Drejtori i Policisë së Gjirokastrës aksidentoi kalimtarin dhe u largua

Aksidenti në Memaliaj, ku mbeti i plagosur 59-vjeçari Axhem Mërtiri është kryer nga drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Lorenc Panganika. Për këtë ngjarje të rëndë reagoi dje edhe Partia Demokratike. Në një njoftim për mediat, deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj bën të ditur se, “Panganika është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë as ndihmën e nevojshme qytetarit, por tashmë po tenton të manipulojë ngjarjen”. Sipas Alibeajt, drejtori i policisë e rregulloi makinën në servis pas aksidentit, duke tentuar të mbyllë çështjen.
“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër. Drejtori i Policisë, Lorenc Paganika ka aksidentuar një kalimtar në Memaliaj dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë as ndihmën e nevojshme qytetarit, por tashmë po tenton të manipulojë ngjarjen. Fatmirësisht qytetari i aksidentuar është jashtë rrezikut për jetën. Makina e tij pësoi dëmtime nga aksidenti, por drejtori nxitoi që ta rregullojë dhe ka lejuar ekspertimin nga grupi hetimor vetëm pasi makina ka dalë nga servisi, duke tentuar të mbyllë çështjen”, deklaroi Alibeaj.
Alibeaj tha më tej se, kjo ngjarje, e gjitha e filmuar, tregon sjelljen e paprecedent të kreut të policisë së një qarku. Sjellja e këtij kryepolici vërteton gjendjen e Policisë së Shtetit, ku shefat e saj janë mbi ligjin dhe nuk ka asgjë të përbashkët me qindra oficerë të tjerë të ndershëm të Policisë së Shtetit. “Kjo është e vërteta. Policia ka kapitulluar përballë krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe nuk garanton dot sigurinë e qytetarëve. Ky është realiteti i qeverisë së Edi Ramës, me krimin që zotëron vendin, me drogën që blen zgjedhjet, me kryepolicë që nuk duan t’ia dinë për ligjin”, përfundoi Alibeaj.

Publikimi i videos

Televizioni “OraNews” publikoi dje videon e aksidentit të ndodhur pak ditë më parë pranë fshatit Krahës, ku është përfshirë edhe drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Lorenc Paganika. Në pamje duket makina “BMW X1” me ngjyrë të bardhë me targa AA 572 BF.
Aksidenti ka ndodhur pranë fshatit Krahës, në dalje të Gjirokastrës, ku ka mbetur i lënduar 59- vjeçari Axhem Mërtiri. Nga hetimet rezulton se i plagosuri është dërguar në spitalin e Fierit ku është marrë në pyetje nga Prokuroria dhe ka thënë “nuk di kush më ka goditur”. Çështja është regjistruar në Prokurorinë e Gjirokastrës për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe largim nga vendi i aksidentit. Sipas hetimeve rezulton se makina e ka goditur kalimtarin me pjesën e pasqyrës së djathtë.

Çfarë fokusuan kamerat

Goditja ka ndodhur në këndin më të largët në pamjen që ka kamera dhe për arsye dhe të natës nuk duket qartë. Por kamera ka filmuar momentin kur drejtuesi i automjetit frenon dhe disa çaste më vonë pasi ikën nga vendi i ngjarjes rikthehet dhe në këto momente dëshmitarët thonë se drejtuesi i mjetit i ka pyetur çfarë ka ndodhur.

Sekuestrohen pamjet filmike

Nga ekspertimi dhe kqyrja që i është bërë makinës së Drejtorit të Policisë Gjirokastër ekspertët kanë shënuar se pasqyra e djathtë e BMW X1 e Paganikës nuk ka dëmtime apo ndërhyrje në pasqyrë. Në vendngjarje është gjetur ndërkohë edhe kasa e pasqyrës së djathtë të makinës që ka shkaktuar aksidentin. Prokuroria ka vendosur të sekuestrojë kamerat e Drejtorisë së Policisë për të parë kur ka hyrë dhe ka dalë Drejtori Paganika në 24 orët e fundit, para dhe deri kur ka ndodhur aksidenti.

Artikulli paraprakKryetari i Bashkisë së Hasit në trafikun e qenieve njerëzore
Artikulli tjetërRama “shet” si të vetat projektet e qeverisë “Berisha”