Dhoma e Tregtisë: Ligji i tatimit mbi të ardhurat

Pasi u njohëm me projektligjin dhe relacionin shpjegues për shfuqizimin e pikës 2 dhe 3 të nenit 21 të Ligjit Nr. 8438, “Për tatimin mbi të ardhurat”, në vijim kemi disa paqartësi, të cilat po i rendisim si në vijim: Cila është arsyeja e përfshirjes së këtij ndryshimi në paketën fiskale 2017, ndërkohë që ky ndryshim do të këtë efekte në janar të vitit 2018?
Cilat janë argumentet e DPT-së, për efektet fiskale nga interesat e përfshira në shpenzime deri më sot dhe cili është përfitimi fiskal nga ndryshimi ligjor që pritet të hyjë në fuqi? Në çfarë niveli është struktura dhe situata e kreditimit të shoqërive shqiptare?
Ligji i tatimit mbi të ardhurat, i cili është në fuqi prej gati 18 vitesh, ka nevojë për t’u rindërtuar totalisht dhe një iniciativë e tillë është filluar nga ana juaj në korrik të vitit 2015. Në draftin e ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat, në nenin 31, përfshihej dhe ndryshimi në fjalë dhe një diskutim për të, nuk është realizuar. Për këtë arsye, përse të mos na jepet kohë për të konsultuar këtë ndryshim dhe të jetë pjesë e miratimit me ligjin e ri?
Argumenti juaj se kjo metodë është bashkëkohore dhe e lehtë për administrim edhe pse nuk ka përafrim me “acquis communauitares”, e krahasuar me metodën ekzistuese nuk është sqaruar nga ana juaj? Nuk kuptohet përse shfuqizohet edhe pika 3 e nenit 21, cili përfshihet në këtë pikë (shoqëritë e thjeshta sipas Kodit Civil, OJF-të) dhe çfarë efekti fiskal pritet?
A është i mbështetur propozimi juaj në rekomandimet e OECD-së për “thin capitalization”, (kapitalizimi i hollë) dhe “earning stripping” (heqjet nga fitimi)? Argumentet tona për kundërshtimin e metodës së propozuar nga ju, duke marrë parasysh dhe duke cituar praktika të vendeve të tjera europiane janë, konkretisht:
Vendet e rajonit vazhdojnë të aplikojnë metodën ekzistuese që parashikon ligji jonë në kufijtë, borxh/kapitali nga 3:1 deri në 4:1 siç janë Maqedonia, Turqia, Serbia, Rumania, Hungaria, Sllovenia, etj.
Vende të EU që aplikojnë metodën e propozuar, kanë parashikuar:
Baza e llogaritjes është mbi EBITDA dhe jo mbi EBIT;
Kanë vendosur një vlerë limit, deri në të cilën e gjithë vlera e interesit është shpenzim i lejuar dhe në rast se interesat janë mbi këtë kufi, aplikohet metoda e propozuar, me %;
Përqindja e aplikuar varion nga 30-50%;
Shpenzimet për interesa mbarten nga 5 (pesë) vite, deri pa limit kohor;
Aplikimi metodës, i bazuar në rekomandimet e OECD-së ka për qëllim të luftojë shmangien e taksave që vjen nga rendimi i shpenzimeve me interesa, nga borxhe apo financime të kryera kryesisht nga aksionerët ose palët e lidhura në shoqëritë multinacionale (mëmë-bijë);
Mendojmë se një masë e tillë do të sjellë uljen e kreditimit, rritje të barrës fiskale apo në të kundërt tendencë për rritje të informalitetit;
Shqipëria është një vend në zhvillim ku baza e krijimit të kapitaleve është kreditimi dhe situata e vështirë me kreditë ku gjendet ekonomia do ta bënte më të vështirë barrën e biznesit me një rendim të tillë;
Rregullimi ekzistues është shumë i mirë, vetëm në rast se bazuar në analiza është vërtetuar se praktika ekzistuese nuk ka funksionuar apo ka pasur abuzime, mund të pranojmë ta ndryshojmë.
Në të kundërt të mos aplikohet për çdo kreditim, por të kufizohet për shoqëritë e lidhura mëmë-bijë dhe ortakë apo për financime dhe shoqëri të ngjashme.

Artikulli paraprakLoja për Vettingun politik të gjyqtarëve
Artikulli tjetërSteinmeier, një President kundër rrëmujës