Drogë dhe armë nga Shqipëria në Itali, arrestohen dy shqiptarë në Romë

Dy shqiptarë janë arrestuar nga Policia e Romës, pasi janë kapur me armë, drogë e dokumenta false. Arrestimi është bërë në periferi të kryeqytetit italian, në rrugën “Baralli”, ku dy shqiptarët braktisën makinën dhe u larguan menjëherë, pasi panë policinë. Të ndaluar pas një ndjekje të shkurtër, kontrolli u zbuloi dokumentet false, 2.7 gramë hashash, 4.32 gramë marijuanë e 6 gramë kokainë.
Kontrolli në banesën e njërit prej tyre zbuloi një pistoletë Beretta kalibër 9, model 84 F, një pushkë gjahu Beretta kalibër 12, model S55B, si dhe municionin përkatës për të dyja. Armët rezultonin të vjedhura në dy episode të ndryshëm pak muaj më parë.
Të arrestuarit do të përballen me akuzat e zotërimit të drogës, mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mbajtjen e dokumentave false.

Shqiptari kapet me 1 kg kokainë në Itali
Karabinierët e Bagnolo Mellas në provincën e Breshias kanë arrestuar në flagrancë, duke shitur kokainë, një shqiptar 65-vjeçar, i papunë dhe me precedentë. Shqiptari ishte i njohur për kronikën dhe karabinierët e stacionit lokal për krimet e shfrytëzimit të prostitucionit, shitje kokaine, dëmtim personi dhe mbajtje armësh në vende publike, të gjitha të kryera në fillim të viteve 2000 që i sollën një dënim prej dhjetë vjetësh, vendosur përfundimisht më 2007.
Pasi lau borxhin me drejtësinë, ai u kthye në Bagnolo Mella dhe fillimisht u përpoq të jetonte në mënyrë të ndershme. Por duke qenë se ishte i vendosur mirë brenda botës së shpërndarjes së drogës, nuk iu desh shumë që të fitonte sërish besimin e furnizuesve të narkotikëve dhe rinisi të shiste sasi të mëdha kokaine.
Të shtunën në mbrëmje, karabinierët i shkuan në shtëpi, ku gjetën 1 kilogramë kokainë të pastër, 16500 euro dhe një pistoletë. Kokaina ishte e pandarë në doza dhe në rrugë do të shitej për mbi 100 mijë euro. Shqiptari u dërgua direkt në qeli, ku iu komunikua edhe masa e sigurisë arrest me burg.

Artikulli paraprak1.8 milionë paund të pastruara në bankat britanike nga bandat shqiptare
Artikulli tjetërShtyhet sërish gjyqi për Alket Hatinë