Dhomat e Tregtisë kundër ligjit të ri për anëtarësimin me tarifë

Përfaqësues të Dhomave të Tregtisë e kanë kundërshtuar gjatë anëtarësimin në Unionin e Dhomave, e parashikuar kjo në projektligj. Në prezantimin e projektligjit pranë Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Industrisë, Alketa Uruçi, anëtare e Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se, kjo është një kosto për biznesin, i cili detyrohet të bëj një pagesë vjetore prej 25% të fondeve, duke e quajtur këtë barrë shtesë.
“Nuk është në pajtim me parimet e përgjithshme kushtetuese që një subjekt, apo qoftë edhe një individ të regjistrohet në shoqatën që ai dëshiron dhe ku ndihet i përfaqësuar. Dhe së dyti është një kosto shtesë për biznesin, i cili është i detyruar që të bëjë një pagesë për një dhomë tregtie ku është i detyruar të regjistrohet, pa vullnetin e tij”, tha Uruçi.
Por për Kryetaren e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, ky ligj i ri është një domosdoshmëri për ekonominë e vendit. Pro kësaj nisme ishin edhe organizatat e biznesit. “Mendoj që të gjithë personat këtu në sallë tashmë janë shumë të qartë për rëndësinë e një ligji të Dhomave të Tregtisë apo për organizimin e sipërmarrjes. Ne vetë si dhoma tregtie kemi kohë që mendojmë që organizimi i institucionit të sipërmarrjes është goxha i rëndësishëm për të gjithë ne, jo vetëm ne si dhoma tregtie, por edhe për të gjitha shoqatat apo dhomat mikse që janë këtu mes nesh”, u shpreh Muçostepa. Sipas projektligjit, dhomat transferojnë pranë bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë 25% të fondeve të mbledhura nga kuota e anëtarësimit brenda datës 15 prill të çdo viti.

Artikulli paraprakTë fundit në botë për cilësinë e hekurudhës
Artikulli tjetërDo të ketë ekstradime deputetësh të dënuar?