Digjet Shqipëria! Dje 19 vatra të reja zjarri, qeveria inekzistente

Zjarret nuk ndalen. Vetëm ditën e djeshme janë shfaqur 19 vatra zjarri në Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Tiranë, Korçë, Fier dhe Dibër. Fillimisht u raportua për rënien e 12 zjarreve në të gjithë vendin, por pasmesditës së djeshme u shfaqën edhe gjatë orëve të fundit janë evidentuar 7 vatra zjarri në Qarkun e Dibrës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit.
Ndërkohë, ditën e djeshme është riaktivizuar vatra e zjarrit në fshatin Patin të Dibrës. Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe rrezikon disa banesa pranë. Për të shuar këto flakë është kërkuar ndërhyrje me helikopter. Kjo, pasi terreni është i vështirë dhe është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikësve. Nga raportimet mësohet se janë djegur pisha të reja. Zjarri favorizohet nga era. Për shuarjen e flakëve është kërkuar dhe ndërhyrje nga ajri.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar zjarrfikëset, por terreni i vështirë e bën të pamundur shuarjen e flakëve. Specialistët e Emergjencave Civile bëjnë të ditur se, rreziku i zjarreve është ende evident.
Në vendin e quajtur “Mali i Derrave”, Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu të larta në një terren malor. Aktualisht në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë që po punojnë për të vendosur nën kontroll zjarrin. Për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe një helikopter i cili po vijon fluturimet.
Në fshatin Patin, Klos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha të larta. Shërbimi zjarrfikës dhe forcat vullnetare kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin, pasi terreni malor bën të pamundur ndërhyrjen me mjete.
Si pasojë e zjarrit u përshkuan nga flakët një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre dhe pisha të larta. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Zjarri në kurorën e gjelbërt të qytetit të Tepelenës, i cili u riaktivizua gjatë ditës së djeshme është shuar. Për shuarjen e flakëve veç forcave zjarrfikëse janë angazhuar edhe forca të ushtrisë si dhe një helikopter.
Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 12 ha me shkurre, 120 rrenjë ullinj, 100 koshere bletë dhe u shpëtua kurora e qytetit të Tepelenës. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Renz, Vau-Dejës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ferra, shkurre dhe lis. Zjarrfikëset e forcat vullnetare kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Për shkak të përmasave të mëdha është ndërhyrë edhe me forca të ushtrisë.
Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 10 ha shkurre, ferra.
Në lagjen Draçin-Tepe, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, e cila rrezikonte disa banesa. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve zjarri është shuar. Si pasojë u përshkuan nga flakët një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe ferra.
Në lagjen Bardhaj, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, e cila rrezikonte disa banesa. Si pasojë e zjarrit u përshkuan nga flakët një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Vashaj, Peqin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha shkurre dhe ferra.
Në afërsi të doganës Qafë-Thanë, Pogradec, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë menjëherë, pasi nga flakët rrezikohej edhe një zonë e banuar.
Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe ferra. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Gjazë, Lushnjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Flakët kanë rrezikuar të përhapen edhe në zonën e banuar. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve zjarri është vendosur nën kontroll dhe është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Rradhimë, Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 10 ha me shkurre dhe kullotë.
Në fshatin Rusan, Delvinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me shkurre, ferra dhe ullinj.
Në Unazën e Re, Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre.

