Duan të rikthejnë Spaçin

Në bazë të ofertës së bërë, kemi zgjedhur në mënyrë transparente modelin e vendeve të rezervuara si modeli më i thjeshtë, më i qartë, më funksional që garanton më shumë se kushdo moskapjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë
PD zgjodhi modelin e paraqitur nga OPDAT dhe EURALIUS ku dy anëtarët jo gjyqtarë ose jo prokurorë zgjidhen nga propozime profesionistësh të përzgjedhura nga partitë e mazhorancës dhe dy kandidatura do të zgjidhen nga partitë e opozitës, dhe anëtari i pestë i cili zgjidhet nga shoqëria civile me shumicë prej 3/5 nga Parlamenti
Komunikimi që tregon se modeli i vendeve të rezervuara u propozua nga ndërkombëtarët
Nënkryetari i Komisionit të Drejtësisë, Oerd Bylykbashi zbardhi dje komunikimin e ekspertëve të Partisë Demokratike me ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS në lidhje me Reformën në Drejtësi, të cilat dëshmojnë se modeli i vendeve të rezervuara i mbështetur nga Partia Demokratike është propozuar nga ndërkombëtarët. “Sot jemi para jush për të bërë transparencë mbi një numër faktesh, të cilat faktojnë katërcipërisht fleksibilitetin e plotë të Partisë Demokratike ndaj gjithë procesit të negociimit, diskutimeve dhe dialogut jo vetëm me palët politike, por mbi të gjitha edhe me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me paketën kushtetuese të ndryshimeve për sistemin e drejtësisë. Gjatë këtij procesi kemi pasur zhvillime, të cilat na kanë çuar deri në pikën fundore, ku në këto momente e vetmja pikë që na ndan është çështja themelore që garanton moskapjen e sistemit të drejtësisë, që është modeli me të cilin do të emërohen zyrtarët më të lartë të sistemit të drejtësisë. Sot, ne do t’iu paraqesim një numër faktesh dhe provash që dëshmojnë qëndrimin fleksibël të PD mbi bazën e propozimeve të bëra nga partnerët ndërkombëtarë OPDAT dhe EURALIUS dhe së fundmi edhe nga Komisioni i Venecias” tha Bylykbashi. Nënkryetari i Komisionit të Drejtësisë publikoi një email të datës 10 shkurt 2016, përmes të të cilit OPDAT dhe EURALIUS i paraqiste opozitës disa opsione në lidhje me emërimin e drejtuesve të lartë të sistemit të drejtësisë. Mes opsioneve të paraqitura, PD zgjodhi modelin e paraqitur nga OPDAT dhe EURALIUS ku dy anëtarët jo gjyqtarë ose jo prokurorë zgjidhen nga propozime profesionistësh të përzgjedhura nga partitë e mazhorancës dhe dy kandidatura do të zgjidhen nga partitë e opozitës, dhe anëtari i pestë i cili zgjidhet nga shoqëria civile me shumicë prej 3/5 nga Parlamenti. “Këtu kemi një e-mail të datës 10 shkurt që është e-mail-i me të cilin na janë paraqitur ne opozitës, qoftë në nivelin politik, qoftë në nivel ekspertësh, një numër zgjidhjesh, propozimesh nga OPDAT dhe EURALIUS, në lidhje me modelin e emërimit të zyrtarëve të lartë në sistemin e drejtësisë. Janë një numër alternativash, që përfshijnë ndër to edhe modelin e vendeve të rezervuara. Me propozimin e partnerëve ndërkombëtarë na u dha mundësia që ne të përzgjidhnim një prej këtyre modeleve, ai që garantonte më së miri, atë që kërkonte Komisioni i Venecias që në dhjetor, përfshirjen substanciale të opozitës në procesin e emërimit të këtyre zyrtarëve dhe përfaqësimin e opozitës në organet kolegjiale në sistemin e drejtësisë. Midis modeleve të paraqitur nga ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it dhe të mbështetura edhe nga nivelet politike të partnerëve ndërkombëtarë ajo që zgjodhi PD ishte pikërisht modeli i vendeve të rezervuara, me modelin ku dy anëtarët jo gjyqtarë ose jo prokurorë zgjidhen nga propozime profesionistësh të përzgjedhura nga partitë e mazhorancës dhe dy kandidatura do të zgjidhen nga partitë e opozitës dhe anëtari i pestë, i cili zgjidhet nga shoqëria civile do të zgjidhet me shumicë prej 3/5 nga Parlamenti për të garantuar konsensusin maksimal” tha Bylykbashi. Ai bëri të ditur se ky është propozimi i bërë në datën 10 shkurt nga këta partnerë dhe në datën 27 shkurt nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Eduard Halimi, në një përgjigje zyrtare mbi këtë propozim i përgjigjet OPDAT-it dhe EURALIUS-it duke zgjedhur në mënyrë specifike modelin e vendeve të rezervuara atë që ju paraqitëm më përpara, duke iu thënë që ky ishte modeli më i përshtatshëm, modeli më i thjeshtë, ai që garantonte përfshirjen substanciale dhe përfaqësimin e opozitës në organet e sistemit të drejtësisë dhe ishte sistemi më i thjeshtë dhe më pak i komplikuar dhe më pak i korruptueshëm. Më pas, Bylykbashi tha se këto propozime “kanë vijuar me raportin final të Komisionit të Venecias, i cili në mënyrë shumë specifike përcakton e zezë me të bardhë në paragrafin 17, në footnote nr. 4, ku thuhet që: kandidatët që do të përzgjidhen nga lista e kandidatëve të mazhorancës dhe lista e kandidatëve të opozitës, nga kjo listë e kandidatëve të mazhorancës do të përzgjidhen 3 dhe nga lista e kandidatëve të opozitës do të përzgjidhen dy. E shkruar e zezë mbi të bardhë, propozim i Komisionit të Venecias si një nga modelet për zgjidhjen e kësaj çështjeje thelbësore që garanton moskapjen e organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca qeverisëse. Në paragrafin 88, gjithashtu të këtij raporti, në mënyrë specifike konsakrohet nga Komisioni i Venecias nevoja që të garantohet përfaqësimi i opozitës në këto organe kolegjiale”. Në vijim të gjithë kësaj, Bylykbashi bëri të se në datën 21 prill, pra pas daljes së raportit të Komisionit të Venecias, ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT-it dhe EURALIUS-it bëjnë një komunikim të fundit me ekspertët e PD duke përcaktuar qartë se të vetmet propozime që ata kanë janë 2; njëri është i vendeve të rezervuara, i përzgjedhur nga Partia Demokratike, si dhe një sistem proporcional votimi kompleks me potencial të madh bllokimi dhe i korruptueshëm, i përzgjedhur nga mazhoranca dhe aleatët e saj. Opozita mbështeti modelin e vendeve të rezervuara, pra të moskapjes së organeve kolegjiale të drejtësisë. “Këto janë komunikimet elektronike të Partisë Demokratike me partnerët ndërkombëtarë për propozime që më pas janë të reflektuara në raportin e Komisionit të Venecias. Në bazë të ofertës së bërë, kemi zgjedhur në mënyrë transparente modelin e vendeve të rezervuara si modeli më i thjeshtë, më i qartë, më funksional që garanton më shumë se kushdo moskapjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë. E kemi komunikuar këtë në mënyrë transparente e në mënyrë të vazhdueshme që nga shkurti i këtij viti dhe pikërisht mbi bazën e këtij qëndrimi të bërë publik nga PD, ka vazhduar edhe negociimi” tha Bylykbashi.

