Duhen djegur

Edison Ypi

Faqezinjtë zhurmëmëdhenj që mbrojnë simbolet diktatoriale janë një pikë uji në oqeanin e shqiptarëve, të cilëve diktatori dhe diktatura u nxiu jetët. Krahu tjetër i politikës, pjesa tjetër e elektoratit, të vuajturit, që janë të shumtët, i kanë simbolet e tyre. Jo me qelq dhe mermer. Jo në qendër të Tiranës. I kanë larg. Mes maleve ku ishin burgjet.
Brenda gropave dhe hendeqeve ku u hodhën kufomat e të pushkatuarve. Duhet bërë drejtësi. Duhet vendosur ekuilibër. Simbolet e krimit, ato qelbje, ato ndyrësira, ato qelbësira, duhen pastruar, ato sëmundje duhen shëruar. E para gjë që duhet bërë është të digjet varri me lugat brenda, piramida. Meqë është e madhe, dhe për më tepër bosh, brenda piramidës të futen për t’u djegur edhe disa gjëra të tjera.
Të gjinden ku janë e ku s’janë të gjithë minjtë e shitur mediatikë, nostalgjikët politikë, delirantët e zhumshëm, snobat sterilë e të përçudnuar, sahan dhe sahat lëpirësit e ndyrë, manipulatorët e interesave, llafazanët e gazetave dhe ekraneve, dhe të futen në piramidë. Bashkë me ta, brenda piramidës të futen të gjitha simbolet e tjera të krimit komunist.
Bustet dhe statuetat e diktatorit, edhe të blihen po të jetë nevoja. Të rrasen aty brenda edhe këllirat e tjera. E para nga të tëra vrromat, mozaiku mbi muze. Për shkak të përmasave, mozaiku së pari duhet shkallmuar, pastaj të futet brenda. Me shkallmimin e mozaikut duhet bërë kujdes se me të dëgjuar kazmën e parë, simbolet e llumit shqiptaresk atje lart, mund të nuhasin që u erdhi fundi, të tremben, dhe të zbresin një nga një fshehtas dhe ec e gjeji proletarët e ndyrë në ç‘vrima janë futur.
Pas futjes në varr të mozaikut, të mblidhen të gjitha soc-skulpturat; ato që evokojnë djersën nëpër fusha, pionierët që mbledhin kallëza, minatorët me çizme nëpër galerira, punëtorët pararojë me muskuj dhe shpatulla të gjëra, dhe të gjitha të vjellat e tjera të kësaj natyre. Nëse autorët e këtyre lëtyrave do nisin të llapin, t’u thuhet; Cilën nga të dyja doni brenda? Veprën apo veten? dhe të veprohet sipas përgjigjes. Pastaj të shkulen nga muret, të mblidhen dhe të futen brenda në piramidë qindra tabelat me emra rrugësh vrasësish në mbarë Shqipërinë. Kush do të merret me këtë punë të paralajmërohet të marri masa të mos luajë mendsh nga lumturia.
Një rrugë e disa punë, të kalohen në sirë mediat; gazetat pa lexues, televizionet pa shikues, radiot pa dëgjues, bisedat kot, kronikat pa thelb, humoret pa kripë, rubrikat kot, reportazhet bosh, prezantuesit pa talent dhe pa moral, edhe këto të rrasen brenda piramidës. Deputetëve që ndërrojnë krahun politik gjatë mandatit, t’u thuhet; E keni vendin aty brenda ku pas pak do të bëhet hataja. Do zini mënt, apo t’ju fusim këtu brenda? Pas pyetjes, fati i tyre do varet nga përgjigja e secilit. Hedhja në erë me dinamit me zhurmë, pluhur e tym, nuk duket variant i bukur.
Duhet gjetur mënyrë tjetër që mund të jetë, për shembull, përmbysja dhe fundosja e piramidës aty ku është, pra shndrrimi i piramidës në një varr të varrosur. Pavarësisht sa e mundur do ishte nga ana teknike, s’duket keq në pikëpamje estetike, dhe do t’u pëlqente goxha ëndërrtarëve. Por vetëm atyre. Sepse del një tjetër problem; afërsia e frikshme e nëndheshme mund të mos kënaqë të tjerë që preferojnë largim, hedhje, flakje të kolerës.
Mënyrën tjetër na e jep përvoja shumë shekullore popullore, e cila përvojë lugatin e djeg dhe varrit i vë zjarrin. Kjo po. Duke pasur brenda edhe efektshmërinë edhe emocionin, me siguri do ta kënaqi shumicën. Prandaj të veprohet kështu; Pasi të jenë bërë të gjitha përgatitjet dhe varri i lugatit të tmerrit të jetë mbuluar me shkarpa, për t’ia vënë flakën, do pritet një e Xhuma’ mbrëma kur dihet se lugati fle. Zjarrit që do vazhdojë shtatë ditë e shtatë net’ mes brohorimash popullore të pa përmbajtura, shkrepsen do t’ia vërë i pari fëmijë që do kalojë andejpari. Fjalimin historik do ta buçasi Doktori.

Artikulli paraprakNga financa në Elysee
Artikulli tjetërHahn i përgjigjet Ramës: Nuk i bën dot presion BE