Donaruma “bëhet” i madh

Portieri i Milanit, Xhanluixhi Donaruma, festoi dje datëlindjen e tij të 18-të. Një ndër surprizat më të bukura në dy vitet e fundit është rrëfyer nga njeriu që e njeh më mirë, babai Alfonso. Kundër Sasuolos, Xhixho do të luajë ndeshjen e parë si maxhoren, pikërisht përballë ekipit që debutoi në “San Siro”.
Babai i Xhanluixhi Donarumës ka pranuar se kur ka dëgjuar që djali i tij 16-vjeçar do të debutonte me kuqezinjtë, mendoi se ishte një shaka. Në prag të 18-vjetorit të portierit kuqezi, babai i tij ka folur për hapat e parë të karrierës së të birit. “Si ka qenë në fëmijëri? Nuk mbaj mend shumë”, ka thënë Alfonso për “La Stampa”. “Fëmijët e mi janë rritur shpejt, veçanërisht në gjatësi. Në ditën e tij të parë të shkollës ai nuk donte të ndahej nga mamaja dhe ka qarë. E kemi regjistruar në një shkollë që drejtohej nga murgeshat bashkë me motrën e tij. Ai u arratis, shkoi te Nuncia dhe i tha: ‘Telefonoji mamasë’”.
“Në moshën 4 vjeç ka filluar të luajë futboll në rërë. Pa vëllanë e tij dhe nuk u ndal më. Turneu i parë ku ka marrë pjesë ka qenë një dështim, por unë qesh sa herë e kujtoj. Kanë qenë pushimet e Krishtlindjes dhe afër fushës u hodhën disa fishekzjarrë që e trembën Xhixhon, i cili u largua me vrap nga porta. Unë shkova pas tij dhe e binda që të kthehej në portë: ‘Si do të presësh topat, nëse nuk je aty?’ Xhaxhai Enriko Alfano, i cili, fatkeqësisht nuk është më me ne, nuk pati fatin ta shikonte Xhanluixhin të luante”, kujton Alfonso.
“Trajneri i tij i shkollës në Napoli, Ernesto Ferrara, u zemërua me mua. Më tha: ‘Alfonso, ti nuk e di se sa i mirë është djali yt, ai është i përzgjedhur nga fati’. Im bir zgjodhi Milanin për të qenë bashkë me vëllanë Antonio, i cili luante me ekipin e moshave dhe sepse ishte skuadra e tij e zemrës. Edhe unë kam qenë gjithmonë një tifoz i Milanit, e kam ngjyrosur makinën time të parë me të kuqe dhe të zezë, por gruaja ime është tifoze me Napolin.
Më pas, në një të shtunë tetori erdhi telefonata e papritur. Një vit e katër muaj më parë Xhixho na telefonoi: ‘Babi, mami, do të vini të më shikoni në ndeshjen që do të luhet nesër?’ Mendoja se ishte shaka. “Në moshën 16 vjeç, në Serinë A kundër Sasuolos. Nuk kemi kuptuar asgjë, vetëm se ata na dhanë biletat për të shkuar në stadium. Kam qenë i lumtur dhe me lot në sy”.
I pyetur nëse Xhanluixhi ka ndryshuar që nga debutimi me kuqezinjtë: “Absolutisht jo, ka mbetur i njëjti. Çfarë i uroj me rastin e 18-vjetorit? Që ta shijojë këtë moshë të bukur, të arrijë objektivat që i ka vënë vetes dhe shumë shëndet. Ne mundohemi të jemi sa më pranë tij. Vijmë shpesh në Milano, që ai të mos ndihet vetëm”.
Dida: Xhixho ka kohë për “Topin e Artë”
“Jam larg, por e ndjek gjithmonë. Kam shumë miq në Milano që më flasin gjithmonë për të. Donaruma ka pasur fatin të rritet në një familje me vlera të mëdha dhe kjo e ka formuar si lojtar dhe si njeri. ‘Topi i Artë’? Ka kohën e nevojshme në dispozicion për ta fituar, mirëpo unë dua ta këshilloj që të mos largohet kurrë nga Milani. I njëjti diskutim vlen edhe për drejtuesit e klubit, të cilët duhet ta ‘blindojnë’ sa më shpejt”, tha ai.
Abiati: Kam meritë në formimin e tij
“Unë kam pasur fatin ta shikoj nga afër rritjen e tij, që kur Xhixho militonte në radhët e të rinjve. Mund të them se e kam ndihmuar shumë, pa dashur të marr merita, por e kuptova qysh në fillim që i kishte të gjitha letrat në rregull për t’u bërë një portier i madh në të ardhmen. Tani është i kompletuar, pasi është i shkëlqyer si brenda dhe jashtë fushave të futbollit. Këshilla për Donarumën? Erdhi koha që të marrë lejen e drejtimit të makinës”.
Këshilla e Seba Rosit: Xhixho, qëndro kokulur!
“Më ka çuditur shumë fakti që në moshën 18-vjeçare të kesh aftësinë e madhe për të menaxhuar portën e Milanit. Si futbollist ka gjithçka që i duhet për t’u bërë një kampion i madh në të ardhmen. Ai duhet të qëndrojë kokulur, të punojë shumë dhe të fitojë diçka të rëndësishme. Njerëzit shpeshherë janë të prirë për të vërejtur defektet, pasi gabimet e portierit janë ato që vërehen më shumë. Mirëpo, Donaruma nuk duhet të demoralizohet”.

Artikulli paraprakSebino Plaku fiton 200 mijë euro
Artikulli tjetërBajerni shkatërron Hamburgun, skuadra e Mavrajt pëson 8 gola