Drejtorët e spitaleve injorojnë liderin suprem

Drejtorët e spitaleve rajonale injorojnë udhrin që u dha dy ditë më parë Kryeministri Rama për të dhënë dorëheqjen. Kur kanë kaluar dy ditë nga afati i vënë nga Kryeministri, më pak se gjysma e tyre e ka paraqitur aktin e dorëheqjes dhe kanë vijuar normalisht punën.
“Nuk e kam dhënë ende, por jam i gatshëm ta jap. Më morën ata të ministrisë dhe më thanë se mund ta jap dorëheqjen edhe me e-mail dhe është ministri që do ta pranojë ose jo”, u shpreh drejtori i spitalit të Dibrës Beqir Bici për mediat, i cili vjen nga radhët e LSI.
Disa drejtorë të tjerë janë shprehur se nuk mund ta braktisin detyrën në këtë periudhë, pasi ka fluks pacientësh.
Kryeministri u kërkoi atyre të largohen duke i bërë përgjegjës për keqmenaxhimin e spitaleve.
Në të njëjtën mënyrë ai veproi edhe me drejtorët e hipotekave, të cilët, ndryshe nga drejtorët e spitaleve, i paraqitën menjëherë dorëheqjet, pa kaluar 24 orë nga kërkesa e kryeministrit.
Ndërkohë që “Tmerri i drejtorëve”, siç po etiketohet kohët e fundit me ironi apo jo, Edi Rama, ka nisur zyrtarisht pushimet, të paralajmëruarit në bllok kanë shpërthyer në refuzime për t’u larguar nga puna, pas ultimatumeve të kryeministrit.
Shumica e drejtuesve të spitaleve rajonale nuk kanë pranuar të lënë vendet e punës, në kushtet kur nuk janë bërë të ditur zëvendësuesit e tyre.
Mësohet gjithashtu se një pjesë e mirë e këtyre drejtorëve në rrethe janë shprehur se do të vijojnë të jenë në detyrë për të përballuar fluksin e shërbimeve gjatë muajve të verës. Kështu drejtori i Spitalit të Sarandës, Lushnjës, Kukësit, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit janë shprehur se nuk do të japin dorëheqjen. Ndërsa drejtoresha e spitalit të Vlorës është me leje deri në fund të muajt gusht dhe për rrjedhojë nuk do të japë dorëheqjen. Ditën e djeshme nuk u raportua për asnjë të larguar, ndërsa zyrtarisht ka nisur pushimet edhe qeveria me në krye “Tmerrin e drejtorëve”, duke stopuar përkohësisht ankthin e drejtuesve të institucioneve të tjera. Më guximtarët po flasin dhe po shpjegojnë se fajin kryesor për atë gjendje ku janë katandisur spitalet në Shqipëri e kanë politikat në qendër, duke nisur nga ministri e deri te kryeministri që deri dje mburrej me reformat e tij në këtë fusha.
Dje ish-drejtori i spitalit të Pogradecit, Genti Çala në një prononcim për mediat i vlerësoi mashtrime deklaratat e kryeministrit Edi Rama rreth shkaqeve që ai shprehu, ndërsa dha urdhër për largimin në bllok të të gjithë drejtuesve të spitaleve, veç atyre të Tiranës. Çala e konsideroi nonsens që kryeministri i futi në një thes të gjithë drejtuesit e spitaleve, ndërsa tha se ai mashtroi për disa problematika që përmendi. Ish-drejtori i spitalit të Pogradecit tha se problemi thelbësor nuk janë drejtuesit, por është politika e kundërt me premtimet që ka ndjekur Rama gjatë katër viteve të kaluara. Ai shtoi se sektori i shëndetësisë u centralizua dhe prandaj fajin për gjendjen skandaloze nuk e kanë drejtuesit lokalë, por ata në qendër.
“Në radhë të parë është Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri, i cili zbatoi të kundërtën e asaj që premtoi në vitin 2013 për decentralizimin në shëndetësi. Ai centralizoi çdo gjë, centralizoi fondet, centralizoi përdorimin e të ardhurave dytësore, të burimeve njerëzore. Edhe një infermier që do të shkojë në fshatin më të largët duhet marrë në ministri. Ky është problemi i parë dhe është krejtësisht e pavërtetë ajo që thotë Rama për specializantët, që nuk kemi bërë kërkesa, ky është nonsens, sepse ne kërkesa bëmë çdo vit, edhe sikur të mos donim duhej patjetër t’i dërgonim në ministri. Le ta hapë protokollin dhe le ta lexojë ministri”, ka deklaruar Çala.

Lista e drejtorëve që Rama u kërkoi dorëheqjen

Shkodër, Përparim Çela
Lezhë, Pashko Smaçi
Kukës, Hasije Zeneli
Dibër, Beqir Biçi
Durrës, Viola Cikalleshi
Elbasan, Desantila Tahiraj
Berat, Arqile Vasili
Fier, Andrea Dollaku
Lushnjë, Panore Veliu
Gjirokastër, Përparim Muço
Vlorë, Bruna Mersini
Përmet, Elda Cullufe
Tepelenë, Stoli Selmani
Mirditë, Lek Reçi
Sarandë, Arjan Kalcuni

Enton DACI

Artikulli paraprakShteti jashtëligjor i Edi Ramës
Artikulli tjetërDASH: Shqipëria, bazë krimi, korrupsioni dhe tranzit heroine dhe kokaine