Drita që duhet të shohim në hyrje të tunelit

Sokol Gjoni

Protesta e banorëve të Kukësit në hyrje të tunelit të Kalimashit, e nxitur nga taksimi që iu bë “Rrugës së Kombit”, përveçse një shkundje e rehatisë, me të cilën Edi Rama mendonte të qeveriste pa pyetur qytetarët për vendimmarrje që cënojnë rëndë interesat e tyre, është dhe një ogur i mirë për diskursin politik të vendit.
I shpërfaqur në disekulibër me standardet e demokracisë dhe me një disbalancë arrogante me institucionet kushtetuese, Edi Rama, ia kishte arritur të ravijëzohej si një kryeministër prepotent, që shpërfill çdo gjë dhe gjithçka në përmbushje të synimeve të tij.
Manifestimi qytetar dhe reagimi demokratik i banorëve të Kukësit, vuri në pozita dihatëse kryeministrin e vendit, i cili nën efektin e përllogaritjeve të gabuara të optikës së situatës, nxitoi t’i konsideronte barbarë.
Tashmë, kur ngjarjet kanë eskaluar në trajektore përplasjesh dhe konfrontimesh, dhe revolta qytetare pritet të shtrihet anëkënd Shqipërisë, opozita e vendit duhet të kanalizojë energjitë e saj dhe të marrë përsipër rolin e udhëheqjes së shqiptarëve drejt largimit sa më parë të kësaj qeverie të zhytur në batakun e krimit, të drogës dhe të korrupsionit.

Gjuha e përdorur nga kryeministri së fundi, ndaj qytetarëve të tij, me cilësime dhe perifrazime të padenja, janë sosja e durimit dhe rruga e pakthimtë e shqiptarëve, në betejën e fateve të kombit, ku nuk mund të ketë asnjë mëdyshje tjetër përveçse largimin e Edi Ramës dhe të shpurës së tij qeverisëse.
Të zhuritur, të zhvatur dhe të nëpërkëmbur nga politikat ekonomike klienteliste të qeverisë, qytetarët shqiptarë nuk mund të presin pafundësisht eksperimente qeverisëse, të cilat po e rrëzhitin jetën e qytetarit dhe po e bjerrin perspektivën e tij.
Kukësi, ishte kushtrimi që u lëshua ortekshëm nga Alpet dhe si një jehonë do të përcillet shesheve të vendit për të kumbuar me lëvizjen e shpresës dhe të besimit qytetar.
Aty, te tuneli i Kalimashit, u ngjiz një lëvizje shpresëdhënëse, një barrikadë qytetare ndaj babëzitjes qeveritare, një fanar që i jep shkëndija ndriçuese reagimit mbarëpopullor.
Le të shërbejë ky tunel, dhe porta e tij hyrëse si një konvencion dantesk për ferrin e Edi Ramës, nëse ai nuk e lexon siç duhet mesazhin mbarëpopullor të lëshuar në trajtën “Njih veveten” dhe Largohu!

Artikulli paraprakPse u zgjodh Kukësi
Artikulli tjetërKronologjia e një revolte