Doris Pack: Shqetësim për situatën e rënduar në Shqipëri

Presidentja e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane, Doris Pack, shprehet e shqetësuar për situatën e rënduar ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri. Duke iu referuar raportit të fundit të OSBE/ODHIR, Pack shprehu shqetësim për fenomenin e shit-blerjes së votës, të cilën raporti evidenton qartë, duke e dënuar atë me forcë. Raporti i OSBE si asnjëherë tjetër evidentoi rastet e shitblerjes së votës si një fenomen që ndikon në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve si dhe ndikimin në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Pack i bëri thirrje qeverisë në Tiranë të mos pengojë Reformat për Drejtësinë dhe zgjedhjet si dhe të bëjë hapa konkretë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Pack përcolli mbështetjen e saj, të Partisë Popullore Europiane për Partinë Demokratike, për çdo përpjekje në drejtim të reformave që do të luftonin fenomenin e shit-blerjes së votës e do t’u siguronte shqiptarëve të zgjidhnin të lirë të ardhmen e tyre”. Deklaratat Pack i bëri gjatë Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, ka sjellë nga Franca mesazhet e fuqishme të Doris Pack, presidentes së Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane. Vokshi mori pjesë në Akademinë e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt në Nice të Francës, nën kujdesin e Presidentes Doris Pack. Deputetja e Partisë Demokratike deklaroi se, votimi i shqiptarëve u minua nga fenomeni i shit-blerjes së votës, ndikimit të krimit të organizuar dhe përdorimit të pushtetit nga qeveritarët. “Zgjedhjet Parlamentare të qershorit 2017 u zhvilluan në një atmosferë dhune e presioni të vazhdueshëm, ndërsa Partia Demokratike ishte në aksion për të siguruar lirinë e votës. Paratë e drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale devijuan vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Devijimi i dhunshëm i votës në Shqipëri mund të ketë pasoja fatale për demokracinë. Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama me rekorde korrupsioni, me mbështetjen dhe të lidhur me trafikantë të drogës dhe organizata kriminale, nëpërmjet varfërimin e popullatës dhe në shkelje të të Drejtave të Njeriut, bleu rezultatin e zgjedhjeve, kërcënoi dhe trembi votuesit. Për herë të parë, OSBE/ODHIR, në raportin final për zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri, shpreh qartë shqetësimin e madh për parregullsitë e vërejtura që ndikuan direkt në shtrembërimin e rezultatit zgjedhor: vota u ble, votuesit u kërcënuan! ‎E gjitha kjo e favorizuar edhe nga kontrolli i pothuajse të gjitha mediave nga ana e pushtetit dhe në përndjekjeve të gazetarëve. Këtë të enjte, Kryeministri bllokoi të gjitha televizionet të transmetonin edhe punimet e Parlamentit, një histori e paprecedentë në censurim të hapur të së drejtës për informim dhe lirisë së gazetarëve”, tha Vokshi.

Artikulli paraprakRaporti, Shqipëria e pashpresë, e fundit në Europë për prosperitetin
Artikulli tjetërOSBE: Reforma në Drejtësi duhet të jetë e besueshme