Durrës, banorët e ish-Kënetës ndjehen të harruar

Në 20 vitet e fundit zona e ish-Kënetës në Durrës nuk ka njohur asnjë investim, duke bërë që banorët e zonës të ndjehen të harruar nga pushteti lokal edhe pse thonë se paguajnë taksat si qytetarë normalë. Më dramatike janë kushtet e personave me aftësi të kufizuara që janë izoluar në shtëpi, për shkak se nuk kalojnë dot në rrugët e pashtruara. Banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës thonë se pushteti lokal po i injoron, ashtu si ka bërë edhe 20 vitet e fundit duke i lënë në kushte të vështira jetese, edhe pse ata paguajnë rregullisht taksat dhe detyrimet e tjera. Banorët thonë se rrugët e shkatërruara,  plehrat e papastruara dhe kanali i hapur i ujërave të zeza që përshkon përmes banesave të tyre po ua bëjnë jetën të pajetueshme. Banorë: “Çdo gjë këtu është një katastrofë, erë e keqe, muskonja, shumë plehra. Sa del në mëngjes vjen aroma e ujërave të zeza. Kjo ka vite dhe ne presim pasi na kanë dhënë shumë premtime dhe kemi shpresa. Sivjet kanë filluar pastrimet e dy kanaleve kryesore. Për shkak të këtyre kushteve, personat me aftësi të kufizuara gjenden të izoluar, pasi e kanë të pamundur të kalojnë nëpër rrugët e lagjeve”. Personi me aftësi të kufizuar: “Kanalizimet, rrugët, plehrat, gjithçka është problem për ne. Është shumë e vështirë jetesa këtu, por s’kemi çfarë të bëjmë. Prej më shumë se 20 vitesh, në këtë zonë nuk është kryer asnjë investim. Me afrimin e verës, emergjente bëhet problemi i kanalit të hapur të ujërave të zeza që kthehet në burim sëmundjesh”.

Artikulli paraprak500 studentë të masterit me status të veçantë në Fakultetin Ekonomik kanë firmosur një peticion drejtuar Kryeministrit Rama dhe ministres së Arsimit, Mirela Karabina ku kërkojnë mbështetjen nga qeveria për përgjysmimin e tarifës së studimeve. Këta studentë që janë fëmijë të prindërve invalidë, fëmijë me status jetim, romë dhe egjiptianë, vitet e mëparshme akademike janë mbështetur nga qeveria në bazë të vendimit 269 në masën 50% të pagesës, por për këtë vit janë përjashtuar nga kjo politikë sociale. Në shkresën e firmosur nga ata kërkohet reagimi i institucioneve për të gjetur zgjidhjen e problematikës që do t’i ndihmonte ata të vijonin studimet e nivelit të dytë.
Artikulli tjetërMësuesit humbasin një pjesë të kompensimit për distancë