Opozita me ofertë të re konsensusi për Drejtësinë, Rama hesht prej 17 ditësh

Kryetari i PD, Basha, rikonfirmoi dje përpjekjet konkrete të opozitës për gjetjen e një kompromisi për Reformën në Drejtësi, duke sjellë një propozim të ri që i është bërë mazhorancës prej më shumë se dy javësh, por ai shtoi se ndonëse ky propozim është dorëzuar prej 17 ditësh në tavolinën e kreut të qeverisë, ai ka heshtur dhe nuk ka kthyer asnjë përgjigje për opozitën.
“Mbledhja konfirmon qëndrimin tonë dhe vendosi të bëjë publike faktin se opozita prej 17 ditësh, që nga 24 qershori i ka afruar mazhorancës përmes një formule në përputhje të plotë, rrugën e kompromisit për të miratuar Reformën në Drejtësi.
Në mbledhjen e sotme ne e kemi bërë publik këtë fakt me besimin, se pala tjetër do të negocionte, por prej 17 ditësh, mazhoranca jo vetëm e refuzon kompromisin e afruar nga opozita, por edhe që ta paraqesë me shkrim apo me gojë, sepse kjo zgjidhje është e papranueshme”, tha Basha.
Basha paralajmëroi se, propozimi do të bëhet publik në ditët e ardhshme, ndërsa shtoi se heshtja e Ramës është një tjetër provë jo vetëm për opinionin vendas, por edhe atë ndërkombëtar se Rama nuk e Reformën në Drejtësi.
“Sa më shumë mazhoranca futet në llogoren e saj, duke refuzuar jo vetëm nenin 88, tregon qartë se, Edi Rama nuk e do Reformën në Drejtësi. Sigurisht, nëse ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme, e ka gomar të ngordhur se nuk ka njeri të besojë se Edi Rama s’ka frikë nga drejtësia, e cila do të marrë një ditë në dorë, marrëveshjen me CEZ-in, koncesionet e Ilir Beqajt, lidhjet e drejtpërdrejta të Ramës me Tahirin që e kanë shpallur zonën Durrës-Fushë-Krujë, zonë të lirë të krimit të organizuar apo ‘bilal-gate’ me financim të paligjshëm”, tha Basha.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka deklaruar pas takimit me aleatët, si dhe me Grupin parlamentar të PD-së se, Edi Rama po bën lojë të dyfishtë edhe me ndërkombëtarët. Ai vazhdon të insistojë në mospranimin e propozimit të opozitës nga frika e Reformës në Drejtësi dhe përgatitet për të dështuar këtë reformë me pretekstin për t’ia lënë në derë opozitës, por “rrugët e zgjidhjes janë në tavolinë”.
“Nëse drejtësia shqiptare vepron me 50% të integritetit të drejtësisë amerikane, duhet ta marrë Kryeministrin të pandehur.
Në këtë kontekst ndodh dhe refuzimi i Edi Ramës për zgjidhje funksionale. Javën e kaluar i bëra thirrje, harxhoi edhe një javë tjetër ndërkohë që bën lojën e tij të dyfishtë. Ndërkombëtarëve u thotë, unë jam gati të votoj çfarëdo që propozohet, opozitës i refuzon propozime logjike në përputhje me 88-ën, pa i dhënë asnjë arsye”, tha Basha.
Kryetari i PD i ka bërë thirrje Ramës që të pranojë propozimin e tretë të opozitës që i bëhet konform vullnetit të Komisionit të Venecias, ndërsa ka bërë publik edhe dy propozimet e mëparshme të opozitës që janë hedhur poshtë nga Rama. “E para, ka qenë ajo që u ofrua nga OPDAT dhe EURALIUS në 10 shkurt dhe që ne e riadoptuam në draftin tonë të datës 29 maj. E dyta, ka qenë propozimi i 6 qershorit në takimin me të për “listat alternative” prapë sipas rekomandimeve të “Venecias”.
Ky është propozimi ynë i tretë. I treti që opozita bën dhe Edi Rama vazhdon të insistojë në mospranimin e këtij propozimi pa asnjë argument. Argument është sigurisht frika që Edi Rama ka nga një reformë e vërtetë në drejtësi dhe përgatitja që bën për të dështuar këtë reformë, me shpresën se do t’ia lërë fajin në derë opozitës.”
“Ne jemi në kushtet, kur nuk kemi votat për të diskutar një reformë sipas Venecias, por insistojmë që vullneti i Venecias të materializohet i plotë në draftin kushtetues. Ka një rrugë dhe rruga është të pranojë formulën e propozimit. Ky është propozimi i tretë”, tha Basha.
Rama duket se po ndjek një taktikë tjetër. Ai kërkon që të rrëzojë reformën dhe të fajësojë për këtë opozitën. Në funksion të këtyre lëvizjeve është edhe refuzimi i të gjitha propozime konstruktive të opozitës për të bërë të mundur miratimin e Reformës në Drejtësi.
“Edi Rama vazhdon të insistojë në mospranimin e këtij propozimi nga frika e Reformës në Drejtësi dhe përgatitet për të dështuar këtë reformë me pretekstin për t’ia lënë në derë opozitës.
Rrugët e zgjidhjes janë në tavolinë dhe së shpejti, ne do t’ia bëjmë të njohur këtë. Duhet ta dini dhe të jeni të sigurtë se, opozita ka dhënë zgjidhje të përputhur me Venecian dhe në parim zgjidh çdo kundërshtim të Edi Ramës”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka shtuar se deri tani nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga Rama për zgjidhjen e propozuar nga opozita, por heshtja e tij dëshmon se ai nuk e do reformën.
“Nuk ka më kundërshtime. Pret vetëm që më 21 korrik ta drejtojë gishtin tek opozita, po gishtin ia ka prerë Bilali me shokë. E presim të reflektojë. Kjo nuk është përplasje Basha-Rama. As kacafytje me mazhorancën.
Sot ofertën e ka mbi tavolinë. Nëse ka një kundërshtim, ta paraqesë atë me shkrim dhe ne ta bëjmë atë publik para çdo qytetari. E rëndësishme është se formula jonë është bazuar në opinionin final të Venecias”, theksoi Basha.
Basha ka parlajmëruar se opozita do të bëjë transperencën e plotë të negociatave dhe nëse do të ketë dështim, përgjegjësia do të jetë direkt e Ramës.
“Nëse kjo dështon, dështuesi ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Përgjegjësia është e tij dhe të jetë i sigurt se me fakte dhe argumente edhe të patreguara deri më tani të një procesi të gjatë ku jemi investuar me mund, me energji, me përkushtim, me ekspertët tanë më të mirë, me politikanët tanë më të mirë do t’i bëjmë të qartë çdo qytetari shqiptar, demokrat dhe socialist se si opozita e vendit, e cila kishte 1001 arsye të thoshte se nuk futem me ty për Reformën në Drejtësi, sepse t’i je palë e pabesueshme, në fakt u investua për Reformën në Drejtësi dhe sot gjendet përballë një loje të pastër të Edi Ramës për të sabotuar Reformën në Drejtësi”, tha Basha.
Sipas mediave, opozita propozon një formulë të re për zhbllokimin e ngërçit të Reformës në Drejtësi. Partia Demokratike kërkon ngritjen e një komisioni ad hock me 12 anëtarë, 6 të opozitës dhe 6 të mazhorancës. Secili deputet, sipas opozitës, në mënyrë elektronike zgjedh nga 1 gjyqtar të përzgjedhur më parë nga komisionet përkatëse. Më pas, lista me 12 anëtarë  hidhet si listë e tërë në Parlament për votim. Kandidatët e votuar, sipas Partisë Demokratike do të duhet të kalojnë në Parlament me 2/3 e votave.

