Dosja në Bruksel, një ministër drejt arrestimit

Kryeprokurori ka dorëzuar dje në Bruksel një dosje të rëndësishme të aferave korruptive të shpërdorimit të fondeve të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Dosja është pjesë e një hetimi disamujor të Prokurorisë dhe në të përfshihen zyrtarë të lartë. Arsyeja se përse dosja ka shkuar deri në Bruksel lidhet me një bashkërendim të punës së kryeprokurorit me Zyrën kundër Mashtrimit të Komisionit Europian. Po cila është kjo zyrë?
Zyra europiane kundër Mashtrimit (OLAF) është organi i vetëm i BE-së i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian. Kjo zyrë ka një status të pavarur në funksionimin e saj dhe është pjesë e Komisionit Europian.
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla zhvilloi dje një vizitë në Bruksel ku është takuar me drejtorin e Përgjithshëm të zyrës Antimashtrim të Bashkimit Europian, Giovanni Kessler.
Llalla-Kesssler biseduan për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit. Kreu i Prokurorisë shqiptare informoi gjithashtu lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Për prokurorin e Përgjithshëm, lufta kundër korrupsionit është një prej prioriteteve madhore të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, theksoi Llalla, përvoja e autoriteteve të Brukselit në këtë drejtim do të shërbejë për forcimin e mekanizmave hetimorë.
Por përveç hetimeve për fondet e BE të vjedhura në Shqipëri me anë të zyrtarëve të Brukselit dhe atyre që rrinë në Tiranë e ku priten surpriza të mëdha për miliona e miliona fonde të përvetësuara, ka informacione se po pritet firmosja e fletarrestit nga prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Lllalla për një ministër fuqiplotë të qeverisë Rama.
Ka një dosje hetimore prej muajsh, e cila po hetohet në Prokurori dhe tashmë është vendosur për arrestime. Informacionet tregojnë se arrestohet dhe një zyrtare që ka qenë zv/ministre e që më pas ka kaluar me rritje në detyrë, si dhe një numër zyrtarësh që kanë firmosur për tenderime disa milionë euro.
Gjatë javëve të fundit janë intensifikuar hetimet në lidhje me shpërdorimet e bëra me fondet e Bashkimit Europian. Pak ditë më parë në qendër të këtyre hetimeve ishte edhe ambasadorja e BE, Vlahutin për vilën 1.6 milionë euro. Megjithatë deri tani kjo blerje është justifikuar publikisht nga zëdhënësja e Komisionit Europian si oferta më e mirë.
Edhe më parë Brukseli ka hetuar në lidhje me shpërdorimin e fondeve në Shqipëri. Dy zyrtarë të lartë të saj përfunduan në burg në lidhje me një tjetër aferë të blerjes së zyrave të Misionit të Bashkimit Europian në Shqipëri disa vite më parë.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakDokumenti, Balili tonelata kokaine në BE dhe New York
Artikulli tjetërRevolta në prag, rrëzim qeverisë nga 18 shkurti