Dortmund “përjashton” trajnerin nga merkatoja

Blerja e talentit suedez Isack duket se ka shërbyer si pika që mbushi gotën në klubin e Borussias së Dortmundit, ku prej kohësh përflitet për një situatë të tensionuar mes trajnerit Thomas Tuchel dhe drejtuesve më të lartë. Sipas asaj që raporton e përditshmja “Sport Bild”, drejtuesi i stolit nuk ishte vënë në dijeni të bisedimeve që klubi po zhvillonte me Stokholmin për afrimin e talentit dhe një gjë të tillë, ai e mësoi nga raportimi i mediave nordike. I pyetur pas ndeshjes në Bremen, Tuchel u shfaq dukshëm në vështirësi, por dha një përgjigje diplomatike, duke theksuar se këto janë çështje që i përkasin drejtorit sportiv, Michael Zorc.
Po sipas “Bild”, drejtori Zorc, por edhe administratori Hans-Joachim Watzke nuk e kanë përfshirë trajnerin aktual në çështjet e merkatos, duke marrë vendime të pavarura për afrimet, por edhe për largimet. Një situatë aspak komode për Tuchel, aq më tepër që kjo nuk ndodhte me paraardhësin e tij, Jurgen Klopp, i cili ishte plotësisht i përfshirë në politikat e merkatos. Ndërkohë, në një intervistë dhënë për “Kicker”, Watzke la të kuptohej se nuk është marrë ende një vendim për rinovimin e kontratës pasi është vetë Tuchel, ai që ka bërë me dije se dëshiron të ulet në një tryezë vetëm në fund të këtij sezoni edhe pse kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2018.

Artikulli paraprakPodolski shënon 5 gola dhe hyn në historinë e klubit turk
Artikulli tjetërCorinthias, një makinë lufte për Didier Drogba