jenë vendet ku mafia e plehrave ushtron aktivitetin e saj, duke asgjësuar mbetjet e Italisë. Kjo pasi në këtë trekëndësh ekzistojnë dhe landfillet më të mëdha, të cilat operojnë ose me djegie, ose me groposje. Pra, shqiptarët veç plehrave të tyre janë të dënuar prej kësaj qeverie dhe kryebashkiakëve të saj, të thithin dhe tymin apo kontaminimin që vjen nga plehrat të vendeve fqinjë. Legjislacioni shqiptar e ndalon importimin e mbetjeve qoftë për qëllime riciklimi, qoftë për asgjësim. Pra, në bazë të ligjit asnjë lloj mbetje, nuk mund të hyjë në doganat shqiptare. E vetmja mënyrë është ajo e kalimit tranzit nga Shqipëria në Maqedoni, e cila nuk ka të njëjtin legjislacion me tonin për këtë çështje. Kjo duket se është shfrytëzuar nga marifetçinjtë, jo vetëm për të shkurtuar distancat, por edhe për të shmangur taksat. Natyrisht me bekimin e qeverisë shqiptare. Gazetarët e rrjetit investigativ “BIRN” në vitin 2013, përgjatë një shkrimi investigativ do të zbulonin se firma, e cila kish marrë me koncesion landfillin e Drislës, jo vetëm nuk kishte eksperiencë në këtë drejtim dhe nuk kish bërë asnjë investim, por nuk kishte as kapacitetin për të asgjësuar plehrat e Maqedonisë dhe jo më ato që ato që vinin nga përtej detit që është vendi i saj i origjinës Italia. FCL Ambiente ka një kapacitet prej 300 mijë tonësh në vit, një kapacitet shumë më i vogël se fjala vjen ai i Manzës me 610 mijë tonë në vit apo ai i Tiranës me rreth 500 mijë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Megjithëse me një kapacitet të vogël, Drisla tashmë mund të quhet dhe depozita më e madhe e plehrave në Europë, gjë e cila ka shkaktuar jo pak shqetësim tek banorët dhe autoritetet maqedonase, qartazi të përfshirë në këtë aferë korruptive.

Investigimi

“Pianeta Italia” ka vijuar dhe ditën e djeshme me denoncimin e fakteve ku pretendon se 2400 kontenierë me nga 22 tonë secili mbetje urbane kanë hyrë në Shqipëri. Madje në dokumentet e saj jep dhe shifrën me të cilat fitohet tenderi, i cili është diku tek 80 euro për tonë për riciklimin dhe 20 euro për tonë për transportin. Kontenierët nisen rëndom nga portet e Barit dhe Gioia Tauro në Kalabri dhe si destinacion kanë Portin e Durrësit. Por “Pianeta Italia” pretendon se kostoja me të cilat fitohen tenderat (në zonën e Italisë së Jugut Ndragheta, mendohet se është fituesja kryesore e shërbimit të largimit të mbetjeve urbane) është mjaft e ulët dhe nuk i mbulon kostot e shërbimit, pra riciklim dhe transport. Oferta më e ulët bëhet me qëllim që tenderat e bashkive dhe komunave të Italisë të fitohen me doemos dhe si zgjidhje për t’i depozituar mbeten brigjet përtej Adriatikut. Legjislacioni shqiptar mesa duket nuk është pengesë për arsye, se maunet hyjnë në pikën doganore për të kaluar tranzit, por këtu qëndron dhe kleçka.  Trajlerat me mbetje kanë hyrë po nuk kanë dalë, pra del se ose janë groposur ose janë asgjësuar në vendin tonë!

Dëshmitë

Banorët që jetojnë përreth landfillit të Tiranës, por dhe ish-punëtorët e atjeshëm, të tregojnë për rastet ku automjete të rënda që nuk mbanin siglën e kompanisë që pastron Tiranën janë shkarkuar në landfillin e Sharrës. Ata nuk dinë të thonë nëse këto mjete vinin nga Italia apo ndonjë vend tjetër, por dinë të thonë se automjete të tilla të dyshimta kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të shkarkohen. Një ditë dy dhe një tjetër nga pesë në ditë. Duke pasur parasysh se si veprojnë trafikantët e këtoj lloji kemi të bëjmë me një biznes mjaft me leverdi. Një kamion ka një kosto që shkon diku tek 2500-3000 euro pa taksa dhe distanca përreth Portit të Durrësit shkurtohet mjaft. Por nuk është vetëm Tirana, mendohet se mbetje janë shkarkuar dhe në landfillet e Durrësit apo të Elbasanit, si pikat më të afërta me Portin e Durrësit. Me një logjikë të thjeshtë me anë të kësaj skeme fitojnë të gjithë. Distanca shkurtohet, me më shumë se 150 kilometra dhe kompania që ka marrë përsipër barrën për t’i asgjësuar përdor landfillet shqiptare si nënkontraktore duke marrë fitim të pastër, fitojnë kryebashkiakët, shtetarët e të gjithë të tjerët, por me një përjashtim. Në Shqipëri ndalohet importimi dhe asgjësimi i mbetjeve nga jashtë. Natyrisht e gjithë kjo skemë nuk ka se si bëhet pa miratimin e autoriteteve që kontrollojnë doganën e Durrësit, të cilët në këto raste mbyllin të dyja sytë para këtij fenomeni. Pra, kamionët kalojnë në pikën doganore, por mesa duket nuk paraqesin asnjë dokument të pikës fundore ku kanë dorëzuar mallin, ose të paktën t’i kontrollohet vula në kufirin maqedonas. Duhet theksuar se kemi të bëjmë me një biznes miliona eurosh, ku ekziston rreziku që bashkë me mbetjet urbane të kalojnë dhe mbetjet e rrezikshme dhe të depozitohen në vendin tonë.

