Dita Botërore e Teatrit, Ergys Mërtiri: Rama dhe Veliaj shkatërruan arkitekturën tradicionale të Tiranës

Nga Ergys Mërtiri

Ndërtesat binjake të kompleksit teatror, nuk ishin të një arkitekture baroke ku harlisen dekoret ornamentale për të marramendur kalimtarët si ato të shek. XVIII, as pompozitetin e neoklasicizmit të mëvonshëm. Ato ishin të një natyre tjetër, që vetëm italianët dinë ta bëjnë me aq hijeshi. Ato ngërthenin një ansambël volumesh, hapësirash, simetrish racionaliste dekoruar me elementë futuristë, të cilët i jepnin atij kompleksi vlera unikale.

Fasada e pamjes ballore kulmuar nga kolona që ndajnë në mes simetrikisht secilën nga dy ndërtesat, perspektiva e krijuar nga zgjatimi i tyre në thellësi ndërprerë në hyrje nga një kolonadë e harkuar që ndërlidh mjedisin e jashtëm me oborrin e improvizuar pas saj, si dhe pishina që mbush hapësirën brenda këtij oborri i jepte asaj pamjen e një alhambreje moderne, një mjedis i paqshëm dhe i këndshëm për të konsumuar kulturë. Ai kompleks përmblidhte teatrin, kinemanë, sallën e koncerteve, bibliotekën, restorantin dhe pishinën, çfarë ishte projektuar të ishte qendra kulturore e argëtuese e qytetit dhe aspak një kumarhanë për dëfrime dopolavoro ushtarësh pushtues, siç e etiketon Rama e Veliaj.

Por ky kompleks arkitekturor ishte pjesë e një kompleksi më të madh, ndërtuar nga Brasini dhe De Fausto, i cili përbënte shtyllën kurrizore moderne të qytetit: Circolo Scanderbeg. Kompleksi teatror, i ndërtuar më vonë nga Giulio Berte, i jepte plotësinë gjithë pejzazhit urban të mrekullueshëm të krijuar nga arkiktektët italianë që fillonte nga korpusi dhe përfundonte tek stacioni i trenit. E gjithë kjo, e bënte Tiranën një qytet tepër të veçantë dhe të këndshëm.

Sot, kullat e Ramës dhe Veliajt, e kanë shkatërruar këtë pejzazh, duke prodhuar një çmenduri akriktekturore të paturp që sakaton, jo vetëm estetikisht, por edhe funksionalisht qytetin që tashmë është bërë i pajetueshëm. Ky qytet është bërë tashmë i tmerrshëm nga mungesa e hapësirave, shkatërrimi i mjediseve publike, mungesa e hapësirave të gjelbërta, mungesa e vendeve për parkim, çlodhje e rekreacion, apo nga trafiku drobitës dhe ndotja vrasëse. Qytetin e vrau industria korruptive e betonit ne partneritet me Ramen dhe Veliajn.

Në këtë katrahurë, Teatri kish mbetur si një thesar i mbuluar nga ferrat. Me gjithë shtesat dhe ndërhyrjet joestetike që iu bënë godinave që herët, kompleksi megjithatë ishte i këndshëm në vetvete ndonëse tashmë pa lidhje e pa komunikim me kaosin urban përreth.

E shembën pabesisht natën, në kohë pandemie, kur qyteti, ajo pak qytetari që i ka mbetur, nuk mud ta kishte vëmendjen e duhur për ta mbrojtur, pas më shumë se dy vjet rezistence. E shembi, jo vetëm fuqia e korrupsionit në një shoqëri që e ka humbur ndjeshmërinë, por edhe nevoja per të treguar dominancë e një pushteti që ekspozon si të vetmen vlerë gangsterizmin politik, e ndoshta mbi të gjitha, një nevojë e fshehtë e shëmtisë së shpirtit barbar, për tu hakmarrë ndaj shijes dhe hijeshisë së një epoke rivale që kontraston fort me të sotmen.

Artikulli paraprakPD, Marku: Pa u konsultuar me qytetarët, bashkitë e qarkut Lezhë rrisin tarifën e ujit të pijshëm
Artikulli tjetër“Ndërsa të dy ishin dënuar me vdekje e pritnin ekzekutimin, aty hynë dy hetuesit xhelatë të pashpirt, Haznedari e Xhara, të cilët u thanë; çohuni, lëreni bukën se…”/ Dëshmia e trishtë e Petro Markos