Dosja me oficerë të inkriminuar prej një viti fle në zyrën e Tahirit

Presidenti Bujar Nishani deklaroi dje se, prej një viti në zyrën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka një dosje nga Shërbimi Informativ me emra konkretë të oficerëve të Policisë së Shtetit të lidhur me krimin. “Kryeministri i vendit ka përgjegjësinë të reagojë, të merrte disa vendime, të kthente besimin opozitës politike, që qeveria ka mundësi për të goditur fort përmes këtyre vendimeve institucionale, dhe i takon që ta marrë situatën në dorë, për të kthyer besimin te ajo pjesë e popullsisë, që iu është tronditur besimi. Jua sugjeroj që të ndërmarrë disa hapa dhe vendime institucioanle për të rikthyer këtë besim. Së dyti, duke larguar nga institucionet, nga Policia dhe Prokuroria të gjithë ata që janë të lidhur me krimin. Ka në zyrën e ministrit të Brendshëm një informacion të SHISH prej më shumë se një viti me emra konkretë të oficerëve të policisë të lidhur me veprimtari kriminale, informacion që fle në sirtarët e Ministrisë së Brendshme”, theksoi Presidenti Nishani, në një intervistë në emisionin “Të Pa Ekspozuarit”.
Presidenti deklaroi se i kishte kërkuar informacion Bashkisë së Tiranës për Bunkerin tek Ministria e Brendshme, por kërkesa e tij është injoruar totalisht. “Me Bashkinë ka qenë mjaft i qartë komunikimi, për fat të keq ka pasur eksperiencë të mëparshme, përsëri për bunkerin te Ministria e Brendshme. I kërkova dokumentet Bashkisë së Tiranës, dhe është injoruar totalisht”, u shpreh Presidenti.
Presidenti iu përgjigj edhe pyetjes për vizitën pak ditë më parë tek Parku i Liqenit, ku doli në mbrojtje të protestuesve, duke bërë thirrje që qytetarët të mbrojnë parkun. “Është çështje që do të trajtohet gjatë jo vetëm në Shqipëri. Unë dua të solidarizohem ne ndjeshmërinë e të gjithë atyre që kanë kërkuar të jenë pjesë e vendimmarrjes. Kjo s’është kapriço e atyre individëve, por është detyrim i shtetit të zbatojë ligjin. Detyrimin e Republikës ndaj Konventës së Ahosit, që parashikon tre kolona: së pari, të drejtën për të pasur akses në mjedis, në vendimmarrjen për mjedisin, e drejta e qytetarëve në drejtësi për mjedisin. Dy kolonat janë injoruar, qytetarët s’kanë pasur akses në vendimmarrjen, kanë pasur akses vetëm në sistemin e drejtësisë. Së pari, i prita në zyrë dhe konstatova se zëri i tyre ishte mbërthyer në terr, askush s’po dëgjonte të trajtonte problemin e tyre, duke nisur nga Bashkia, nga qeveria dhe nga institucionet e tjera. Këta djem dhe vajza, që janë me mentalitet perëndimor, me sensibilitet qeveritar, trokitën në derën e Presidentit dhe kërkuan që nëpërmjet meje të sensibilizojnë mbarë opinionin, që ndodhesh përpara një breshëri fyerjesh”, u shpreh Presidenti Nishani.
Më tej Presidenti Nishani tha se, ishte një vandalizëm, ishte beton i paimagjinuar, hedhur nëntokë dhe mbitokë, disa qindra linear hekur të instaluar në parkun natyror të Tiranës, kishte një dëmtim të ambientit, të pemëve të gjithë gjelbërimit. Në situatën ku jetojmë, për fatin e keq gjatë dy dekadave, kemi një shkatërrim të Tiranës. Ishte i vetmi vend ndryshe, i cili për fat të keq një pjesë, u kthye në një vend ku çohet beton. “Atje kanë shkuar mbi 70 betoniere, kemi thënë zhavorr dhe fidanë… Jo vetëm që është derdhur, por është hedhur sikur do ndërtohen godina disa kate. Si mund të justifikohet me këndin e lojërave. Jam i bindur që fëmijët, që krahas këndit të lojërave, të kenë edhe park natyror”, u shpreh Presidenti.

R.POLISI

Artikulli paraprakPolicia nuk zbaton vendimin e Gjykatës për hotel “Vollgën”
Artikulli tjetërBanorët e Vlorës rrethojnë Parlamentin, deputetja e PS: Shkoni te deputeti i zonës