Fuga i Ramës,  i shqetësuar pas daljes së skandalit

Por duket se shkrimi i “pianetaitalianews”, nuk i ka ardhur shumë për mbarë Endri Fugës, këshilltarit mediatik të Edi Ramës, ose njeriut që mundohet të pastrojë zullumet e tij. Me anë të një reagimi, mbështetur dhe nga mediat pro qeveritare, ai mundohet ta mbulojë këtë skandal me faktin se pronar i blogut na qenka një senator italian i dënuar për korrupsion. Por Fuga harron se kjo nuk përgënjeshtron atë që thotë, pasi blogu në fjalë ka dy ditë që nxjerr fakte mbi këtë çështje. Do të ishte më e udhës që para se Fuga i vogël të merrej me përgënjeshtrime t’i ofronte publikut shqiptar të gjitha lëvizjet e kamionëve me mbetje nga Italia drejt Maqedonisë, të regjistruara në sistemin TIMS. Pra, hyrjen, daljen në kufirin me Maqedoninë dhe më pas kthimin sërish dhe daljen nga Porti i Durrësit. Por Fuga i vogël, e di që nuk është në gjendje ta bëjë këtë dhe me të drejtë shqetësohet për fatin e shefit të tij, i cili në rast se vërtetohet skandali do të marrë pas vetes të gjithë të tjerët që i mbajnë avazin korruptiv. Ndoshta Fugën e vogël jo!

Pjesa e dytë e investigimit: Ngarkesa është konfirmuar se ka hyrë në Durrës

Është fakt se korridori me interes për eksportin e mbetjeve në atë zonë është ai që të çon në Qafë Thanë, në kufirin Shqipëri-Maqedoni dhe prej andej në landfillin e Drislla, Shkup. Ky landfill është më i madhi në Evropë. Kompania që ka marrë përsipër përpunimin e mbetjeve, ajo e sipërmarrësit Ferazzoli sigurisht që nuk do të investonte 73 milionë euro për asgjësimin e mbetjeve, dhënë nga administrata e dobët dhe pa burime të mjaftueshme. Biznesi i vërtetë, pa dyshim që të bën të mendosh se zinxhiri i eksportit nuk është vetëm nga Italia, por edhe vende të tjera evropiane. I njëjti zinxhir që tashmë është objekt i hetimit nga Antimafia në Itali, Maqedoni dhe Shqipëri. Një shembull për të gjithë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha gjatë fushatës zgjedhore se Shqipëria nuk do të bëhet asnjëherë vendgrumbullim i mbetjeve të Evropës. Por, në kundërshtim me veten e tij, më 2016 paraqiti një pr/ligj që lejonte importin e mbetjeve. Në dokumentet që ne disponojmë, kontenierët do të niseshin nga Italia me destinacion Maqedoninë, tranzit në Shqipëri sipas rregullores EC nr. 1013/2016. Nëse sot autoritetet shqiptare ndalojnë transitin e mbetjeve të huaja në territorin e tyre kurse autoritetet maqedonase heqin dorë nga fitimet e landfillit të Drislla në vend që të hapin dyert për mbeturinat italiane, është e qartë se diçka ka ndryshuar. Dhe kjo “diçka” ka ndikuar në veprimin e trafikantëve të mbeturinave. Ku janë tani 1300 kontenierë të zhdukur? Ato mund të verifikohen vetëm nëse autoritetet do të vazhdojnë hetimin. Do të presim.

Parlamenti italian nis hetimet për futjen e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri

“Ka ende një trafik të lëndëve të rrezikshme drejt vendeve të huaja? Sigurisht, por është shumë ndryshe nga ai i viteve 1980-‘90. Atëherë kjo gjë bëhej nga ‘Zotërit e luftërave’ drejt Somalisë ose Lindjes së Afërme, duke i këmbyer me armë ose ndihma. Ne jemi duke hetuar në ato trafiqe, por edhe në këto të sotmet”. Kështu ka shpjeguar në një intervistë për “Avvenire.it”, Alessandro Bratti, kreu i komisionit parlamentar për hetimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me trafikun e mbetjeve nga Italia në drejtim të vendeve të tjera. “Në radarin tonë ne kemi disa çështje për të hedhur dritë në të shkuarën dhe të tashmen, e duke zbuluar e zbardhur dokumente të reja në lidhje me trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme”, ka thënë Bratti. Duke folur për gazetën e njohur italiane, parlamentari shpjegon se ka pasur probleme me mbetjet italiane që janë trafikuar jashtë vendit. “Mbetjet italiane dërgohen nëpër vende të ndryshme, si në Gjermani, Austri, por më pas nisën dyshimet se plehrat që dërgoheshin atje, nuk ishin ato që deklaroheshin. Përderisa në Gjermani dhe Austri respektohen ligjet e vendeve ku dërgohen mbetjet e Italisë, ka shumë dyshime se në vende si Portugalia, Rumania, Bullgaria, Shqipëria, Kroacia e Maroku kjo gjë nuk ndodh”, është shprehur Alessandro Bratti për “Avvenire” në janar të këtij viti. Më pas, Bratti shprehet se deri pak vite më parë, Interpoli nuk i hetonte shumë krimet e ambientit, por në 4-5 vitet e fundit ky lloj krimi ka njohur një zgjerim të pabesueshëm. Italia ka një njohje të hershme me këto krime dhe për këtë ka bërë hetime, por vendet e tjera nuk janë shumë imune ndaj këtij lloj krimi.

“Syri.net”

Artikulli paraprakTrump para Kongresit: Fund epidemisë së drogës
Artikulli tjetërZgjedhja e komisioneve të vettingut në duart e Beqes