Elvis Roshi në Gjykatë, Prokuroria: U provua dënimi për përdhunim në Itali dhe trafik droge në Zvicër e Gjermani

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë dosjen e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Prokuroria bëri të ditur se janë provuar akuzat ndaj tij për përdhunim dhe trafik droge në Itali, Gjermani dhe Zvicër.
Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Enklid Gjini mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq dosjen në ngarkim të tij. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave apo formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit të prokurorisë “në datë 09 shtator 2016 mbi bazën e dokumentave të dorëzuara nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar Procedimi Penal nr.4810 nr.4810, për veprën e mësipërme penale”.
Elvis Roshi u shkarkua nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, më 29 dhjetor 2016, menjëherë pasi KQZ-ja hoqi mandatin e tij në bazë të verifikimeve të akuzës, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit konkludoi se Rroshi ishte treguar i pasinqertë në formularët e dekriminalizimit mbi dënimet që kishte marrë jashtë vendit.

Ervin ose Elvis Rroshi ka qenë i dënuar për veprën penale të “përdhunimit” në vitin 1992 në Itali. Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë dhe Certifikatës Gjyqësore mësohet se vendimi ndaj Elvis Rroshit, asokohe me emrin Ervin Rroshi, është dhënë më datë 13 nëntor të vitit 1992, nga Gjykata e Minorenëve të Campobassos së Italisë.
Rroshi është dënuar për veprën penale të përdhunimit, ose siç njihet në Kodin Penal italian, “violenza carnale”, neni 519. Në Kodin Penal italian, neni 519, thotë se: “Kushdo që me dhunë ose kërcënim detyron dikë tjetër të kryejë marrëdhënie seksuale, është i dënuar me burgim nga 3 deri në 10 vjet”.
Kësaj vepre penale i është shtuar dhe kryerja e veprës penale në bashkëpunim, çka sipas vendimit të gjykatës, i lëshuar më datë 13 nëntor të vitit 1992, Elvis Rroshi është dënuar me një vit e katër muaj burgim. Asokohe, Elvis Rroshi ka qenë rreth moshës 17 vjeç, ndaj vendimi është dhënë nga Gjykata e Minorenëve të Campobasos së Italisë.
Për këtë vendim rezulton se është kërkuar rrëzimi në Apel, por Gjykata e Apelit për Minorenët në Campobasso ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm, me vendim të datës 28.02.1995.

Po ashtu, sipas të dhënave të mbërritura nga organet e Drejtësisë në Zvicër dhe Gjermani, rezulton se Rroshi ka precedentë penalë në trafik droge.
Në lidhje me rastin e trafikimit të drogës, sipas burimeve të Prokurorisë, rezulton se për njërin nga emrat e përdorur nga Elvis Rroshi, ka edhe aktualisht një hetim. Sipas përgjigjes së ardhur nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Ervin Rroshi, lindur më 03.12.1975 është dënuar për një përdhunim të kryer në vitin 1995 në Campobasso. Referuar përgjigjes së ardhur nga jashtë në Prokurori, në të njëjtën ditë është lëshuar një dekret për ekspuls, pra për ta përzënë shtetasin në fjalë nga Italia.
Kanë qenë autoritetet zvicerane ato që kanë zbardhur më shumë detaje nga e shkuara e Elvis Rroshit. Sipas përgjigjes së dërguar nga autoritetet zvicerane, citohet nga burimet e Prokurorisë shtetasi Ervin Rroshi, lindur më 03.12.1975 në Kavajë, i biri i Azem dhe i Nasije, është njohur me këta emra: Ervin Rroshi, datëlindja 03.12.1975, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli dhe Enver Rroshi, i datëlindjes 03.12. 1975, si edhe Enver Proshi, me datëlindje 03.12.1975.

Bazuar në përgjigjen e administruar si provë nga Prokuroria, në prill 1993, Ervin Rroshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil.
“Më datë 14 maj 1993, ai është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast droge, duke qenë se ky rast ka më shumë se 20 vjet, Policia e Zyrihut nuk ka mundur të sigurojë më shumë detaje, por duke marrë parasysh faktin se ai është dëbuar 4 muaj më vonë, ndoshta nuk ka qenë një rast për trafik droge, por vetëm konsumim i lëndës narkotike”, theksohet në informacionin e administruar nga organi i akuzës.
Autoritetet zvicerane kanë informuar Shqipërinë se kërkesa e tij për azil është refuzuar në shtator 1993 dhe ai është dëbuar për në Shqipëri më 24 shtator 1993. “Në korrik 1997, ai ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Ai është arrestuar në gusht të vitit 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish.

Artikulli paraprakKryetarja e Bashkisë së Roskovecit i grabit 11.200 metra tokë një qytetari dhe ia jep krushkut të saj
Artikulli tjetërAktorët të vendosur drejt grevës së urisë: Nuk e dorëzojmë Teatrin