The Donald: Viti i parë më i mirë nga sa pritej

“Financial Times”

Një bilanc më i mirë nga sa pritej. Kështu “Financial Times” e gjykon vitin e parë të Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Editoriali, i firmosur nga Demetri Sevastopulo, Sam Fleming dhe Barney Jopson – kalon në revistë punën e Trump, duke krahasuar premtime e rezultate, duke filluar nga ai i reformës fiskale. Nëse kjo përfaqëson “fitoren e parë të madhe legjislative” të Presidentit në fuqi, e përditshmja financiare i njeh edhe objektiva të tjera (të paktën prej bazës së tij): nga vendosmëria për të avancuar emërime gjyqësore tek derregullimi, nga goditja ndaj Obamacare tek fitorja në luftën kundër ISIS-it. E gjitha kjo pa u dhënë ndjekje aspekteve më preokupuese të programit të tij dhe pa minuar aleancat kyçe.
“Presidenti Trump është një hap nga fitorja e tij e parë e madhe legjislative, me Kongresin që pritet të miratojë një reformë të taksave që do t’i mundësojë që ta mbyllë vitin e tij të parë me një pikaverazh më të mirë se ai që kishin parashikuar shumë njerëz. Republikanët duket se kanë aq vota sa u duhen për ta kaluar reformën fiskale këtë javë, pavarësisht opozitës së demokratëve. Kjo duhet t’i japë Trump dhe Partisë Republikane municionet e nevojshme për t’ju përgjigjur votuesve republikanë që qenë zemëruar për faktin se partia e tyre nuk ka pasur fitore të mëdha legjislative pavarësisht kontrollit të Kongresit dhe të Shtëpisë së Bardhë”.
Fitorja në reformën fiskale – shkruan “Financial Times” – do ta ndihmonte zotin Trump që të theksonte se viti i parë i tij ka qenë sukses, edhe pse ka bërë përparime të pakta në premtime të tjera kyçe të fushatës së tij elektorale: është akoma i paqartë ndërtimi i murit Shtetet e Bashkuara – Meksikë, ka dështuar abrogimi i plotë i Obamacare dhe ka siguruar fitime të pakta në grindjet tregtare me Kinën. Por reforma fiskale – vazhdon e përditshmja britanike – do t’i japë diçka konkrete për t’ua shtuar pohimeve të tij se, presidenca e tij ka kontribuar në shtytjen e tregut të bursës drejt një rekordi dhe pothuajse me siguri do të stimulojë një përsëritje të akuzave se kritikët e tij nuk kanë qenë të gatshëm t’i njohin asnjë rezultat.
Sarah Huckabee Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, ka nënvizuar mentalitetin e rrethimit në një Twitter të së dielës: “Cila është historia më e nënvlerësuar e… Vitit Një? – Mundja e ISIS-it – Ekonomia e Trump në ekspansion të plotë”.
“Qysh nga inaugurimi i tij, Trump ka ndjekur impenjime të ndryshme elektorale që nuk kërkonin ndonjë legjislacion të posaçëm. Është tërhequr nga marrëveshja tregtare Trans-Pacific Partnership dhe nga Marrëveshja e Klimës e Parisit. Më së fundmi, ka njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta transferojnë ambasadën e tyre aty nga Tel Avivi. Megjithatë, në këtë pikë të mandatit të tij Trump është presidenti më jopopullor i historisë amerikane, pasi përbuzja e votuesve demokratë është shoqëruar nga të pavarurit dhe nga disa republikanë të moderuar që ankohen për qasjen e tij një qeveri”.
Por presidenti – vëren e përditshmja – u ka dhënë disa rezultate mbështetësve të tij konservatorë. Ndërsa është i sulmuar nga probleme ligjore, midis të cilëve investigimi i zhurmshëm rus i drejtuar nga Robert Mueller, Trump ka qenë jashtëzakonisht efikas në avancimin e emërimeve gjyqësore, përfshi konfirmimin e Neil Gorsuch në mbulimin e ulëses vakante të Gjykatës Supreme si pasojë e vdekjes së Gjykatësit ultrakonservator Antonin Scalia. Senati ka miratuar edhe 12 gjykatësit e Gjykatave Zonale, një numër i lartë për vitin e parë të presidencës.
James Manley, ish-bashkëpunëtor i lartë i demokratëve në Kongres, ka thënë se Trump po e ridizajnon sistemin gjyqësor në një mënyrë domethënëse që do të ketë implikacione afatgjata. “Do të jetë një trashëgimi jetëgjatë, në të mirë dhe në të keq, dhe natyrisht që mendoj se do të jetë më keq”, ka deklaruar Manley. “Me mandatin e përjetshëm, [gjykatësit e emëruar] do të jenë në gjendje që të plazmojnë sistemin për vitet në vazhdim”.
“Financial Times” nënvizon rezultatet e Trump lidhur me derregullimin në avantazh të bizneseve. Neomi Rao, funksionare e Shtëpisë së Bardhë përgjegjëse e derregullimit, ka thënë se administrata ka ndërmarrë 67 akte derregullimi në muajin shtator që do të çonin në kursime të kostove vjetore prej 570 milionë dollarësh, megjithëse kritikët thonë se administrata po i fryn shifrat.
“Financial Times” e “shpëton” Trump edhe lidhur me premtimet e bëra për sa i përket abrogimit të Obamacare: “[…] projektligji fiskal i ka mundësuar Presidentit që të bëjë një goditje të papritur në minutën e fundit, duke propozuar që të eliminohet kushti për të gjithë që të kenë një sigurim shëndetësor apo të paguajnë një sanksion – një element kyç i sistemit”.
Administrata – vazhdon më tej “Financial Times” – “ka lënë shenjë edhe në sektorin teknologjik në dy mënyra që e thjeshtojnë përzierjen e tij karakteristike, nganjëherë edhe kontradiktore, të konservatorizmit dhe të populizmit. FCC-ja (Komisioni Federal i Komunikacioneve) ka hedhur poshtë javën e kaluar rregullat e neutralitetit të rrjetit të Obamës që u kërkonin kompanive të telekomunikacionit që ta trajtonin në të njëjtën mënyrë të gjithë trafikun e internetit. Veçmas, Departamenti i Drejtësisë ka thënë se do të ngrejë padi për të bllokuar blerjen e grupit Time Warner nga ana e kompanisë AT & T, duke theksuar se kjo do të dëmtonte konsumatorët”.
Në fund, politika e jashtme. “Shumë qeveri në të gjithë botën – shkruan “Financial Times” kanë marrë frymë thellë për faktin që Trump nuk ka qenë edhe aq i paqëndrueshëm siç sugjerohej nga retorika e fushatës së tij elektorale. Megjithëse i ka irrituar aleatët me disa komente të kota, veprimet e tij nuk i kanë minuar aleancat kyçe e Shteteve të Bashkuara aq sa frikësoheshin disa. Pavarësisht se fushatë elektorale kishte premtuar se do ta griste marrëveshjen bërthamore iraniane ditën e parë që do të vinte në pushtet, nuk e ka bërë akoma. Forcat e armatosura amerikane kanë bërë hapa gjigante në luftimin e ISIS-it këtë vit, por kanë përdorur gjerësisht të njëjtën strategji të administratës Obama”.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakSi Trump po zgjon gjigantin e fjetur
Artikulli tjetërMbeturinat pushtojnë bregdetin e Durrësit