DRAMË SHQIPTARE/ Para ‘90 fshati në Has kishte 45 familje, ikën edhe banori i fundit që kishte mbetur: Nuk jetohet vetëm!

Banori i fundit, Rizan Morina para 10 ditësh është shpërngulur nga fshati Pus i Thatë bashkë me familjen.

Në shpatin juglindor të malit të Pashtrikut, shtrihet fshati “Pusi i Thatë”.

Ndodhet vetem 40 minuta larg qytetit të Kukësit, por në 5 kilometrat e fundit udhëtimi vështirësohet, pasi rruga është e paasfaltuar.

Çatitë e drurit po bien njëra pas tjetrës, muret prej guri po shemben. Pamja është e trishtueshme. Në fshat nuk dëgjohet asnjë zë, veç fëshfërima e pyllit.

“Deri para viteve ‘90 jetonin 45 famile, ndërsa aktualisht ky fshat është braktisur totalisht. Shumica kanë shkuar në Tiranë e Durrës por edhe jashtë”
Banori i fundit, Rizan Morina para 10 ditësh është shpërngulur nga fshati Pus i Thatë bashkë me familjen. Sot e takojmë rastësisht teksa merr orenditë e fundit dhe na rrëfen arsyet që e detyruan të braktisë vendlindjen.

“Banorët e tjere ikën të gjithë, vetem s’rrinim dot. Rrugë jo, as shkollë e shëndetesi. Largimet kanë nisur prej 10 vitesh, por në vitin e fundit (2023) ikën të gjithë”, u shpreh ai.

Edhe pse i totalisht i braktisur, Rizani thotë se këtu herë pas here kalonin turistë, të apasionuar pas natyrës. Nga ky fshat mund të kundrosh liqenin e Fierzes, qytetin e Kukesit, Malin e Gjallicës.
“Kanë ardhur turistët vitet e tjera se ju pëlqente mali e klima. Rrinin në çadra në livadhe, por tani nuk vijnë më”, tha ai.

Banorët e fshatit Pusi i Thatë, pjesë e Bashkisë së Hasit, më parë jetonin me blegtori, ndërsa bujqësia s’ka qenë asnjëherë e favorizuar për shkak të terrenit malor. Bukuritë natyrore janë të jashtëzakonshme, por këto nuk mjaftojnë! Banorët u detyruan të lënë fshatin pasi mungon rruga, shkolla, punësimi etj.

Artikulli paraprak“Çfarë jete është kjo?”- CNN: Kushtet e vështira në Gazën jugore gjithnjë e më të këqija
Artikulli tjetërEurostat: Shqiptarët me të ardhurat më të ulëta në Evropë, por çmime të shtrenjta