Djali i Bin Ladenit në listën e terrorit

Departamenti amerikan i Shtetit ka përfshirë në listën e zezë të terrorizmit Hamza bin Ladenin, të birin e themeluesit të Al-Kaidës, Osama bin Laden.
Hamza bin Laden, i cili është rreth 25 vjeç, njoftohet të jetë angazhuar në komunitetin e organizatës terroriste Al-Kaida, pas vrasjes së babait të tij në një operacion të fshehtë të forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2011.
Sipas rregullave të Departamentit të Shtetit, shtetasit amerikanë e kanë të ndaluar të bëjnë biznes apo të kenë kontakte të tjera me personat që janë përfshirë në listën e zezë të terroristëve.
Sipas njoftimeve, Hamza bin Laden i është bashkuar Al-Kaidës në vitin 2015 dhe në dy vitet e fundit ai ka bërë deklarata publike që inkurajojnë sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara. Ai po ashtu ka kërcënuar se do të hakmerret për vrasjen e të atit.
Departamenti i Shtetit njoftoi gjithashtu të enjten, se në listën e zezë të terrorizmit është përfshirë edhe egjiptiani Ibrahim al-Banna, një nga udhëheqësit e Al-Kaidës në Gadishullin Arabik.

Artikulli paraprakLargohet djali i presidentit për portierin shqiptar
Artikulli tjetërA do ta përcaktojë 2017 të ardhmen e NATO-s?