Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, Leskaj: Të moshuarit janë ndër kategoritë më të varfra

Nga Bujar LESKAJ

1 tetori- Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përcaktoi 1 tetorin si ditën e respektit për të moshuarit.

Në shumë vende të botës, mbahen fjalime, zhvillohen aktivitete, dëshmohet respekti që shoqëria, politika, shteti e qeveritë kanë për të moshuarit.

Radiot, televizionet apo gazetat botojnë intervista me të moshuar.

Rrjetet sociale të qeveritarëve mbushen me urime të përdëllyera, dashuri të pakufishme e respekt të thellë për të moshuarit, premtime të pafundme për ata që punuan një jetë të tërë…

Të moshuarit në emër të solidaritetit human dhe filozofisë jetësore “vlerësohen” për autoritetin, mençurinë, përvojën jetësore, për atë që kanë bërë, për atë që i kanë dhënë Shqipërisë. Mbahen fjalime se si duhet të eliminohet neglizhenca dhe përjashtimi i tyre, si pjesë përbërëse e familjes dhe e komunitetit.

Me fjalime u shprehet mirënjohja, respekti ndaj vlerave dhe kontributit të tyre.

Edhe në Shqipëri…

Por vetëm me fjalë, pasi në vendin tonë të moshuarit janë ndër kategoritë më të varfra dhe me më pak të drejta.

Shtimi i problemeve me shëndetin, rritja e kostos së përballimit të problemeve shëndetësore, barnat e rimbursueshme me një cilësi të dobët, rritja e problemeve që kanë të bëjnë me situatën financiare të tyre, izolimi nga pjesa tjetër e familjes, vetmia, fëmijtë në emigracion, Pandemia, dëshmojnë për një problem vërtet të mprehtë social në Shqipëri.

Pensionet e pleqërisë janë të pamjaftueshme për një pjesë të konsiderueshme të të moshuarve dhe nuk janë në koherencë me koston reale të jetesës. Sekti qeverisës këto nëntë vite është tallur me pensionistët, ashtu si me gjithë shqiptarët, me shtesa qesharake pensionesh baraz me një kafe në muaj.

Ndaj e kam të vështirë t’i uroj!

Si politikan, sot në këtë ditë të “tyre”, thjesht u kërkoj përulësisht falje!

Artikulli paraprakBerisha: Fillimi i ri, rruga drejt fitores!
Artikulli tjetërPas paralajmërimit për bojkot të mësimit, tërhiqet Qeveria: Nga e hëna hiqen turnet në shkolla