Me dhe për biznesin e vogël!

Jorida TABAKU

Nuk e di se kush i mbron oligarkët: Opozita që propozon frymëmarrje edhe më të madhe për biznesin e vogël që punëson 40% të shqiptarëve apo qeveria që i kërkon ndihmë oligarkëve për protestën kundër biznesit të vogël?
Nuk e di se kush i mbron oligarkët; qeveria që është në rrugën e propozimit të një ligji që do t’i taksojë fshehurazi bizneset e vogla me vendosjen e TVSH-së apo opozita që propozon politika lehtësuese për to?
Sot, shqiptarët na qenkan të rrezikuar nga opozita, e cila do të mbrojë Bizneset e Vogla nga rëndimi i xhepit të tyre dhe jo nga qeveria që po propozon taksim më të rëndë për kurrizin e tyre.
Sot, mazhoranca drejton gishtin nga opozita.
Sa më shumë thërret, aq më shumë del zbuluar. Sa më shumë përdridhet, aq më qartë i shohim dhe ne se si mbulojnë diellin e oligarkëve me shoshën e gjoja barazisë.
A mos vallë 100 mijë biznese të vogla duhet t’i nënshtrohen TVSH-së vetëm se administrata e partisë-shtet nuk ka dëshirë të bëjë kontrollet dhe të zbulojë evazionin në biznesin e madh? Sot në Shqipëri, bizneset e vogla mezi mbijetojnë nga niveli i lartë i taksave të vendosura në katër vjet të qeverisjes Rama.
Aktualisht vendi jonë sipas gjithë raporteve ndërkombëtare paguan ndër taksat më të kripura në raport me rajonin.
Përfshirja e TVSH-së edhe tek bizneset e vogla do të sjellë jo vetëm shtrenjtimin e produkteve, por edhe mbylljen e një pjese të madhe të bizneseve.
Jo! Partia-shtet që ka ndërmarrë këtë nismë nuk dëshiron të largojë evazionin, sepse fare kollaj këtë evazion nuk e bën biznesi i vogël.
Jo! Partia-shtet nuk ka synim që të kuptojë dhe të rillogarisë se cilës shkallë i takon një biznes i vogël. Nëse do ta kishin këtë synim mund të dilnin në terren për të kryer llogaritë tek bizneset që dyshojnë dhe mund t’i rivlerësonin. Po ta kishin kaq shumë përzemër këtë pikë nuk kryenin përjashtimin ndaj biznesit të vogël vetëm për fushatë elektorale.
Jo! Partia-shtet nuk ka synim që të shpëtojë të vegjëlit e vërtetë nga gjoja të vegjëlit, në të kundërt gjithë synimi i tyre është adresimi i konsumatorëve tek ato oligarkë që shumë shpejt do të kontrollojnë tregun. Mjafton të shihni se kush qenë ato që protestuan përpara disa ditësh nën moton “Partia e di më mirë se sa tregu”.
Partia-shtet për asnjë moment nuk ka synuar tregun e lirë dhe zgjedhjen e lirë, propozime të tilla shtrëngojnë mundësinë e sipërmarrjes për cilindo individ në Shqipëri. E keqja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk vjen nga biznesi i vogël, as nga sipërmarrësit e vegjël dhe dyqanet e lagjes. Jo dhe jo! Problemi me vendin tonë nis nga qeveria, e cila dëshiron të taksojë gjithnjë më të dobëtin, duke e justifikuar si luftë ndaj të fortit. Në fund të çdo viti është i forti pranë qeverisë që fiton, merr tenderat, koncesionet dhe paratë e shqiptarëve. Për këtë i duhet dhënë fund kësaj praktike. Partia-shtet dhe gjithë elementët e saj duhet të thërriten për të dhënë llogari se përse shqiptarët janë ato që humbasin pas çdo ligji që miratojnë.
Në katër vjet u morën 1.5 mld USD dhe në këto katër të tjera duan të marrin akoma më shumë!

Artikulli paraprakMisioni i pamundur i kthyer në mundësi i Sebastian Kurz
Artikulli tjetërECFR: Rama i dështuar, krim e korrupsion