Duka: Tramezzani, kandidat

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka pothuajse nuk lëvizi një qerpik ndërsa De Biasi lexonte letrën e lamtumirës nga kombëtarja. Largimin e mundshëm e kishin diskutuar edhe më parë, ndërsa në mbrëmjen mes të martës dhe së mërkurës trajneri i kishte dhënë edhe argumentet që e bindën të pranonte mbylljen e bashkëpunimit.
“Deklarimi i trajnerit që tha se ka vendosur të mos e vazhdojë kontratën pas këtij edicioni personalisht më surprizoi që u dha dje (të martën), por jo vendimi. Ka qenë një diskutim i përbashkët i imi dhe trajnerit. Sipas trajnerit cikli i tij ka mbaruar, por kjo nuk është bindja ime. Duke qenë se ky njoftim u dha, menduam bashkërisht që trajneri ta bëjë zyrtare. Dua të falënderoj trajnerin për kontributin në ekipin kombëtar, në futbollin shqiptar dhe në të gjithë punën e FSHF. Jam jo i qetë, i emocionuar, sepse kemi kaluar 5 vite punë. Pesë vjet që i kanë patur të gjitha, shumë emocione, por edhe debate. Por, mbi të gjitha me një sukses të pazakontë, që do të lejë shenjë në jetën time, si një nga sukseset më të mëdha që kemi arritur falë punës, angazhimit dhe asaj që injektoi Gianni. Kur emëruam zotin De Biasi në krye të kombëtares, edhe pse kishim disa alternativa, besuam se do të arrinim diçka. Sot edhe pse jo një ditë normale dhe jo e mirë, sepse ndahemi nga një bashkëpunëtor, por ndahemi me bindje pozitive sepse bëmë mirë dhe bëmë zgjidhjen e duhur. Edhe pse nuk e mendoj si trajneri se cikli i tij ka përfunduar”, u shpreh Duka.
Presidenti i FSHF-së argumentoi edhe faktin përse nuk kishte dhënë sinjale për rinovimin e kontratës, duke vendosur në radhë të parë interesin e ekipit kombëtar.
“Edhe pse nuk kam thënë asgjë se kontrata duhet të vazhdojë, duke menduar se gjithmonë negociatat për kontratë dëmtojnë qëllimin kryesor, ekipin kombëtar. Është e njëjta sjellje që kemi bërë gjithmonë dhe jo vetëm në këtë rast. Në asnjë moment nuk kam menduar që të mos vazhdonim më tej. De Biasi është trajneri më i mirë i kombëtares shqiptare, më i miri deri më sot. Për sukseset e arritura dua ta falënderoj. Nga pikëpamja umane dhe miqësore nuk kemi humbur asgjë, sepse do të vijojmë të jemi miq. Madje nga sot e tutje do të jemi edhe më tepër miq. Prej ditës së konferencës së trajnerit kam qenë i emocionuar. Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies nuk ka qenë i konsoliduar, përkundrazi mendonim të shikonim së bashku drejt së ardhmes”, tha ai.
Një përqafim për të konfirmuar marrëdhënien e shkëlqyer që ekziston me zotin Duka, që garanton se largimi i trajnerit De Biasi nuk lidhet me oferta të tjera. “Pas Luksemburgut nuk e mendova atë që mendoi trajneri për largimin. Nuk kam gjykuar asnjëherë vetëm bazuar në një rezultat. Trajneri për të mirën e ekipit mendon të largohet menjëherë. Nuk ka oferta, por trajneri mendon që pasardhësi i tij duhet të ketë kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur drejt kualifikueseve të vitit 2020. E njoh shumë mirë De Biasin dhe nëse do të kishte një ofertë do të më thoshte. Ia kam thënë trajnerit që FSHF nuk do ta cenonte asnjëherë karrierën e tij si trajner”, tha Duka.
Federata e Futbollit do të nisë menjëherë studimin e strategjive për të ardhmen dhe misionin e gjetjes së një trajneri të ri. Asnjë alternativë nuk është e përjashtuar. Nga trajnerët shqiptarë dhe deri te ish-asistenti i De Biasit, Paolo Tramezzani.
“Nuk kam menduar asgjë për emra konkretë për trajnerin e ri. Nga sot do të nisë kjo punë. Opsioni shqiptar? Nuk e kam mbyllur asnjëherë këtë mundësi. E rëndësishme është që kombëtarja të ketë një trajner të mirë. Kurrë mos thuaj kurrë. Tramezzani mund të jetë një alternativë, një njeri që e njeh Shqipërinë. Përsa i takon De Biasit, për aq kohë sa marrëdhëniet njerëzore vazhdojnë, përse mos na japë ndonjë mendim”, përfundoi Duka.

Artikulli paraprakKoalicion paszgjedhor apo sërish në zgjedhje të reja?
Artikulli tjetërAndi Lila me lot në sy: Faleminderit De Biasi