Cila është formula e re

– Zoti Basha, a e pranojnë ndërkombëtarët formulën tuaj?
E rëndësishme është që formula jonë është bazuar mbi dokumentin themelor ndërkombëtar që është opinioni final i “Venecias”. Mbi opinion final të “Venecias” nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë institucion tjetër.

– Zoti Basha, cila është formula juaj?
Do ta bëjmë publike në ditët në vijim në mënyrë që të uleni dhe ju, ta projektojmë dhe qytetarët ta kuptojnë.

– A përjashton ajo operacionin ndërkombëtar të monitorimit?
Sigurisht që jo. Operacioni ndërkombëtar të monitorimit ka.

– Si vendimmarrëse?
Jo, opozita nuk ka vendosur asnjëherë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të ketë kompetenca që nuk i jep Venecia. Ne kemi qenë dhe jemi për kompetenca që “Venecia” i njeh komisionit apo operacionit ndërkombëtar të monitorimit dhe për këto kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë deri në fund.

– Do të thotë që jeni kundër fshirjes së mandaturave që ia jep operacioni?
Jo nuk jemi futur në detaje të tilla.

– Operacioni vetëm këtë bën, fshin kandidaturat.
Jo, operacioni bën atë që i ka ngarkuar “Venecia”. Se në çfarë mënyre e zgjedh ta bëjë, këtë natyrisht e zgjidhin më mirë ekspertët. Detyra jonë është të garantojmë zbatimin 100% të “Venecias” për këtë dhe çdo aspekt tjetër.

– Zoti Basha po me propozimin e ri të Fatmir Xhafës jeni njohur?
Nuk është propozim i ri, është propozim i rrëzuar nga opozita më 17 shkurt me shkrim dhe gjatë takimit tim të 6 qershorit në mënyrë të argumentuar. Sepse është një metodë me potencial të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet dhe për proceset për të cilat propozohet.

A.SHAHINI

Artikulli paraprakProkuroria heton Çipën për grabitjen në Rinas
Artikulli tjetërGrabitja në Rinas, Prokuroria zgjeron rrethin e hetimeve