Diaspora përmirëson standardin jetësor të Kosovës

Shuma prej mbi gjysmë miliard euro në vit që hynë në Kosovë nga qytetarët e këtij vendi të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, mund të ketë ndikuar që konsumi për kokë banori të shënoje rritje. Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë se në rritjen e konsumit kanë ndikuar shumë faktorë, por faktori kyç është vazhdimi i dërgesave nga diaspora. Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, kishte vënë në pah rritje të konsumit për kokë banori për mbi tre për qind në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014. Nga rezultatet e dala nga ky publikim, konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015 ishte 2,461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7,503 euro, si dhe për kokë banori 1,432 euro. Këto të dhëna mbi konsumin e përgjithshëm, Gashi i thekson si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë në Kosovë, pasi që, siç sqaron ai, sa më i lartë të jetë konsumi, rritja ekonomike dhe pagesat për arkën e shtetit janë më të larta. Ndërkaq, rritja e të ardhurave për kokë banori në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, sipas Gashit, është rezultat i rritjes ekonomike. Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thekson se gjendja e rëndë ekonomike e shumë familjeve në Kosovë ka alarmuar familjarët e tyre që jetojnë jashtë vendit që të ndihmojnë duke dërguar para. Ai thotë se standardi jetësor i qytetarëve nuk mund të jetë përmirësuar gjatë viteve të fundit. Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve, ku në të shumtën e rasteve këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar. Një studim mbi remitencat në Kosovë, i bërë kohë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë pranuar remitenca prej familjarëve. Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.

Artikulli paraprakFMN: Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë me eksportet
Artikulli tjetërShtrenjtohet me 5 lekë çmimi i naftës