Dibala e pranon!

Mes të tashmes dhe të ardhmes, Paulo Dibala flet për pritshmëritë e Juventusit me format të ri, ultraofensiv, për vorbullën e intrigave në lidhje me kontratën e tij të re dhe në të njëjtën kohë për “protestën” ndaj Alegrit, një çështje për të cilën ai kërkon falje publike. Dibala duket se ka humbur golat e tij, duke qenë se moduli i ri i kërkon të luajë disi më larg portës, por 23-vjeçari nuk ankohet: “Goli më mungon, e pranoj, por unë jam gjithsesi i qetë. Po luaj mjaft mirë, sepse moduli i ri na ka ekzaltuar të gjithëve. Me formatin e ri taktik më kërkohet që të luaj më prapa për të pasur më tepër kontakt me topin dhe të gjej korridoret për sulmuesin, por edhe ky stil loje më pëlqen. Madje, edhe rastet për të shënuar i kam pasur, por kundër Interit dhe Krotones ishte vetëm çështje fati që nuk arrita të realizoj”, bën hyrjen e tij Dibala.
Në lidhje me të ardhmen e tij, argjentinasi nuk ka dyshime se do vazhdojë të jetë i lidhur me Juventusin: “Mungojnë vetëm fare pak gjëra. Menaxheri im do të zbarkojë në Itali për të mbyllur gjërat e fundit me Marotën. Nga ana ime, nuk ka asgjë që mund ta frenojë rinovimin, sepse unë dua të qëndroj te Juventusi”.
Në lidhje me zëvendësimet e shumta që ka vuajtur sivjet, Dibalën e kanë krahasuar edhe me periudhën që kaloi Del Piero: “Aleksi u zëvendësua 19 herë? Po, ma kanë thënë në klub dhe ndoshta tani do të jem unë ai që do të kërkoj zëvendësimin. Do të jetë e vështirë të thyesh rekordin e prezencave dhe të golave të Aleksit, por të paktën do të kërkoj të thyej këtë të zëvendësimeve, bën ironi Dibala, ndonëse kërkon edhe falje. Dora e mohuar ndaj Alegrit? Më vjen keq. Ishte një gabim që nuk do ta përsëris më kurrë”.
Juventus-Palermo, e programuar për t’u luajtur këtë të premte ngre siparin e javës së 25-të të Serisë A, me bardhezinjtë që pritet të konsolidojnë pozitat në krye të tabelës së renditjes për të shkuar të qetë në përballjen e Championsit me Porton në transfertë. Massimiliano Alegri këmbëngul në konferencën për shtyp të rastit se vëmendja e tij është e përqendruar vetëm te sfida e radhës. “Për momentin nuk duhet të mendojmë për Championsin, por për të fituar ndaj Palermos, sepse këto ndeshje të kampionatit të japin titullin. Siçilianët me trajnerin e ri Lopez kanë grumbulluar 4 pikë në tre ndeshjet e fundit. Kjo skuadër është më e organizuar dhe lejon më pak hapësira. Duhet të jemi të shpejtë, teknikë dhe agresivë. Janë edhe 14 javë kampionat dhe një gabim në këtë sfidë mund të na kushtojë shumë”, u shpreh Alegri.
Alegri la të kuptohet që Pjaniç është në gjendje të mirë fizike, ndërsa ka dyshim për lojtarët që do të aktivizojë në mbrojtje. “Pjaniç është mirë, nuk kam marrë asnjë sinjal nga stafi mjekësor për të kundërtën. Duhet të vlerësoj gjendjen e lojtarëve të veçantë për të vendosur për mbrojtjen. Rugani po përmirësohet dita-ditës, ndërsa Bonucci do të luajë ndeshjen e 300 me Juven. Leanardo është shndërruar një element shumë i rëndësishëm brenda dhe jashtë fushës së blertë. Nëse nuk luan Rugani do të aktivizohet Benatia”, tha ai.

Artikulli paraprakBotërori 2018, huliganët rusë kërcënojnë anglezët
Artikulli tjetërGjashtë disfatat turpëruese të Barcelonës