Duma: Njerëzit po vdesin nga i ftohti, Rama 530 milionë për kondicionerë

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Duma denoncoi dje paaftësinë e Ramës për të zgjidhur emergjencat që kanë qytetarët në këto ditë të një të ftohti të acartë në Shqipëri. Ajo kujtoi se Kryeministria është shndërruar në një pallat argëtimi dhe se shifra e fundit tregon për 537 milionë lekë që Rama do t’i përdorë për ngrohjen e Kryeministrisë.
“537 milionë lekë do të harxhojë Edi Rama për ngrohjen e tij në Kryeministri, këtë vit. Në fakt, këto 537 milionë lekë janë vetëm një pjesë e vogël e mbi 13 miliardë lekë që Edi Rama do të shpenzojë për vete dhe godinën e Kryeministrisë, të cilën e ka kthyer në pallat argëtimi.
Prioriteti kryesor i Edi Ramës është luksi për vete. Mirëqenia e njerëzve nuk ka rëndësi për të. Prandaj shkollat nuk kanë ngrohje dhe janë mbyllur, sepse Edi Rama harxhon për ngrohjen e zyrës së tij më shumë se për ngrohjen e të gjitha shkollave të Shqipërisë.
Prandaj, njerëzit po vdesin nga të ftohtit, sepse Edi Rama është ngrohtë në zyrën e tij. Ndërsa pushteti lokal mezi po përballon situatën me burimet e veta, Edi Rama jep shfaqje me shtab emergjence nga zyra e tij e ngrohtë. Ndërkohë, njerëzit po e përballojnë vetë të ftohtit, po përballojnë vetë koston e mbajtjes së fëmijëve në shtëpi dhe mbajtjes ngrohtë të shtëpive për fëmijët.
Edi Rama nuk mendon për njerëzit ndaj, së bashku duhet ta ndryshojmë qeverinë nga qeveri e Edi Ramës në qeveri të njerëzve.
Nga raportimet e qytetarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, mësohet se vazhdojnë të jenë të izoluara dhjetëra fshatra, në Dibër, në Tropojë, në Has, në Pukë, në Malësinë e Madhe, në Shkodër, në Kukës.
Qeveria nuk është e pranishme me ndihma ushqimore apo me medikamente në asnjë familje në zonat e izoluara dhe pa drita prej dy ditësh.
Moti i acartë konfirmon paaftësinë e qeverisë së Edi Ramës për t’u përballur me realitetin. Por emergjenca ka nxjerrë në pah edhe një skandal tjetër tronditës. Shumica e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve që janë të deputetëve të mazhorancës dhe qeveritarëve kanë marrë paratë, por këto dy ditë nuk janë shfaqur asnjë minutë, as për të hedhur një lopatë me kripë apo skorje”.

Redin HAFIZI

Artikulli paraprakPS kundër teknologjisë në votim
Artikulli tjetërSekuestrohet në Leçe 700 kg drogë me vlerë 4 milionë euro