A mund të jetë PD më fleksibël se të miratojë draftin e partnerëve por jo të Ramës?

Refuzimi i Kryeministrit Rama në lidhje me vendet e rezervuara me qëllim kapjen e drejtësisë po çon reformën drejt dështimit. PD është shprehur e gatshme për të miratuar draftin e partnerëve ndërkombëtarë sipas propozimeve të bëra nga OPDAT dhe EURALIUS. “Siç e bëri të qartë edhe në përfundim të takimit të datës 6 qershor, kryetari i Partisë Demokratike, çështja e modelit për emërimin e funksionarëve të organeve kolegjiale në sistemin e drejtësisë është çështja e fundit dhe e vetme që ndan palët për të përmbyllur me sukses paketën e ndryshimeve kushtetuese edhe për ta bërë gati atë për votim në Parlament. Edhe në takimin e datës 6 qershor ne kemi bërë në mënyrë të detajuar, transparente, gjatë atij takimi, propozimet tona konkrete duke detajuar modelin e vendeve të rezervuara, model i cili nuk gjeti asnjë kundërshtim principial, por ashtu siç ju e dini, Kryeministri doli më pas me një deklaratë të shkruar e të përgatitur më përpara, duke thënë që takimi dështoi. Edhe pse opozita fare qartë tregoi gatishmërinë për të vazhduar dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë që garantonte maksimalisht moskapjen nga mazhoranca kurdoqoftë të organeve kolegjiale” tha Bylykbashi. Ai  theksoi se këto fakte vërtetojnë edhe një herë fleksibilitetin maksimal të Partisë Demokratike, e cila në procesin e dialogut dhe të konsensusit ka bërë hapat e saj përpara për të gjetur pikat e takimit, të gjitha çështjet e tjera tashmë edhe me negociimin e partnerëve ndërkombëtarë të mund të konsiderohen të zgjidhura dhe e vetmja çështje është kjo. “Është shumë e thjeshtë, fare e qartë, që i vetmi që e pengon zgjidhjen përfundimtare është Kryeministri, i cili nëse vendos të zgjedhë, jo modelin e propozuar nga PD, por modelin e propozuar nga Komisioni i Venecias, OPDAT-it dhe EURALIUS, i vë vulën përfundimtare zgjidhjes dhe përgatitjes për aprovim të paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi. E gjitha mbetet në vullnetin e Kryeministrit për të qenë vullnetmirë e për ta mbyllur këtë proces dhe jo për të ndjekur rrugën demagogjike për ta çuar Reformën në Drejtësi drejt dështimit nëpërmjet një zgjidhjeje që siç e propozon, ai garanton kapjen e plotë të organeve kolegjiale nga ai. Këto e-mail-e dhe prova do t’u vihen në dispozicion dhe do të jenë publike në websitin e PD për të qenë të aksesueshme dhe plotësisht transparente për të gjithë publikun” tha Bylykbashi.

A.Shahini

Artikulli paraprakPërsëri luftë në Elbasan, krimi bën ligjin
Artikulli tjetërVeliaj rikthen kioskat për llogari të mikut të tij