Digjen 20 ha pishë e zezë në pyjet e Patinit

20 hektarë me pishë të butë e shkurre u dogjën në fshatin Patin të Bashkisë Klos, pasi flakët në vatrën e nisur mëngjesin e të hënës janë përhapur deri në vendin e quajtur Qafa e Burrelit. Specialistët e mjedisit thonë se dëmi është tepër i madh, pasi masivi pyjor me pisha të zeza, është djegur plotësisht deri tani.
Numri i pishave të dëmtuara ka shkuar në mbi 15 mijë rrënjë. Specialistët e Shërbimit Pyjor të Bashkisë Klos, inspektoratit të Mjedisit, Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Mat e banorët e zonës e kanë patur të pamundur fikjen e zjarrit për shkak të terrenit tepër të vështirë dhe erërave të mëdha.
Këta të fundit kanë bërë që zjarri të përhapej me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar edhe disa banesa në vendin e quajtur Qafa e Burrelit. Për këtë, Drejtori i Shërbimit Pyjor në Bashkinë Klos, Jetmir Reçi, kërkoi ndihmë nga ajri. “Zjarrfikësja nuk hyn. Kërkojmë forca nga ajri për të ndërhyrë”, tha ai.
Një tjetër vatër zjarri është aktive edhe në Malin e Lezit në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, nga flakët e zjarrit është përfshirë një sipërfaqe me pemë Ahu, ndërkohë që për të shuar flakët janë disa specialistë të shërbimit pyjor të Klosit.

Zjarri në Kukës, ndërpritet energjia elektrike

Si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë mbarë vendin, dy fidera dalës të nënstacionit të Krumës janë djegur dje rreth orës 15:30 minuta, duke lënë pa energji një pjesë të zonës. Menjëherë, për arsye teknike është stakuar energjia në qytetin e Krumës e rrethinat e saj, bëjnë me dije burime nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Qytetit të Krumës i është rikthyer energjia, ndërkohë që vijojnë të jenë pa energji këto zona: Zoga, Elshan, Kostur, Kam/Tropojë, Fabrika e Pasurimit të Kromit “Erollaj”.

Në Dropull, rrezikohen shtëpitë dhe një Kishë

Temperaturat e larta dhe i nxehti saharian kanë bërë që në territorin shqiptar të mos ketë as edhe një ditë ku autoritetet të mos përballen me shpërthimin e vatrave të zjarrit. Edhe këtë të martë, situata ka qenë alarmante. Zona më e prekur mbetet Qarku i Gjirokastrës, ku një zjarr i fuqishëm ka rënë në fshatin e Goricës. Flakët kërcënojnë një sërë banesash që ndodhen shumë pranë vatrës së zjarrit. Përveçse temperaturave të larta dhe terrenit aspak të mirë për ndërhyrjen direkte të zjarrfikësve, flakët janë favorizuar edhe nga era. Zjarri madje rrezikon dhe Kishën e fshatit Goricë. Drejtoria e Emergjencave Civile ka njoftuar që janë shfaqur 7 vatra zjarri pasditen e djeshme.

350 ha digjen në Vlorë

350 hektarë shkurre dhe kullota janë shkrumbuar totalisht në Qarkun e Vlorës gjatë ditëve të fundit, ndërsa situata duket e përkeqësuar në Bashkinë e Selenicës, ku pas ndarjes administrative territoriale, njësia nuk posedon asnjë mjet të shuarjes së zjarreve.
Alarmi jepet nga prefektja e Qarkut të Vlorës, njëkohësisht drejtuese e njësisë së koordinimit të Emergjencave Civile në rang qarku, Etjona Hoxha. Aktualisht mjetet zjarrfikëse të Vlorës po i drejtohen Selenicës për menaxhimin e një rasti të ri zjarri, sqaroi Hoxha.
Po ashtu një territor thuajse i pamenaxhueshëm në rrugë tokësore mbetet Karaburuni. Sipas Prefektes, zjarri i disa ditëve më parë është monitoruar nga specialistët e drejtorisë së zonave të mbrojtura. Ndër rastet e deritanishme të zjarreve në Qarkun e Vlorës, duket se problematikat nuk kufizohen vetëm në Selenicë, por edhe në vetë Bashkinë e Vlorës dhe në Delvinë.

Artikulli paraprakBerisha: Ky është shteti i koncesioneve të Noriegës!
Artikulli tjetërMashtrimi i Veliajt, le pa ujë Tiranën për të rritur çmimin